MENU
klinika

Në 1 vit pakësim me 16 mijë e 472 vetë

INSTAT: Popullsi rezidente në Shqipëri, 2 mln e 845 mijë e 955

26.03.2020 - 13:11

Popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2020 rezulton në 2.845.955 banorë duke pësuar një rënie me 0,6 %, krahasuar me 1 Janarin e vitit 2019, njoftoi Instituti i Statistikave. Popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2019, rezultoi në 2.862.427 banorë, pra në një vit popullsia rezidente e vendit është pakësuar me 16.472 vetë.

Gjatë vitit 2019, lindën 28.561 foshnja, duke pësuar një rënie prej 1,3 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2019 është 21.937 persona, duke patur një rritje prej 0,6 %, krahasuar me një vit më parë. Kështu, gjatë vitit 2019, shtesa natyrore e popullsisë është 6.624 banorë (Lindje-Vdekje), duke pësuar një rënie prej 7,1 %, krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, largimi i qytetarëve nga vendi sërish ka qenë faktor që ka ndikuar në pakësimin e rezidentëve. Gjatë nëj viti migracioni neto (raporti Imigrantë-Emigrantë) është -23.082 banorë, pra janë larguar mëse 23 mijë shqiptarë më shumë se sa janë kthyer.

Në 1 janar 2020 mosha mesatare e popullsisë rezulton 37,2 vjeç nga 36,7 që ishte në 1 janar 2019, konstaton INSTAT. Në 1 janar 2020 raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç ka shënuar rënie në krahasim me 1 janar 2019, nga 25,1 % në 24,6 %, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve ka pësuar rritje, nga 20,5 % në 21,6 % gjatë të njëjtës periudhë.

Në vitin 2019, numri i emigrantëve është 43.835 persona, duke pësuar një rritje prej 13,3 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i të kthyerve në 2019 është 20.753 persona, duke pësuar një rënie prej 12,3 %, krahasuar me një vit më parë. Në 1 Janar 2020, Tirana zë rreth 31,8 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, duke u ndjekur më pas nga Durrësi dhe Fieri me nga 10,2 % secili.