MENU
klinika

Kampionati i boksit

Vllaznia për të 22-tën herë kampione Shqipërie në boks

27.09.2018 - 15:34

Për herë të 22-të, Vllaznia është shpallur ekipi më i mirë në boks në Shqipëri. Në kampionatin kombëtar, që u zhvillua për tre ditë me rradhë në Shkodër, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Zef Gjoni, arritën të mundin rivalët e Tiranës dhe Teutës së Durrësit. 

Gjithçka u arrit në natën e tretë finale, ku Vllaznia arriti të nxjerrë katër kampionë kombëtar si ekip, më shumë se sa skuadrat e tjera duke merituar kështu titullin kampion.

Në të njëjtën kohë, nga gjiri i kuqebluve u shpall edhe boksieri më i mirë i aktivitetit, kampioni i peshës 75 kg, Arjon Kajoshi. Për trajnerin Zef Gjoni, titulli i 22-të në këto 26 vite që është organizuar dëshmon sërish se Shkodra është kampione absolute në këtë sport:

Jam i kënaqur me paraqitjen e djemve pasi realizuan ndeshje shumë të mira. Këtë vit e kishim më të vështirë pasi ishte Vllaznia kundër të gjithë Shqipërisë. Tirana dhe Teuta kishin bërë merkato duke marrë boksiere nga qytetet e tjera por sërish ne u shpallëm më të mirët”.

Ndërkohë për boksierin më të mirë të turneut, Arjon Kajoshi, ky ishte një emocion i veçantë por që tashme synimet e tij janë për tituj në europë:

Si ekip kemi bërë një kampionat shumë të mirë. Në fund meritova edhe titullin si boksieri më i mirë. Kam disa vite që shpallem më i miri në Shqipëri por synimet e mia janë për rezultate në arenen ndërkombëtare”.

Krahas Kajoshit, Vllaznia nxorri edhe tre kampionë të tjerë si individë, si Ahmet Meti, Vuksan Guri, dhe Brendi Smajli, ndërkohë që boksieri i peshës 60 kg Asmir Skutina meritoi kupën e boksierit të prespektivës.