MENU
klinika

Situatë kalimtare?

Rritet inflacionin, shtrenjtohen vetëm ushqimet

08.04.2020 - 11:59

Kriza e koronavirusit ka dhënë një efekt të menjëhershëm në rritjen e çmimeve të konsumit. Sipas të dhënave të Instat, për muajin mars inflacioni u rrit në 2.1%, nga 1.2% që kishte qenë për muajin shkurt. Kjo është hera e parë që nga gushti i vitit 2018 që inflacioni qëndron mbi intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Rritja e inflacionit ka ardhur e gjitha nga shtrenjtimi i ushqimeve. Për këtë grup inflacioni arriti në 4.6%, nga 1.9% që ishte në shkurt. Shpërthimi i epidemisë dhe karantina shkaktoi një kërcim të kërkesës për mallra konsumi gjatë muajit mars.

Nga ana tjetër, masat e shumta kufizuese të vendosura nga qeveria mund të kenë ndikuar ofertën për këto mallra; por,në një masë të madhe, rritja e çmimeve mund të ketë qenë spekulative. Gjatë muajit mars madje janë regjistruar edhe gjoba nga organet tatimore ndaj disa tregtarëve me shumicë të frutave dhe perimeve. Janë pikërisht këto produkte që dhanë ndikimin kryesor në rritjen e inflacionit të ushqimeve. Çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 24,3 %, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 8,2 %.

Mes grupeve të tjerë, nuk ka pasur rritje domethënëse çmimesh, me përjashtim të një shtrenjtimi të lehtë në çmimet e qirave. Ndërkohë, rënie të ndjehsme të ifnlacionit ka pësuar grupi transporti. Siç është vërejtur edhe nga konsumatorët, çmimet e karburanteve pësuan rënie muajin e kaluar, për shkak të uljes së çmimeve të naftës në tregjet botërore.

Rritja e inflacionit gjatë marsit ka shumë të ngjarë të jetë kalimtare dhe e diktuar nga masat e lidhura me COVID 19. Me stabilizimin e çmimeve të ushqimeve, ndoshta kjo rritje do të zbehet gjatë muajve në vijim.

Epidemia pritet të ketë një ndikim të ndjeshëm në ekonomi, çka do të ndikojë negativisht kërkesën e brendshme dhe do të bëjë që presionet për rritjen e çmimeve të qëndrojnë të dobëta. Mbështetur në këto pritshmëri, Banka e Shqipërisë vendosi në fund të muajit mars uljen e normës bazë të interesit në minimumin e ri historik prej 0.5%.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ahmetaj: Ja çfarë synon plani A i Ramë!

“Vetëm këtë muaj do humbasim 70 mln USD”

Më shumë falimentime se vrasje...

“Nuk është krizë shëndetësore, por ekonomike”