MENU
klinika

Arriti në 1.5% në muajin janar

Ushqimet apo qiratë, çfarë ndikoi në rritjen e inflacionit?

07.02.2020 - 13:57

Inflacioni e nisi vitin 2020 me rritje, megjithatë ngelet larg objektivit të Bankës së Shqipërisë. Sipas Institutit të Statstikave, për janarin rritja vjetore e çmimeve ishte 1.5%, në rritje nga niveli 1.1% i dhjetorit 2019. Sidoqoftë, inflacioni është pranë vlerave mesatare të vitit të kaluar, kur ishte rritur me 1.4%.

Në strukturën e tij, inflacioni u formua në masën dërrmuese nga ushqimet dhe qiratë, që së bashku dhanë 80% të kontributit total në rritjen e çmimeve për janarin. Brenda grupit të ushqimeve, shtrenjtimin më të madh e regjistruan frutat, me 18,2 %, pasuar nga sheqeri dhe nënproduktet tij, me 4.3%. Por, rritjen më të madhe të çmimeve në krahasim me dhejtorin e regjistruan qiratë dhe kostot e lidhura me transportin.

Inflacioni vjetor i qirave arriti në 1.5%, nga 0.1% që kishte qenë për dhjetorin. Ky shtrejtim duket të jetë pasojë direkte e tërmetit të nëntorit 2019. Dëmtimi i mijëra banesave në qarqet e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës rriti nevojën për qira dhe shtrenjtoi çmimin e tyre. Edhe grupi i transportit shënoi rritje të ndjeshme të inflacionit, por për shkak të peshës specifike më të ulët në shportë, ndikimi i kësaj rritjeje në inflacionin total qe më i kufizuar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëroi këtë javë se efektet e tërmetit në ekonomi do të jenë të ndjeshme edhe gjatë këtij viti, me rezultat një rritje më të ngadaltë të prodhimit dhe të çmimeve. Sipas analizave të Bankës Qendrore, ekonomia do të kthehet në binarët e rritjes normale vetëm në vitin 2021, kur mund të pritet edhe një kthim i inflacionit pranë objektivit prej 3%.