Nga Ben Andoni
Covid-19 i bëri një ndalesë të frikshme botës, pikërisht në momentet kur autorja jonë që po botohet post mortum do shpalosej me një dimension deri diku të panjohur për lexuesin shqiptar. E vendosur në numrin e radhës së “Milosao”, shkrimi si për një ironi të kohës, nuk mundi të botohej pikërisht ditën kur Shqipëria u fut në një karantinë pa fund.
Sadije Agolli nuk është se “u shqetësua” nga ky fakt, pasi prej pak kohësh nuk është mes vdekatarëve të zakonshëm, veçse fati i saj të sjell ndërmend atë sakrificë të shumë grave të vendit tonë, që njësoj si ajo u vetë-sakrifikuan ose më shumë, mbetën jashtë fokusit të vëmendjes, që e tërhoqën vazhdimisht kolegët e saj meshkuj. Por, Sadija dhe koleget e saj në sprovat e vështira të jetës, të mbijetesës artistike duket se e kishin bërë këtë pakt, fillimisht për t’u sakrifikuar por pa lënë pas krijimtarinë e tyre, si dëshmi e ekzistencës jo vetëm të talentit por edhe kërkesave të tyre për t’u identifikuar me artin e vërtetë të kohës.
Kolegia jonë e vjetër nuk është shumë e njohur mes më të rejave syresh apo dhe u la në harresë. Sadije Agolli ka qenë gazetare dhe redaktore për vite me radhë duke i dhënë një kontribut të madh publicistikës shqiptare, por edhe gazetarisë së kolegeve tona të dikurshme. Prania e saj aktive te gazeta “Mësuesi”, revista e njohur “Skena dhe Ekrani” dhe pak të tjera, na sjellin sot jo thjesht punën e saj, por edhe perceptimin femëror të kulturës shqiptare dhe mbi të gjitha identifikimin e barazisë së saj të plotë me kolegët mashkullorë. Pse u harruan shumë si ajo. Kjo është temë për historianët e gazetarisë, por ekziston një arsye:
Ndodh që brezat e ndryshëm kanë një mekanizëm mosmirënjohës, që e dikton edhe koha e harresës, që përkon në masë me gjeneratat tona. Është bash ajo koha, që sot prodhon antivlera duke i mohuar ashpër gjërat që u krijuan me aq mund në të shkuarën.
Zonja Agolli ishte një nga autoret e dekadave të shkuara kur vendi ynë nisi rrugën e mirëfilltë të modernizimit urban social ndaj duket se edhe shqetësimi më i madh në letërsinë e saj është një i tillë. Si një vajzë e rritur në qytet, ajo mundohet të rrëfejë më shumë brengën dhe shqetësimin që përcjell femra shqiptare, që po kapërcen në modernitetin e një shekulli aq sfidues por me kushtet e Shqipërisë. Fati i madh i të ndjerës është se kuratorja e saj kryesore, e bija Elona, ka përcjellë më së miri këtë lloj letërsie në një botim, duke i bërë një homazh me këtë rast jo vetëm të ëmës por edhe femrës shqiptare dhe punës së saj, luftës me paragjykimin por edhe rivalitetin e munguar me letërsinë e bërë nga kolegët meshkuj, që për hir të së vërtetës nuk është se i ndihën aq shumë koleget e tyre. Vetëm se në rastin e Sadijes mundimi është dyfish. Përballë ka hijen e të shoqit, njërit prej shkrimtarëve më të njohur të vendit, por njëkohësisht edhe nga me të kulturuarit, sa i përket kanoneve të letërsisë moderne. Kish mbaruar një nga universitetet më në zë të kohës dhe është në Olimpin e letërsisë vendase. Sfida tjetër është edhe më e madhe: stereotipi që përball i gjithë Realizimi Socialist. Femra e fortë shqiptare me shumë muskuj, e paepur dhe me zërin e fortë, gati mashkullor, që kërkon të drejta njësoj si kolegu mashkull. Ndoshta këtu duhet gjetur stepja normale e saj, që i mbajti me vite të tëra tregimet e saj të mbyllura në sirtar.
Vetëm se Sadija e tregimeve, që janë përmbledhur në këtë botim të fundit shumë interesant, nuk ka vetëm këtë stepje, por edhe atë ndjenjë tërheqje që e shoqëron femrën shqiptare, kur i drejtohet emancipimit. Ndaj ato subjektet e saj, të trajtuara me brishtësi dhe me këndvështrimin femëror, bëjnë një luftë pa zhurmë dhe me zë të këndshëm jo çjerrës, por me një forcë vullneti të pashoqe nën peshën e rëndë të tradicionit shqiptar.
Autorja ka qenë një gazetare e njohur e kulturës në vitet ’60 dhe kjo i dha mundësi të shikonte një periudhë kur celula bazë e shoqërisë shqiptare po dilte nga forma e rëndë e patriarkalitetit me zhvillimin urban të vetë shoqërisë së re vendase. Merita e saj është se mundohet të futet në këtë botë të re dhe ta perceptojë sesi po ndryshon por nga një këndvështrim i brishtë dhe shumë urban femëror. Asokohe ende femra shqiptare, përfaqësuar me shumë pak emra, po mundohet të futet në këtë botë që po ndryshon vrullshëm dhe Shqipëria po bën hapa shumë të mëdhenj krahasuar me të shkuarën. Puna është më e vështirë sepse ndryshimi bëhet para syve të të gjithë dhe është si i padukshëm krejt ndryshe nga zonat rurale, ku ndryshimi duket me sy të lirë, sepse është më së shumti material, për hir të propagandës por edhe revolucionit social.
Sadija tregimtare mundohet të futet thellë në qendrat urbane dhe të bëjë diferencat e saj përmes vëzhgimeve psikologjike, por duke shfrytëzuar dhe eksperiencën e saj dhe qytetit nga ka ardhur. Te “Sirtari i Komodinës mbeti i pandrequr”, “Vajzat e maturës C” etj., ajo përcjell të gjithë këtë sforcim aspak të lehtë për krijuesin e brezit të saj, duke parashtruar çështjet dhe pikëpyetjet që janë para femrës së pas Luftës, sa do të përfitojnë nga ky emancipim dhe cili do të jetë roli i tyre i vërtetë. Në një farë mënyrë kjo është fare e kundërt me atë patos që kërkon letërsia e kohës dhe fytyrat që vetëm buzëqeshin dhe nuk nxjerrin asnjë problem themelor. Për këtë i drejtohet përvojës së botës së saj, vëzhgimit nga profesionit, mikeve të saj dhe mjedisit që jeton, duke abstraguar për femrën shqiptare në përgjithësi.
Por, pse nuk u shfaq më shumë dhe më përpara?! Tashmë, është roli i biografit të saj ta zbulojë rebusin, që ajo vetë nuk pranoi të na e shpalosë në të gjallë. Tërheqja, pasiguria, modestia?! Pak rëndësi kanë. E rëndësishme është se kemi dhe një rrëfimtare më shumë, që hedh dritë në historinë sociale të shqiptarëve të shekullit XX, bash në atë kohë, që ende i kërkojmë shumë, por pa e mirëpritur si duhet.