MENU
klinika

Fjalë të harruara

Premtimi i pambajtur mbi shtëpinë e Musine Kokalarit

27.09.2018 - 14:14

Dallohet ndër qytetet e tjera për infrastrukturën e veçantë që ka e pikërisht për këtë arsye sot është edhe një prej zonave më të vizituara nga turistë të shumtë, vendas apo të huaj. Ky qytet është Gjirokastra. E përfshirë prej vitesh në listën e trashëgimisë botërore, qyteti i gurtë është bërë jo pak herë pjesë e emisioneve apo dokumentarëve të mjaft mediave vizive apo të shkruara nga më prestigjiozet jo vetëm në Shqipëri dhe Europë, por edhe në Amerikën e largët.

Historia e qytetit të gurtë, resurset, tradita apo sitet arkeologjik, kanë qënë pjesë e promovimit të vlerave të Gjirokastrës e cila edhe pse sezoni turistik në shumë qytete të tjera mund të konsiderohet i përfunduar, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për Gjirokastrën.

Por përveç këtij fakti pozitiv, problemet nuk janë të pakta për këtë qytet e sidomos ato vihen re më shumë në zonën muzeale, ku mjaft banesa karakteristike ose janë shembur e kthyer në karakatina, ose janë drejt degradimit përfundimtar.

Shumë prej tyre janë me status Monument Kulture kategoria e pare ose e dytë, dhe rrënimi i tyre është padyshim një humbje e madhe për qytetin muze, që raste të tilla po regjistron dita ditës.

Mjaft prej këtyre banesave, i  përkasin emrave nga më të njohurve jo vetëm në Gjirokastër por edhe në mbarë vendin, e një prej tyre është edhe shkrimtarja desidente Musine Kokalari, e cila rininë e saj e kaloi mes kalvarit të shumtë të vuajtjeve në burgjet e komunizmit ku kreu 16 vite dënim, e për tu internuar më pas në Rreshen, ku nga një intelektuale ajo nisi të punojë si punëtore llaçi, apo në sektorin e bujqësisë, fillikat e vetme deri në vitin 1983, kur edhe ndërroi jetë dhe u varros nga punëtorët e komunales pa prezencën e asnjë familjari. Sot ish banesa e saj, apo ajo që ka mbetur pas shkrumbimit nga flakët e zjarrit rreth 4 vite më parë, gjendet shumë pranë zonës historike, apo gjimnazit “Asim Zeneli”.

Në aktivitetin e organizuar në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së saj që u zhvillua në shkurt të vitit 2017, Ministria e Kulturës, njëherazi dhe deputete e Qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro premtoi restaurimin e banesës 120 vjecare, Monument Kulture i kategorisë së parë që sipas saj Instituti Monumenteve të Kulturës kishte përfunduar projektin final restaurues dhe shumë shpejt do të nisnin punimet për rimëkëmbjen e saj, por deri më sot asgjë nuk është konkretizuar dhe gjendja vazhdon të jetë e njëjtë. Të vetmit që po kujdesen për rrënojat e saj janë pasardhësit e shkrimtares së njohur që sfidoi sistemin komunist dhe direkt Enver Hoxhën, jo vetëm bashkëqytetar por edhe bashkëlagjas me Musinenë.

“Shpresuam shumë se restaurimi do të konkretizohej por në fakt asgjë nuk po ndodh. Ne po përpiqemi të ruajmë atë që ka mbetur por realiteti flet vetë”, thotë Arieta, pasardhëse e Musine Kokalari.

“Dëmtimi edhe më i madh që po i bëhet banesës duket i qëllimshëm, pasi po shohim se pirgje mbeturinash depozitohen brenda mureve të saj edhe nga fqinjët tanë”, pohon më tej Arieta e cila shton se-“Një vit më parë ministria e kulturës zonja Kumbaro premtoi restaurimin dhe kthimin e banesës në muze, por kjo deklaratë ka ngelur thjesht një premtim i rradhës”.

Musine Kokalari padyshim konsiderohet si një nga intelektualet më në zë të vendit dhe sot portreti saj është i vendosur në bazorelievin krahas figurave të tjerave të Gjirokastrës që janë vlerësuar “Nderi i Qytetit”.

Falë arsimit dhe formimit të saj intelektual të përfituar jashtë kufijve të Shqipërisë Musine Kokalari u përshi në vitin 1942 kundër lëvizjeve komuniste dhe atyre antifashiste në Romë.

Me të njëjtat bindje ajo u kthye në Shqipëri ku dhe ja doli mbanë të botonte një sërë numrash gazetash dhe të kthehej në një publiciste të vërtetë, e për tu arrestuar më pas në radhët e Partisë Social-Demokrate, ku Musineja ishte themeluese e saj. Ndryshe nga mentaliteti i viteve 44′, Musine Kokalari ishte një kundërshtare e ideologjisë së asaj kohe dhe pikërisht për këtë arsye dy vëllezërit e saj u ekzekutuan ndërsa Musineja nisi kalvarin e gjatë të gjyqeve kun ë njërin prej tyre do të shprehej:

Fakti që mendoj ndryshe nga ju, s’do të thotë se e dua vendin tim më pak se ju”.

Zjarri i cili ra vite më pare u cilësua si aksidental nga organet kompetente dhe shkrumboi gjithcka dhe sot janë pikërisht të afërmit e shkrimtares së njohur që mundohen me të gjitha mënyrat, duke u përpjekur të ndërtojnë një “Minimuze”me qëllim mbrojtjen e historisë, vlerave, kontributit e padyshim emrin e shkrimtares së njohur e cila gjente frymëzim në pezulin e dritares së saj ku ulej dhe shkruante për orë me rradhe e hidhte rreshta e mendime pikërisht për ato të cilat ajo u persekutua deri në ditën e saj të fundit të jetës nga regjimi komunist.

K.Zh

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët