Përshkrimi dhe dokumentimi me harta i bregdetit shqiptar dhe grek është nga dokumentimet më të hershme në historinë e hartografisë. Zakonisht është skicuar bregdeti pasi ai bënte pjesë në zotërimet e Republikës së Shën Markut, Venedikut dhe më pak brendësia kontinentale e zonave të brendshme të Shqipërisë.
Gjatë kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës (1788-1822), pashallëku i tij dhe një pjesë e madhe e territoreve shqiptare u vizituan, pikturuan dhe skicuan nga një pjesë e madhe udhëtarësh, diplomatësh dhe agjentëve diplomatikë që rizbuluan Lindjen e Afërme dhe e pasqyruan atë në botime të shumta në Perëndim. Mes skicimeve, hartave dhe pikturave të bien në sy, dy harta të rëndësishme të realizuara nga britanikët, që pas shfaqjes së trupave franceze në Dalmaci dhe Ishujt Jonianë në 1798, filluan ta përforcojnë praninë e tyre në këto territore.
Harta e parë është një hartë nga Arkivi Mbretëror Britanik ku tregohen Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia. Vija e ndërprerë me të kuqe tregon kufijtë e Pashallëkut të Janinës, zotërimet e Ali Pashë Tepelenës dhe dy bijve të tij. Pashallëkut i Janinës sipas Aravatinoit kishte një shtrirje,që shkonte pak më në jug të Durrësit, vazhdonte në lindje pak më në veri të Ohrit, duke zbritur për në jug dhe duke përfshirë Follorinën, Verien, gjysmën e ishullit Eubea, si dhe duke lënë jashtë Thivën dhe Athinën, por duke përfshirë gjithë Morenë dhe tërësisht bregdetin Egjean, Jonian dhe të Adriatikut të këtyre territoreve (Shih për më tepër Aravantinus. S. (2000) Ali pasha Tepelenliu. Athina :Dodoni,harta faqe 64.)
Sipas studiueses Flemming, çështja e prejardhjes territoriale luante të paktën në mënyrë indirekte, rolin e bashkuesit për grupimet e ndryshme protonacioanaliste që vepronin në rajon, dhe përkatësia etnike përcaktohej kryesisht jo nga biologjia, nga besimi fetar apo gjuha por edhe nga gjeografia. Prejardhja historiko-gjeografike luante rolin thelbësor në përcaktimin e identitetit, si ai që secili i atribuonte vetvetes dhe që të tjerët i atribuonin (Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman. Tiranë. Dituria:2002,faqe 85).
Ali Pasha Tepelena ishte i ndërgjegjshëm për konceptin gjeografik që përfshinte emrin Shqipëri. Sipas Likut ai e përshkruante atë si një vend që mund të përshkohet me 200 orë rrugë në gjatësi në njërën gjysmë të së cilës mbizotëron ndikimi i tij, ndërsa pjesa që mbetet është e ndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet Ibrahim Pashës së Beratit dhe Ibrahim Pashës së Shkodrës.( William Martin Lik. “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Migjeni. Tiranë:2008,faqe 57).
Ekzistenca e kësaj harte së bashku me hartën e dytë që është harta e Shqipërisë të botuar në librin e John Cam Hobhouse, Lord Broughton (27 June 1786 – 3 June 1869), A Journey through Albania, and other provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople, during the years 1809 and 1810 … Second Edition, vols Ι-II, London, James Cawthorn, 1813, dëshmon se Shqipëria dhe shtrirja e saj etnike njihej mirë në fillim të shekullit të XIX në Londër.
Në vitin 1813, kur ende nuk kishin mbaruar luftërat evropiane të shkaktuara nga rritja e fuqisë së Francës, përmes gjeniut të vet ushtarak dhe shtetformues, Napolon Bonapartit, roli i Ali Pashës si një aleat i qëndrueshëm i Anglisë në rajon, ishte përforcuar aq shumë, sa shpesh herë qëndrime, sfidante ndaj Portës së Lartë, ishin anashkaluar pa zhurmë nga Divani Perandorak, si pasojë e presionit dhe trysnisë që ushtronte ambasadori anglez në Stamboll. Kontakti i parë i Ali Pashës me britanikët daton në vitin 1803, kur ai iu drejtua ambasadorit britanik në Stamboll, William Hamilton, me një letër ku i propozonte bashkëpunim të ngushtë kundër Francës, duke i prezantuar një listë ofertash dhe në të njëjtën kohë vendosjen e një konsullate të përhershme britanike në Janinë. (Demir. I (December 2007). Tepedenli Ali Pasha and the west: A history of his relations with France and Great Britain 1798-1820. Master Thesis. Department of History, Bilkent University, Ankara. Faqe 77) Që nga ky moment do të fillonte një itensifikim i marrëdhënieve diplomatike midis dy palëve, ku anglezët do të ecnin me shumë kujdes pa u angazhuar drejtpërsëdrejti në premtime të mëdha, edhe pse ofertat e Ali Pashës ishin shumë bujare, duke përfshirë furnizimet me lëndë drusore, ujë, ushqime, bagëti, kuaj dhe përdorimin e porteve të tij në Adriatik për përdorim ushtarak dhe civil.( Beggally John (1937) Ali Pasha and Great Britain. Oxford University Press fq 84).
Në momentet e para shqetësimi kryesor i anglezëve ishte ta përdornin Ali Pashën si mburojë ndaj penetrimit francez në Greqi pa reflektuar dhe dhënë një patronazh të veçantë mbi të.(Demir. I (December 2007). Tepedenli Ali Pasha and the west: A history of his relations with France and Great Britain 1798-1820. Master Thesis. Department of History, Bilkent University, Ankara. Faqe 78)
Të dyja palët do të ecnin me shumë kujdes në marrëdhëniet diplomatike midis tyre, derisa do të vinte Paqja e Tilsitit më 1807, ku anglezët do të ishin shumë më të interesuar për vazhdimësinë e Perandorisë Otomane dhe jo për disintegritetin e saj.
Në bisedimet që do të zhvilloheshin midis Majorit Leak, përfaqësuesit specialë të qeverisë britanike në Janinë dhe Seyid Ahmet Efendiut, agjentit të akredituar në Londër të Ali Pashë Tepelenës, pala angleze e shmangu diskutimin rreth pavarësisë së Ali Pashës, që ishte nënkuptuar në bisedimet e mëparshme. Në të kundërt, pas diskutimeve që ishin fokusuar mbi të ardhmen e Pargës dhe mbështetjes, që Ali Pasha do t’u jepte britanikëve, nga ana e këtyre të fundit iu afrua një skemë e një mbretërie të pavarur Greko-Shqiptare. Në këtë mënyrë Anglia e rriste misionin e Pashait, duke identifikuar Revolucionin Grek dhe përpjekjet e tij për pavarësi pothuajse identike.
Duke u mbështetur në autoritetin e pashait Tepelenas dhe organizmin e Pashallëkut, i cili gëzonte një lloj pavarësie ‘de facto’, do të ishte më pak e rrezikshme dhe e lodhshme për britanikët për të arritur pavarësinë e grekëve. Në një moment, që revolucioni do të ndodhte, do të ishte më pak e kushtueshme për ta rrëzuar këtë tiran shqiptar, sesa të përfshiheshin në aktivitete revolucionare, pa një mbështetje të fuqishme nga brenda sistemit otoman. Në përputhje më këtë lloj politike, britanikët shfaqën projektet e ashtuquajtura të tyre rreth Shqipërisë, Seid Ahmetit, duke i përmendur mundësinë e kësaj mbretërie nën sovranitetin e Ali Pashës, ku të gjithë Ishujt Jonianë do t’i dhuroheshin të paktën me një konditë, duke i siguruar Britanisë disa privilegje tregtare dhe përdorimin e portit të Panormos.( Beggally John (1937) Ali Pasha and Great Britain. Oxford University Press fq,68).
Pavarësisht faktit se politika britanike do të ndryshonte në rajon në varësi dhe të ngjarjeve ndërkombëtare, ku një rol të madh do të luante Koncerti Evropian i Fuqive të Mëdha Evropiane, i arritur në Kongresin e Vienës, mbështetja britanike do të ishte e madhe te Porta e Lartë, deri në negociatat për cedimin e Pargës në 1818.
Një rast i tillë i paprecedent ishte uzurpimi i Pashallëkut të Beratit në 1809 dhe mbajtja rob e Ibrahim Pashë Vlorës, përfaqësues i një prej familjeve më fisnike të Shqipërisë së asaj kohe dhe mbështetja diplomatike, që i dha Britania e Madhe për të eliminuar komplotin francez të rrëzimit të tij nga pushteti, me anë të Lidhjes Shqiptare të promovuar dhe mbështetur nga francezët. Po kështu, në bazë të kësaj aleance dhe shërbimeve të bëra ndaj Perandorisë Britanike, në kohën e luftërave Napoloniane, Ali Pasha në kulmin e dobësisë së Perandorisë Otomane, ku ajo lëshonte vetëm territore në Europë dhe nuk ndërmerrte asnjë pushtim të ri, do të përfitonte qytetin e Pargës, për ta përfshirë brenda zotërimeve të veta. Kjo aleancë e fortë do të prishej në vitin 1818, ku Anglia pas zotërimeve që kishte marrë për të respektuar Aleancën e Shenjtë të Vjenës, nuk do t’i afronte më mbështetje Pashait Tepelenas dhe do ta braktiste në fatin e vet.
Një rol të rëndësishëm për të mos arritur një marrëveshje konkrete dhe finale midis Ali Pasha Tepelenës dhe Britanikëve, për sa i përket çështjes së dorëzimit të Pargës, ka qenë kundërshtimi i Robert Adair, ambasadorit fuqiplotë Britanik në Stamboll, i cili i gjeti kërkesat e Ali Pashës, shumë ekstravagante dhe të papranueshme. Megjithëse shumë herë ai nënvizonte naturën sine qua non të bashkëpunimit me Ali Pashën, kundër Francës dhe forcimin e tij përkundrejt rivalëve, ai gjithashtu sugjeronte kërkimin e mjeteve të tjera, manovrave diplomatike alternative të pavarura nga influenca e tij, pa dëmtuar marrëdheniet me të. (Demir. I (December 2007). Tepedenli Ali Pasha and the west: A history of his relations with France and Great Britain 1798-1820. Master Thesis. Department of History, Bilkent University, Ankara. faqe 84).
Siç duket qartë në hartën etnike shqiptare përfshihen shumë territore që sot janë jashtë kufijve kombëtarë dhe nëse një shekull më vonë në 1913, diplomacia evropiane do kish vepruar sipas realitetit në terren dhe jo sipas Realpolitikës, do të kishte një shtet shqiptar shumë më solid dhe më të qendrueshëm si faktor gjeografik, ekonomik e politik në rajon. Në hartë shikohet qartë përfshirja e territoreve në veri, si Lugina e Vardarit por edhe territore të konsiderueshme në jug, përfshirë Prevezën ku mbrriti Bajroni dhe Hobhouse-i në 1809 dhe gjirin e Artës.
Kjo e fundit sipas Dr Henri Holland ishte dalja kryesore për pjesën jugore të Shqipërisë, Dr Holland shkruante se në vitet 1820, artikujt kryesorë të eksportit nga ky gji ishin drithi, lënda drusore, vaji, duhani, pambuku dhe leshi. Eksportet e drithit, sipas tij, shkonin drejt Italisë, Ishujve Jonianë, Maltës e gjetkë. Pashai i Janinës zotëronte monopolin mbi shitjen e drithërave. Nga gjiri i Artës eksportohej gjithashtu lëndë drusore, për të cilën interesoheshin deri arsenalet e marinës në jug të Francës. Gjithnjë sipas Holland, nga Arta eksportoheshin sasira të konsiderueshme vaji, duhani, leshi e produktesh leshi, siç ishin gunat apo velenxat. (Dr.Henri Holland.”Mjek te Ali Pasha”.Shtëpia botuese: Migjeni : 2008).
Përmendja e emrit Shqipëri dhe shqiptar në Evropë, ishte padyshim meritë e zhvillimeve gjeopolitike dhe kulturore në Pashallëkun e Janinës. Merita e Ali Pashë Tepelenës si një drejtues i një etniteti shtetëror që përfshinte rreth 1.500.000 banorë të përbërë nga grupe të ndryshme etnike, është se ai nuk u gjend i papërgatitur për të përjetuar këto ndryshime, por në varësi të rrethanave dhe gjeopolitikës, megjithatë evoloi qëndrimet e veta politike, nga një shkollë administrative e politike, që e kishte përgatitur për të qenë një Pasha tradicional otoman, në një prijës makiavelik me tendenca moderniste të aftë për të krijuar shtetin e vet. Krahasimi i figurës së tij duhet të shtrihet në një rrafsh me prijësit e tjerë të lëvizjeve ballkanike, që tronditën pushtetin e Perandorisë Otomane në fillim të shekullit XIX. Pyetje të shumta duhen të ngrihen për të zbuluar më mirë figurën e tij në një rrafsh metodologjik që të përfshijë gjithë rajonin duke lënë mënjanë ditominë fetare të vlerësimit të figurave që ngjarjeve historike që jo radhë herë ka qenë mbizotërues në diskursin historik të studiuesve të huaj të kësaj epoke.
A ishte më shumë i shkolluar, më shumë humanist apo më pak gjaksor se Ali Pasha Tepelena, Millosh Obrenoviçi, tregtari i thjeshtë i derrave i shndërruar në princ pas revoltës së serbëve në 1815? A ishin prijësit e Revolucionit Grek me një mentalitet tjetër dhe të ndryshëm nga Ali Pasha Tepelena? Për çdo studiues serioz të historisë së Ballkanit është mëse e qartë se metodat, mënyrat dhe etika e kohës ishin të njëjta për të gjithë ballkanasit dhe vetëm rezultati pozitiv ose jo i tyre ka bërë diferencën në njohjen e vlerësimin e këtyre lëvizjeve dhe prijësve të tyre. Figura e Ali Pashë Tepelenës duhet të çlirohet nga paragjykimet kulturore, krahinore, fetare dhe politike dhe për t’ia rikthyer atë vlerësimit të drejtë të historisë.
Këndvështrimi i ftohtë dhe jo pasionant por sidomos studimi i jetës dhe veprës së Ali Pasha Tepelenës në kontekstin historik të epokës së tij mund të hedhin dritë mbi një nga etapat kalimtare të historisë së afërme tonë, pasi duke vepruar kështu, në fakt arrijmë që të vlerësojmë drejt një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së afërme të shqiptarëve, periudhës kur pas tre shekujsh shurdhërie, nën sundimin otoman, Shqipëria filloi të përmendej sërish në Evropë.
Bibliografi:
Libra:
1- Aravantinus. S. (2000) Ali pasha Tepelenliu. Athina :Dodoni
2- Beggally John (1937) Ali Pasha and Great Britain. Oxford University Press
3- Demir. I (December 2007). Tepedenli Ali Pasha and the west: A history of his relations with France and Great Britain 1798-1820. Master Thesis. Department of History, Bilkent University
4- Dr.Henri Holland.”Mjek te Ali Pasha”.Shtëpia botuese: Migjeni : 2008
5- Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman. Tiranë. Dituria:2002
6- William Martin Lik. “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Migjeni. Tiranë:2008
Harta:
1- Arkivi Mbretëror Britanik
2- Albania në A Journey through Albania, and other provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople, during the years 1809 and 1810 … Second Edition, vols Ι-II, London, James Cawthorn, 1813