MENU
klinika

Bundesliga, java 5

Pëson gol në limit, ndalet Bayern Munchen

25.09.2018 - 22:29

Kur u mendua një ecuri perfekte në 5 javët e para të Bundesligës, Bayern Munchen ka pësuar gol në shtesë dhe për pasojë e ka përfunduar 1-1 në shtëpi ndaj Augburg. Mund të konsiderohet një hap fals për kampionët, pavarësisht se ruajnë kryesimin me 13 pikë.

Episodi i parë vendimtar për vendasit erdhi në minutën e tretë të pjesës së dytë, kur Serge Gnabry mblodhi te vetja të gjithë mbrojtjen e Augsburg, përpara se të pasonte te Arjen Robben, për të cilin ishte si një lojë fëmijësh të shënonte me portën e boshatisur.

Ky ishte goli numër 98 i holandezit në Bundesliga, vetëm gjashtë futbollistë kanë shënuar më shumë se ai nga të gjithë të huajt që kanë luajtur në kampionatin gjerman.

Gjithsesi, festa e Bayern u prish tri minuta para fundit kur gjatë një rrëmuje në zonën e vendasve Felix Gotze barazoi për miqtë. Ai është vëllai i vogël i Mario Gotze dhe është rritur pikërisht në akademinë e Bayern.

Në vendin e dytë të kampionatit, dy pikë larg Bayern është Werder Bremen, që fitoi 3-1 ndaj Hertha të vendit të tretë. Pikërish Hertha do të jetë kundërshtari i ardhshëm i Bayern. Në sfidat e tjera të luajtura në mbrëmjen e kampionatit gjerman, spikat fitorja e Hoffenheim, 1-2 në Hannover, ndërsa Freiburg mundi Schalke me rezultatin 1-0.