Mbreti Viktor Emanuel gjatë vizitës së tij në Shqipëri (1941) pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, viziton objeket e kultit të tre feve kryesore në vend.
Në foto pritet në katedralen ortodokse nga Kryepshkop Kristofor Kisi.
Kur Italia pushtoi Shqipërinë, Atë Kisi, loboi të bënte fakt të kryer atë që ndodh edhe sot me arbëreshët e Kalabrisë dhe Siçilisë, pra një rit bizantin ortodoks i riteve fetare, por një lidhje vertikale me Vatikanin, çka konsiderohej si më mirë se me Patriakanën.
Kryehirësia e tij, Imzot Kristofor Kisi, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, lindi në vitin 1890 në lagjen Kala të Beratit. i prirë për jetën shpirtërore, iu kushtua studimeve fetare. Ato i kurorëzoi me mbarimin e shkollës së lartë Theologjike të Halkit (Hejbeli) të Stambollit, më 1908.
Së bashku me episkop Jerotheun, me origjinë nga Përmeti, i dërguar edhe ky më parë si Eksark nga Patrikana Ekumenike, më 21 nëntor 1923 hirotonisën në episkop atë Fan Nolin, në kishën e Shën Gjergjit në Korçë.
Në vitin 1929 tërhiqet në manastir, për të mos marrë pjesë në veprimet anti kanonike që po kryheshin. Pas dorëheqjes së Imzot Visarion Xhuvanit, më 29 maj 1936, Imzot Kristofori pranon të vihet në krye të atyre që donin që Autoqefalia e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë të njihej kanonikisht.
Për shumë vjet në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Kristofori dha një kontribut tepër të madh për ruajtjen dhe zhvillimin e Orthodhoksisë në vendin tonë. Kështu, në vitin 1942 Kryepiskop Kristofor Kisi u thirr në Luogotenencë nga mëkëmbësi i ish-mbretit Viktor Emanuel i III, Jakomoni. Ai i bëri presion që në vendet episkopale, deri atëherë vakante, të emëroheshin në krye të hierarkisë orthodhokse të Shqipërisë episkopë unitë nga Kalabria, të cilët vareshin nga Papa, në përpjekje për ta kthyer gjithë Kishën tonë në unite. Këtë propozim Kryepiskopi Kristofor Kissi nuk e pranoi dhe thirri menjëherë teologun Ilia Banushi, që kishte mbaruar studimet teologjike në Beograd, i cili pranoi të hirotoniset, duke marrë emrin Irine dhe titullin Episkop i Apollonisë. Hirotonisja e tij Episkop u bë në manastirin e Shën Naunit në rrethin e Pogradecit, i cili në atë kohë ishte nën administrimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.