Pas vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar në datë 13 shkurt, janë botuar në Fletoren Zyrtare shtatë zonat e reja për zhvillim, rindërtimin e banesave pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit.
Në Fletoren Zyrtare janë publikuar hartat ku do të ndërtohen zonat e reja, të cilat janë 2 në Durrës, një në Kavajë, një në Krujë, 2 në Lezhë dhe një në Vorë.
Zonat e reja të shpallura për zhvillim për rindërtimin pas tërmetit
Durrës – zona 2
Durrës – zona 3
Kavajë – Golem
Krujë – zona 1
Lezhë – zona 1
Lezhë – zona 2
Vorë – Marikaj
Qeveria ngarkon Fondin Shqiptar të Zhvillimit për këto zona, si njësi zbatuese për ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara, ndërtimin e rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe kritike, realizimin e ndërtimeve në këtë zonë dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit.
Në 31 Janar ministri për Rindërtimin Arben Ahemtaj deklaroi se në total janë 18 zona ku do të ndërtohet pas tërmetit tragjik.
Dy ditë më parë Konferenca e Donatorëve “Bashkë për Shqipërinë” organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, mblodhi 1.15 miliardë euro grante, hua, e fonde për projekte zhvillimi nga rreth 100 vende që morën pjesë në këtë konferencë për të shprehur solidaritetin ndaj Shqipërisë në përpjekjen për t’u ringritur pas tërmetit.