Ka dhënë dorëheqjen bordi drejtues i çmimeve “César Academy”, ekuivalenti i atyre “Oscar”. Akademia e çmimeve prestigjioze për filmat më të mirë në Francë, u shpërbë pas kritikave që shpërthyen kohët e fundit, për shkak të 12 nominimeve për një film nga Roman Polanski.
Vendimi për të nderuar në këtë mënyrë filmin “Oficeri dhe Spiuni” të Polanskit, solli reagimin e ashpër të grupeve feministe, që bënë thirrje për bojkotin e kësaj ceremonie.
Këtyre zërave iu bashkuan qindra aktore, producentë dhe regjisorë, të cilët kërkuan një reformim të thellë të “César Academy”. Përmes një letre të hapur gjatë kësaj jave ata denoncuan disfunksionin e “César Academy” dhe mungesën e transparencës në mënyrën e menaxhimit.
Vendimi nga ana e bordit të “César Academy” për t’u tërhequr, erdhi pak ditë përpara mbajtjes së ceremonisë së 45-të, të këtij evenimenti, që është parashikuar për t’u mbajtur në Paris, më 28 shkurt.
Në një deklaratë për shtyp, akademia njoftoi se bordi vendosi në mënyrë unanime për të dhënë dorëheqjen për të rikthyer qetësinë dhe për të siguruar që festivali të mbetet thjesht festival.