MENU
klinika

Historia tragjike e familjes Sallaku

Si u burgosën sekretari i Enver Hoxhës me 2 vëllezërit

25.02.2020 - 15:34

      Publikohet historia e panjohur të familjes tiranase Sallaku, që gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944) u bë një bazë e rëndësishme e komunistëve ilegalë, ku tre djemtë e saj, ishin në formacionet partizane dhe si rezultat i kontributit të madh që ajo familje dha për Luftën Antifashiste, pas vitit 1944, të shtatë fëmijët e familjes Sallaku (pesë vëllezër e dy motra) u shkolluan në universitetet brenda dhe jashtë vendit.

Dëshmia e rrallë e Muhamet Sallakut për tragjedinë e asaj familje që filloi me prishjen e marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë komuniste me Bashkimin Sovjetik e vendet e tjera satelite të saj të Evropës Lindore në vitin 1961, kur tre vëllezërve Sallaku: Nuriut, Xhavitit dhe Muhametit, iu bë presion që t’i divorconin bashkëshortet e tyre çeke dhe ruse, të cilat më pas u larguan për në atdheun e tyre.

Tentative e arratisjes së Nuriut dhe Abdullait në vitin 1963 dhe dënimi i tyre me nga 25 vjet burg, duke u liruar vetëm në vitin 1990-të dhe vdekja tragjike e Xhavitit në qelitë e hetuesisë së Sigurimit të Shtetit, pasi ishte arrestuar në vitin 1975 duke u akuzuar si “agjent dhe bashkëpunëtor i grupit sabotator me në krye Abdyl Këllezin”, ndërsa vëllai tjetër, Hamdiu, ish-sekretar i Enver Hoxhës, punonte si gazetar në “Zëri i Popullit”…?!

“Pas vitit 1960 kur Shqipëria i prishi marrdhëniet zyrtare me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të Europës Lindore, unë me vëllezërit e mi, Nuriun e Xhavitin, që kishim studiuar në Moskë e Pragë, nuk e pritëm mirë politikën e ndarjes nga Kampi Socialist që po ndiqte Partia e Punës dhe Enver Hoxha. Kjo ndodhte jo vetëm për shkak të formimit tonë me frymën liberale që kishte ndjekur Hrushovi në ato vite që ne studiuam në Bashkimin Sovjetik, por edhe për shkak se unë me Xhavitin ishim martuar me vajza ruse, kurse Nuriu me një vajzë çeke nga Praga. Ndonëse vëllai ynë Hamdiu, që ishte diplomuar në “Lomonosov” të Moskës, ishte sekretar i Enver Hoxhës, ne vëllezërve të tjerë na u shtuan pakënaqësitë prej regjimit komunist. Kjo filloi në fundin e vitit 1960, pas ikjes së detyruar të bashkëshortes sime, Ninës, me djalin Fatosin në Moskë, dhe ndarja e Nuriut me gruan e tij Vllastan, e cila mbeti në Pragë. Të gjitha këto drama që përjetuam ne si vëllezër me prishjet e familjeve, i detyruan Nuriun dhe vëllanë e vogël, Abdullain, i cili në atë kohë punonte si gazetar në Agjensinë Telegrafike Shqiptare, që të merrnin rrugën drejt kufirit për t’u arratisur jashtë Shqipërisë. Por ata u kapën në kufi së bashku me pesë shokët e tjerë në momentin që po kalonin klonin në zonën e Pogradecit dhe gjatë gjyqit që u zhvillua në Tiranë, Abdullai mbajti një qëndrim shumë të ashpër ndaj rregjimi komunist. Ai tha se në udhëheqjen e lartë mbizotëronte injoranca. Pas arrestimit të Nuriut dhe Abdullai, ndonëse na u kërkua që t’i mohonim si vëllezër, ne si familje nuk e bëmë këtë gjë. Vetëm vëllai tjetër, Hamdiu, i cili kishte mbaruar “Lomonosov”-in në Moskë dhe punonte si sekretar i Enver Hoxhës, u detyrua që të vepronte ashtu siç e urdhëruan”. Kështu e kujton Muhamet Sallaku, i diplomuar si inxhinier në ish-Bashkimin Sovjetik, të gjithë historinë tragjike të familjes së tij, ku dy vëllezërit Nuriu dhe Abdullai, vuajtën nga 25-vjet në burgjet e regjimit komunist, kurse vëllai tjetër, Xhaviti, vdiq nga tortura në qelitë e Sigurimit të Shtetit, i akuzuar si “agjent dhe bashkëpunëtor i zv/kryeministrit Abdyl Këllezi dhe grupit të sabotatorëve në Ekonomi”. Kush ishin vëllezërit Sallaku dhe kur filluan pakënaqësitë e tyre ndaj rregjimit komunist të Hoxhës dhe pse ata vendosën të largoheshin nga Shqipëria? Si u kapën ata në kufi dhe qëndrimi gjatë seancave gjyqësore? Si u trajtua familja Sallaku mbas dënimit të Nuriut e Abdullait dhe përse vëllai tjetër Hamdiu që punonte sekretar i Enver Hoxhës, nuk u pushua nga puna?

Si nisi prishja e vëllezërve Sallaku me regjimin?

Si nisi prishja e vëllezerve Sallaku me regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe kur filluan të ndienin pakënaqësitë ndaj idealit për të cilin ata kishin sakrifikuar që nga koha e Luftës kur ishin partizan? Lidhur me këtë, midis të tjerash Muhamet Sallaku dëshmon:”Shtëpia jonë gjatë Luftës kishte shërbyer si bazë e komunistëve dhe tre vëllezërit ishin pjesëmarrës të kësaj lufte. Ndërsa pas mbarimit të Luftës, në vitin 1948, u arrestua vëllai ynë Mahmudi, pasi ai mblodhi 300 firma për të mbrojtur mikun e tij të ngushtë, Prof. Dr.Locin, mjekun italian i mbetur në Shqipëri që nga koha e Luftës, i cili ishte arrestuar dhe dënuar me vdekje nga Gjykata e Lartë. Pas dënimit të Koçi Xoxes, Mahmudi u lirua nga burgu dhe u stabilizua me punë në Spitalin Civil. Po kështu një goditje tjetër nga regjimi komunist, ishte dhe vdekja tragjike e vajzës së tezes sonë, Hatlie Tafani, e cila u hodh nga ballkonin i Hetuesisë (ish-Muzeu i Luftës në Rrugën e Barrikadave). Hatlia kishte qenë partizane dhe në vitin 1946, e caktuan si sekretare në Ambasadën tonë në Beograd. Ajo nuk pranoi të shkonte, duke u thënë se nuk kishte arsimin e nevojshëm për këtë detyrë dhe se ishte e pamartuar. Pas refuzimit, atë e arrestuan dhe duke mos i duruar dot torturat, u hodh nga ballkoni i Hetuesisë duke i dhënë fund jetës. Ndërsa në vitin 1960-’61, me prishjen e marëdhënieve zyrtare me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të Lindjes, ku ne katër vëllezërit kishim kryer studimet e ishim diplomuar e ndjemë shumë atë gjë dhe na i shtoi më shumë pakënaqësitë, sepse ne ishim të martuar dhe garatë i kishim ruse e çeke”, kujton Muhamet Sallaku lidhur me peripecitë e para të familjes së tyre pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist.

Vëllezërit Sallaku, me bashkëshortet ruse e çeke

Pas vitit 1960-‘61, kur Enver Hoxha i shkëputi përfundimisht marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të Lindjes, pjesa më e madhe e atyre studentëve që kishin studiuar në këto vënde dhe ishin martuar atje, pas presioneve të shumta u detyruan dhe i ndanë bashkëshortet, të cilat u kthyen në vendët e tyre. Kjo ngjalli shumë pakënaqësi asokohe, sepse pjesa më e madhe e tyre mbetën dhe pa fëmijët, të cilët i morën gratë e tyre që u kthyen kryesisht në Bashkimin Sovjetik, Hungari, Poloni, Çeki dhe Rumani. Një nga këto familje që u prek nga kjo plagë, ishte dhe familja Sallaku, ku tre djemtë e saj ishin martuar me vajza të huaja. Lidhur me këtë Muhameti kujton:”Kur isha me studime në Bashkimin Sovjetik, unë njoha një vajzë moskovite të quajtur Nina, me të cilën u martova në Tiranë në vitin 1955 dhe ajo mbaroi vitin e fundit në Fakultetin e Mjeksisë këtu në Tiranë. Pas një viti ne u shtuam me një djalë, të cilin e quajtëm Fatos. Edhe dy vëllezërit e tjerë, Xhaviti e Nuriu, ishin martuar me vajza ruse dhe çeke. Xhaviti ishte martuar në Leningrad në vitin 1954 kur studionte dha e shoqja e tij quhej Irina Bubir, ndërsa Nuriu ishte martuar në Çekoskllovaki me një vajzë nga Praga, të quajtur Vllasta Faltisova. Vllasta ishte vajzë e vetme dhe Nuriu jetoi në shtëpinë e saj gjatë kohës që ndoqi studimet në Pragë”, kujton Muhameti peripecitë me të cilat u përball ai dhe dy vëllezërit e tjerë në vitin 1961, kur Tirana zyrtare prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe vëndet e tjera komuniste satelite të saj, në Evropën Lindore.

Ndarja e detyruar nga bashkëshortet, ruse dhe çeke

Aty nga fundi i vitit 1961, sipas direktivave të Komitetit Qëndror të PPSH-së, të gjithë ish-studentët që kishin studiuar në vëndet e Evropës Lindore dhe ishin martuar me vajza të huaja, i’u bë presion dhe i’u kërkuar që t’i divorconin ato. Pjesa më e madhe e tyre u ndanë me bashkëshortet e tyre dhe pse kishin fëmijë me to. Këtë “fat” e patën dhe vëllezërit Sallaku, të cilët ishin diplomuar në Bashkimin Sovjetik dhe Çeki. Lidhur me dramën e prishjes së familjeve të tyre, Muhamet Sallaku tregon:”Në fundin e vitit 1960-të, mua më thirrën në organizatën e Partisë ku bëja pjesë, e më kërkuan që të ndahesha nga bashkëshortja ime ruse, Nina, që ishim martuar në Tiranë në vitin 1955 dhe kishim një djalë nga kjo martesë. Unë kundërshtova në fillim ta bëja këtë ndarje, por presionet ishin të shumta dhe nuk kishte rrugë tjetër: ose të ndahesha ose të shkoja në burg. Pas mbarimit të vitit të fundit të Mjeksisë, Nina kishte punuar si mjeke në Tiranë dhe ishte aktivizuar me ekipin e Volejbollit të “Studenti”-t së bashku me shoqen e saj, mjeken e njohur, Dr. Rushen Golemi. Duke parë se nuk kishim rrugë tjetër, në fundin e 1960-ës, Nina mori djalin, Fatosin, dhe u larguan përfundimisht nga Shqipëria, duke vajtur në Bashkimin Sovjetik, në atdheun e saj. Ajo u largua për vazhdimin e studimeve pasuniversitare në Moskë, por ne ishim të qartë se nuk do të kishim mundësi të bashkoheshim sërish. Po kështu në atë kohë u nda dhe vëllai tjetër Nuriu, i cili ishte martuar kur ishte student në Pragë, me çeken, Vllasta Faltisova. Vllasta kishte ardhur vetëm një herë për pushime në Tiranë dhe pas presioneve që i’u bënë edhe Nuriut, ai nuk kishte mundësi që ta ftonte atë për të ardhur në Tiranë, ashtu siç i kishte premtuar Vllastavës. Ndryshe nga unë dhe Nuriu, vëllanë tjetër Xhavitin, e lejuan që ta mbante gruan e tij ruse, Irina Bubir, pasi ata kishin dy vajza të vogla binjake (Vera dhe Elena). Pas kësaj Irina punoi për shumë vite si topografe në Ministrinë e Ndërtimit”, kujton Muhameti lidhur me divorcin e tij dhe të dy vëllezërve, nga bashkëshortet e tyre me shtetësi të huaja.

Viti 1965, Nuriu dhe Abdullai, kapen në kufi…

Pas ndarjes së detyrueshme me gratë e tyre dhe prishjes së familjeve, vëllezërit Sallaku, iu shtua akoma më shumë urrejtja për rregjimin komunist të Enver Hoxhës. Lidhur me këtë fakt Muhameti kujton:”Prishjen e mardhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, e ndjemë së tepërmi unë me Xhavitin e Nuriun që kishim studiuar në këto vënde. Kjo ndodhte jo vetëm për shkak të formimit tonë me frymën liberale që kishte ndjekur Nikita Hrushov në ato vite që ne studiuam atje, por edhe për shkak se ne u ndamë nga bashkëshortet tona, ruse e çeke. Ndonëse vëllai ynë Hamdiu, në këtë kohë punonte si sekretar i Enver Hoxhës, ne shprehnim hapur pakënaqësitë, jo vetëm si vëllezër në familjen tonë, por edhe në rrethin shoqëror. Të gjitha këto drama që përjetuam ne si vëllezër, i detyruan Nuriun dhe Abdullain që në atë kohë punonte si gazetar në Radio-Tirana, të merrnin rrugën drejt kufirit për t’u arratisur jashtë Shqipërisë. Plani i arratisjes së tyre e dija vetëm unë, pasi në fillim ne ramë dakort që të arratisesha dhe unë së bashku me ta. Por më pas, plani ndryshoi, se ata m’u lutën që unë të rrija me prindërit në shtëpi. Dulla me Nuriun u kapën në kufi në afërsi të klonit në zonën e Pogradecit, së bashku me shokët e tyre: Astrit Muça, Nevruz Serezi, Muhamet Kosovrasti dhe dy të tjerë që s’ua kujtoj dot emrat. Kapja dhe arrestimi i tyre ndodhi teksa ata u kthyen të merrnin Nuriun që nuk po ecte dot se i kishin rënë syzet. Gjyqi i tyre u zhvillua në fundin e vitit 1965 në Tiranë dhe aty Abdullai mbajti një qëndrim shumë të ashpër, duke thënë se: regjimi komunist i Tiranës po mbahej me dhunë dhe prepotencën e udhëheqjes së lartë ku mbizotëronte injoranca. Kur iu kërkua të jepte shpjegime për dhunën, Dulla tha: ‘Për të mos shkuar më larg, po ju them se ju po vrisni ish-shokët tuaj partizanë që keni luftuar bashkë’. Ndërsa Nuriu mbajti qëndrim më të butë dhe nuk u fut në politik, por deklaroi se kishte dashur të arratisej për t’u bashkuar me gruan në Pragë. Dulla u dënua në fillim me vdekje, por më pas, dënimi iu zbrit në 18 vite burg, kurse Nuriu u dënua me 16 vite burg. Pas arrestimit dhe dënimit të vëllezërve, ne na erdhën në shtëpi për kontroll njerëzit e Sigurimit Shtetit, të cilët pasi na sekuestruan disa dokumenta, na bënë presion që ne t’i mohonim vëllezërit tanë që ishin në burg. Ne nuk pranuam të mohonim vëllezërit, me përjashtim të Hmdiut që në atë kohë punonte sekretar i Enver Hoxhës dhe ishte i detyruar e veproi ashtu siç e urdhëruan. Kur ndodhi arrestimi i Dullës e Nuriut, Hmdiu që ishte Sekretar i Organizatës së Partisë në Komitetin Qëndror të PPSH-së, u ngrit në mbledhje e u tha se nuk mund të punonte më në atë detyrë me dy vëllezër të burgosur, pasi populli do fliste. Por ndonëse Enver Hoxha donte ta mbante duke thënë se çdo njeri kishte kokën e tij mbi supe, Hamdiu nuk pranoi të punonte. Pas kësaj atë e çuan në gazetën “Zëri i Popullit” dhe më pas në gazetën lokale “Adriatiku” të Durrësit”, kujton Muhameti lidhur me dënimin e dy vëllezërve të tij që tentuan të arratiseshin.

Viti 1976, vdekja e Xhavitit në qeli

Ndërsa Nuriu dhe Abdullai vuanin dënimin në burgjet e regjimit komunist si “armiq të popullit”, Hamdiu punonte gazetar i “Zërit të Popullit”, Xhaviti si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, kurse Muhameti si inxhinier në Uzinën Mekanike-Gjeologjike në Tiranë. Ndonëse regjimi komunist dukej sikur ishte “larë” me vëllezërit Sallaku, duke i dhënë gjithësecilit hakun e merituar, “pakti” në mes tyre doli i rremë, pasi në vitin 1976 u arrestua vëllai tjetër Xhaviti. Lidhur me këtë, Muhamet tregon:”Pas dënimit të Abdullait dhe Nuriut, Xhavitin e hoqën nga Komitet Ekzekutiv i Tiranës ku ishte nënkryetar i Abdyl Këllezit dhe pasi e dërguan disa kohë në Kombinatin e Tekstileve në Berat, e sollën në Ministrinë e Ndertimit. Aty i erdhi dhe emërimi Drejtor i Ndërtim- Montimeve të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh. Xhaviti punoi me përkushtim në atë kantier të madh deri në vitin 1976, kur e arrestuan duke e akuzuar si “agjent dhe bashkëpunëtor të Abdyl Këllezit dhe Grupit të Sabotatorëve në Ekonomi”. Pas arrestimit të tij, gruan ruse Irina Bubir së bashku me dy vajzat binjake që i përjashtuan nga Universiteti, i internuan në fshatin Shqezë të Fierit. Ato nuk i linin të takoheshin me të jatin Xhavitin, i cili vdiq në Hetuesi nga torturat, pas katër muajve nga dita e arrestimit. Ne sin familje nuk e mësuam kurrë të vërtetën e vdekjes së tij në qeli. Pas internimit të gjatë në fshatrat e Fierit, në vitin 1988, gruaja e Xhavitit, Irina, së bashku me dy vajzat binjake, i bëri një kërkesë Kuvëndit Popullor dhe Ramiz Alisë që t’i kthenin nënshtetësinë ruse dhe ta lejonin të largohej nga Shqipëria për në Bashkimin Sovjetik. Kërkesa e saj u miratua brënda 24 orësh dhe menjëherë Irina me dy vajzat (Vera dhe Elena) u larguan nga Shqipëria dhe u vendosën në Leningrad”, kujton Muhameti për vdekjen tragjike në qelitë e Sigurimit të Shtetit, të vëlalit të tij, Xhavitit.

Takimi me bashkëshortet pas 30 vitesh

Pas vdekjes tragjike të Xhavit Sallakut në qelitë e errta të Sigurimit të Shtetit, dy vëllezërit e tjerë, Nuriu me Abdullain, vazhdonin të vuanin dënimin në burgjet e regjimit komunist. Lidhur me këtë, Muhameti kujton: “Pas vdekjes së Xhavitit, e gjithë barra për t’u kujdesur për dy vëllezërit e burgosur më ra mua. Unë bashkë me nënën i mbaja lidhjet me vëllezërit e burgosur dhe sipas mundësive ekonomike shkoja për t’i takuar në kampet ku vuanin dënimet. Abdullai e kreu të gjithë dënimin duke vuajtur 25 vite në Burgun e Burrelit, kurse Nuriu bëri 24 vjet e tetë muaj. Në korrikun e vitit 1990 kur u hapën Ambasadat, Abdullai u fut në ambasadën gjermane dhe mundi që të shkonte në Gjermani. Atje ai u martua me një shqiptare dhe krijoi familjen e tij ku jeton edhe sot me statusin e emigrantit politik. Kurse vëllai tjetër, Nuriu, u largua nga Shqipëria dy-tre vjet pas Abdullait dhe shkoi në Pragë ku u takua me ish-gruan e tij Vllastën. Ajo ishte martuar pasi kishte humbur shpresat se një ditë do të takohej me burrin e saj Shqiptar. Vllasta ndëryhri dhe e martoi Nuriun me një të afërmen e saj dhe dy familjet e tyre jetojnë në Pragë. Po kështu edhe unë pas viteve 90-të, nëpërmjet gruas së Xhavitit, Irinës që kishte shkuar në Bashkimin Sovjetik që në 1988-ën, u lidha me ish-gruan time Ninën. Pasi komunikuam në telefon, në vitin 1993 unë shkova në Moskë dhe u takova me Ninën dhe djalin Fatosin, me të cilin isha ndarë kur ai ishte vetëm katër vjeç dhe e takova kur ai ishte 36 vjeç. Nina, pas studimeve pasuniversitare që kishte mbaruar në Moskë, kishte punuar si mjeke, ndërsa Fatosi, im bir, ishte diplomuar në Ekonomi dhe merrej me biznes. Ndonëse edhe unë isha martuar, vazhdoj të kem kontakte në telefon me ish-gruan time ruse dhe tim bir Fatosin. Irina Bubir gruaja e vëllait, Xhavitit, me dy vajzat Verën dhe Elenën kanë vendosur dhe do të vinë të jetojnë përgjithmonë në Shqipëri. Ato kanë marrë këtë vendim në shenjë kujtimi për babanë e tyre, që shteti shqiptar akoma nuk i’a ka gjetur eshtrat”, përfundon Muhamet Sallaku historinë e tragjike të familjes së tij.

Familja tiranase Sallaku dhe i pari i tyre, Ymeri, që hapi Bankën Buqësore në Tiranë në vitin 1908

Familja Sallaku është me origjinë tiranase autoktonë dhe deri në vitin 1933 ata kanë banuar në një shtëpi që ndodhej diku në një rrugicë të ngushtë në afërsi të Shkollës “Nana Mbretneshë”, aty ku sot fillon Rruga “Punëtorët e Rilindjes”. Gjyshi i vëllezërve Sallaku, quhej Mahmut dhe pas kthimit nga Turqia ku ai mbaroi një shkollë Pedagogjike, shërbeu si mësues privat pranë familjes së madhe, Toptani, duke u mësuar fëmijet e tyre. Nga miqësia e madhe që krijoi Mahmut Sallaku me Toptanasit dhe në shenjë mirënjohje për ndihmën e madhe që ai kishte dhënë duke u mësuar fëmijëve të tyre shkrim e këndim, ata i morën djalin e tij, Ymerin (babai i vëllezërve Sallaku), të cilin e rritën e i dhanë shtëpi në sarajet e tyre, ku dhe ai u martua e krijoi familjen. Nën kujdesin e Toptanasve, Ymer Sallaku në vitin 1908 mbaroi shkollën Qytetase në gjuhën turke dhe në atë vit së bashku me Ibrahim Hafiz Dalliun, ai filloi të jepte fshehurazi mësime në gjuhën shqipe në familjet tiranase. Pas vitit 1908, Ymer Sallaku së bashku me Refik dhe Murat Toptanin, i bënë një kërkesë Portës së Lartë të Stambollit, që një përqindje nga taksat që u vileshin fshatarëve, të ruheshin dhe të depozitoheshin në një Bankë Bujqësore, që ata merrnin përsipër ta krijonin në Shqipëri. Kjo kërkse e tyre u pranua nga qeveria tuke dhe në atë kohë, Ymer Sallaku, krahas mësimëdhënies së gjuhës shqipe të cilën e vazhdoi për shumë vjet me rradhë, u muarr dhe themeloi të parën Bankë Bujqësore në Shqipëri. Ajo bankë bujqësore të cilën Ymeri e themeloi vetë dhe punoi për disa vjet si titullar i saj, pas vitit 1920, u transformua në Bankën Kombëtare të Shtetit Shqiptar. Pas vdekjes së gruas së parë me të cilën Ymeri pati tre fëmijë, ai u martua përsëri me një vajzë nga Paskuqani (e bija e Haxhi Kurtit) dhe nga ajo martesë, ai pati pesë djem dhe dy vajza: Ikbali (dt. 1924), Hamdiu (1925), Nuriu (1927), Xhaviti (1929), Muhameti (1931), (Mahmudia) 1933, Abdullai (1936). Pas shpalljes së Mbretërisë Shqiptare në vitin 1928, Mbreti Zog e emëroi Ymer Sallakun në funksionin e Kryetarit të Këshillit Kontrollues të Buxhetit të Shtetit, ku ai merrej edhe me caktimin e kontrollin e rrogave të zyrtarëve të lartë. Në atë funksion Ymeri punoi deri sa doli në pension në vitin 1933 dhe gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk u morr asnjëherë me politikë, me përjashtim të fundit të vitit 1912-të, kur miku i tij i ngushtë, Refik Toptani, e caktoi për të formuluar komunikatat e ndryshme të qeverisë së Ismail Qemalit. Po kështu pas shpalljes së Pavarsisë, Ymeri morri pjesë në Luftën e Reçit në rrethinat e Shkodrës, kur shkuan qindra vullnetarë tiranas. Gjatë viteve të Luftës, (1939-1844) shtëpia e Ymer Sallakut e cila ndodhet edhe sot tek “Selvija”, (u ble prej tij në vitin 1931), u bë një nga bazat e rëndësishme të komunistëve, ku strehoeshin ilegalë e mblidheshin ndihmat për partizanët. Tre nga vëllezërit Sallaku, (Hamdiu, Nuriu dhe Mahmudi), dolën partizanë. Hamdiu punoi me shtypin e propagandën e Partisë Komuniste Shqiptare, Mahmudi në çetën e Dajtit, Nuriu në Brigadën e Tretë Sulmuese, kurse Muhameti u muar me grupet e DEBATIK-ut. Si rezultat i kontributit që ajo familja dha gjatë Luftës, të pesë vëllezërit dhe dy motrat Sallaku, u shkolluan dhe u diplomuan në universitetet brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pas Luftës, motra e madhe, Ikbali, punoi si arsimtare, Mahmudi, (djali i Imerit me gruan e parë), punoi në seksionin Ekonomik të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, kurse Hamdiu, Xhaviti dhe Muhameti, vazhduan studimet e larta në ish-Bashkimin Sovjetik. Hamdiu u diplomua në vitin 1954 në Fakultetin Filologjik të Universitetit “Lomonosov”, Xhaviti (po në vitin 1954), në Leningrad, për Inxhineri Ndërtimi dhe Muhameti në vitin 1955, në Institutin e Naftës në Moskë. Pas tyre në vitin 1957, Nuriu shkoi në Pragë ku u studioi për mjekësi dhe pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet e kampit Socialist, ai erdhi dhe u diplomua në Tiranë në vitin 1962. I vetmi nga vëllezërit që studioi në Tiranë, ishte më i vogli i tyre, Abdullai, i cili u diplomua në Fakultetin Filologjik të Tiranës, për gazetari në vitin 1959. Pasi u diplomuan në shkollat e larta, Hamdiu u emërua si sekretar i Enver Hoxhës (në zyrën e letrave), Nuriu si mjek në spitalin civil, Xhaviti në ministrinë e Ndërtimit, Muhameti në Uzinën Gjeologjikë në Tiranë dhe Abdullai si gazetar në Agjensinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio-Tirana. Pas dënimit të Nuriut dhe Abdullaiot në vitin 1965, në vitin 1976 u arrestua dhe Xhaviti (ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, që punonte si kryeinxhinier i Ndërtim-Montimit të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, i akuzuar si “agjent dhe bashkëpunëtor i Abdyl Këllezit në grupin e sabotatorëve në Ekonomi”. Xhaviti vdiq nga torturat gjatë hetuesisë në majin e vitit 1977, kurse bashkëshortja e tij, (rusja Irina Bybir), me dy vajzat u internuan në Sheq-Marinë të Fierit. Ndërsa Nuriu me Abdullain, vuajtën nga 25 vite në burgjet e regjimit dhe u liruan në vitin 1989-1990, e gjithë fanmilja e tyre (përveç Hamdiut), vuajti izolimin dhe luftën e tmerrshme të klasave./Memorie.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë e mbante në këmbë diktaturën e tij?

10 misteret që Enver Hoxha i mori me vete

Nga Franca në burgun e Burrelit

Avokatja që fshinte natën rrugët e Tiranës