Për miliarderët, çdo gjë ka një çmim, madje kur flitet edhe stadiume mitike futbolli, që për tifozët janë kthyer në tempuj. Sipas mediave amerikane, Shaid Khan, pronar i Fulham dhe skuadrës së futbollit amerikan Jacksonvile Jaguar, ka arritur një marrëveshje me Federatën Angleze për blerjen e stadiumit të Wembley-t pwr 670 milionw euro.
Një zgjedhje jo e lehtë për institucionin më të lartë të sportit më të dashur në vendin ishullor, por në këtë mënyrë ata shpresojnë të rrisin infrastrukturat në nivelin lokal dhe shkollave të futbollit.
Për shumë tifozë, kjo gjë do të konsiderohet si sakrilegj, megjithëse ka ende kohë për t’u marrë një vendim zyrtar. Qëllimi i Kahn është të transferojë në Angli Jaguars, të cilët do të bëheshin ekipi i parë i futbollit amerikan që do të kishte një shtëpi jashtë Shteteve të Bashkuara.
Sigurisht, edhe me aprovimin e National Football League. Por nuk mungojnë problemet, pasi sezoni i këtij sporti është i shkurtër dhe klubet do ta kishin të vështirë për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar që të luajnë ndeshjet.
Në marrëveshje pritet të ketë klauzola të qarta. Për shembull, stadiumi nuk do të pësojë ndryshim emri, pra do të vazhdojë të quhet Wembley. Federata do të ketë mundësinë ta riblejë stadiumin, në rast se miliarderi do të arrestohet apo dënohet në të ardhmen.
E sigurisht, impianti do të mirëpresë ndeshjet e Kombëtares, finalen e FA Cup apo ato të play off-it në kategori të ndryshme. Të enjten do të ketë një mbledhje të këshillit drejtues të federatës.
Nëse plani do të aprovohet, do të zhvillohet një asamble më e gjerë, ku do të marrin pjesë klube nga të gjitha kategoritë e të gjithë sektorët e futbollit anglez. E duke njohur dashurinë e anglezëve për traditat, vështirë se do të mungojnë protestat.