Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se vendi i tij do të përgjigjet ashpër, nëse sulmohen pikat ushtarake turke në Idlib të Sirisë.
“Turqia do të bëjë më shumë sesa hakmarrje, nëse pikat vëzhguese të saj në Idlib vihen në shënjestër”, tha Erdogani gjatë një takimi me udhëheqësit e partisë që e udhëheq.
Turqia e filloi operacionin “Mburoja e Pranverës” më 27 shkurt pas vrasjes së 34 ushtarëve turq nga forcat qeveritare siriane dhe pas shkeljeve të përsëritura të armëpushimit, shkruan “Anadolu”.
“Jemi duke i përcjellë zhvillimet e regjimit të Asadit dhe militantëve aleatë afër vijave të armëpushimit”, tha kreu i shtetit turk, duke shtuar se Turqia do ta respektojë armëpushimin për aq kohë sa një gjë të tillë e bën edhe pala tjetër.
Ai gjithashtu foli për rastin e parë të koronavirusit. “Shpresojmë që Turqia do të dalë nga kjo gjendje pa ndonjë pasojë. Kjo është dëshira jonë. Asnjë virus nuk është më i fuqishëm se masat tona”, tha Erdogan.
Turqia nuk është “më në gjendje të mbajë refugjatë” pas një sulmi sirian që vrau 33 ushtarë në Idlib, tha të premten Omer Celik, një zëdhënës i partisë në pushtet AKP të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Një zëdhënës i agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara tha të premten se nuk kishte informacione për njerëz në Turqi që ecin drejt Greqisë ose pjesëve të tjera të Evropës.
BE gjithashtu ka shprehur dyshim për fluksin e refugjatëve, të raportuar nga disa media. “Unë do të doja të theksoja se nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga pala turke për ndonjë ndryshim në politikën e azilkërkimit, për refugjatët ose për politikën ndaj migrantëve”, tha një zëdhënës i ekzekutivit të BE-së në një konferencë shtypi.
“Ne nuk kemi marrë asnjë informacion për këtë. Ne nuk kemi raporte për një lëvizje të dukshme drejt kufijve”, tha zëdhënësi i UNHCR Babar Baloch në një konferencë shtypi në Gjenevë.
Agjensia e lajmeve Demiroren tha se grupi i migrantëve, përfshirë gra dhe fëmijë, e nisën në udhëtimin e tyre nga provinca Edirne e Turqisë drejt kufijve me Bullgarinë dhe Greqinë, dy shtete të Bashkimit Evropian, rreth mesnatës.
Në pritje të migrantëve, Greqia ka rritur patrullimet kufitare “në nivelin maksimal të mundshëm”, sipas Agjencisë France Presse (AFP). Greqia rriti praninë e saj ushtarake përgjatë kufirit turk në fillim të këtij muaji.
Qeveria po përpiqet të instalojë një barrierë lundruese në Detin Egje, për të ndaluar ardhjen e migrantëve. Bullgaria është gjithashtu e gatshme të dërgojë 1000 ushtarë në kufirin turk, për të parandaluar fluksin e paligjshëm të migrantëve, tha ministri i Mbrojtjes. Ky shtet anëtar i BE ka një kufi tokësor prej 300 km me Turqinë.