Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi sot ambasadorët e vendeve të Kuintit, përkatësisht SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, me të cilët bisedoi për zhvillimet e fundit në rajon, për çështjet e dialogut me Serbinë, INTERPOL-it, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe liberalizimit të vizave, njofton Zyra e Presidentit.
Në këtë takim, presidenti Thaçi tha se e mirëpret “përkrahjen unike të bashkësisë ndërkombëtare për dialogun dhe negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa paragjykuar apo kushtëzuar epilogun e tyre“.
“E mirëpres qëndrimin tuaj unik, se dialogu është rruga e vetme për të ecur drejt integrimeve euroatlantike dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Suksesi i këtij procesi varet nga uniteti politik në Kosovë, por në masë të konsiderueshme edhe nga uniteti i shteteve të Kuintit”, u shpreh Thaçi.
Presidenti Thaçi po ashtu tha se Kosova është afër finalizimit të procesit të anëtarësimit në INTERPOL, ndërsa për çështjen e liberalizimit të vizave tha se është e rëndësishme që të mos ketë vonesa në marrjen e “vendimit meritor për qytetarët e Kosovës”.
Zyra e Presidentit njofton se ka filluar procesi i përgatitjes së ndryshimeve në 3 ligje për zgjerimin e mandatit të FSK-së.
Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Pas votimit në Qeveri, procesi ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.