MENU
klinika

Përplasja e radhës Kurti-Mustafa

LDK do heqjen e plotë të taksës

08.03.2020 - 15:11

Kryeministri Albin Kurti nuk po arrin të çojë në Qeveri vendimin për heqjen graduale të taksës pasi LDK po i kërkon heqjen e tërësishme të saj siç po kërkojnë amerikanët.

Albin Kurti nuk po mund ta shndërrojë në vendim zotimin e tij publik se do ta heqë taksën fillimisht pjesërisht dhe prej 1 prillit krejtësisht. Kjo për shkak LDK’ja ka refuzuar të votojë propozimin e Kurtit për heqjen e pjesshme të taksës. Partia e Isa Mustafës po i kërkon heqjen e taksës si po kërkojnë amerikanët prej ditës së parë kur kanë filluar punën në Qeveri. Për këtë arsye, Kurti ende s’e ka nxjerr për votim propozimin e tij për heqjen graduale të taksës.

“Kryeministri s’është konsultuar me LDK’në kur e ka marrë qëndrimin publik. LDK s’pranon të votojë asnjë propozim që s’është në të njëjtën linjë me amerikanët”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK’së. Isa Mustafa në intervistën e fundit e pranoi se kanë dallime me Vetëvendosjen në qeverisjen e brendshme ndërsa ka thënë se janë krejtësisht të koordinuar në politikën e jashtme.

Në programin e miratuar në Qeveri, VV e LDK parashohin se do të angazhohen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut dhe në frymën e parimit të reciprocitetit, e se dialogu do të zhvillohet për çështjet e raporteve dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu edhe çështjen e të pagjeturve, reparacioneve të luftës e okupimit, etj.

Richard Grenell, i Deleguar Special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, është përfshirë në një debat gati të për çdoditshëm me Kryeministrin Albin Kurtin për heqjen e taksës. Grenell po kërcënon me masa ekonomike ndaj Kosovës nëse udhëheqësit kosovarë vazhdojnë të mos përfillin kërkesat amerikane. Albin Kurti ka premtuar se nga 1 prilli do ta largojë taksën 100 për qind kurse nga 15 marsi vetëm për lëndën e parë.