Banka e Shqipërisë parashikon të ulë sërish normën bazë të interesit për lekun, me qëllim nxitjen e investimeve në ekonomi. Aktualisht norma bazë është në nivele minimumi historike prej 1%, pas një periudhe të gjatë të politikës lehtësuese monetare, të nisur që nga gjysma e dytë e vitit 2011, që synon të ulë koston e parasë, duke nxitur investimet në ekonomi.
Në prezantimin e raportit të politikës monetare të tremujorit të katërt, Banka e Shqipërisë bëri të ditur se ekonomia shqiptare do të vijojë të qëndrojë në një trend pozitiv në horizontin afatmesëm.
Megjithatë, perspektiva afatshkurtër e zhvillimeve ekonomike dhe financiare do të përcaktohet në një masë të konsiderueshme nga pasojat e tërmetit të datës 26 nëntor. Rritja ekonomike dhe inflacioni i vitit 2020 priten të ndikohen negativisht nga tërmeti, tha Banka, e cila për rrjedhojë ka rishikuar parashikimet në kahun e poshtëm.
Në afatin e mesëm, ritmet e rritjes ekonomike pritet të përshpejtohen, duke shtuar presionet inflacioniste. Programi i rindërtimit do të japë një impuls pozitiv per sektorin e ndërtimit, duke mbështetur rritjen më të shpejtë të ekonomisë. Kthimi i saj në ekuilibër pritet të shoqërohet me rritjen e përdorimit te kapaciteteve prodhuese dhe me rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Ne përputhje me këto parashikime, inflacioni pritet të kthehet në objektiv, në gjysmën e dytë të vitit 2021.
Politika monetare duhet të ruajë kursin akomodues në afatin e mesëm. Stimuli monetar është i nevojshëm për të mbështetur rritjen e kërkesës konsumatore dhe forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Banka e Shqipërisë thekson se, ambienti i brendshëm financiar paraqitet stimulues, në përgjigje të politikes monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe kredia është rritur me ritme të kënaqshme në 2019-n.