Teatri rus me famë botërore, “Bolshoi”, në Moskë është goditur nga një përhapje masive e koronavirusit, me 34 raste infektimi. Sëmundja shpërtheu pasi trupa bëri një performancë televizive në auditorin e zbrazur, teksa Rusia është e bllokuar në karantinë, me 21,102 të infektuar dhe 170 viktima.
Drejtori i përgjithshëm i Bolshoit, Vladimir Urin, tha se 34 vetë, të përfshirë në organizimin e koncertit televiziv, që u quajt ‘Jemi së bashku’, rezultuan pozitivë me covid-19. Urin shtoi, se i gjithë personeli i teatrit pa përjashtim, ishin testuar dy ditë para koncertit, duke përfshirë rojet dhe teknikët.
“Tridhjetë e katër të infektuarit me koronavirus, nuk kanë shfaqur simptoma, por kanë pezulluar punën dhe janë izoluar”.
Qindra njerëz e kishin kaluar me sukses testin e koroanvirusit, dy ditë para eventit madhor, që u organizua në shenjë falënderimi për doktorët rusë, punonjësit e emergjencës dhe vullnetarët në përpjekjet kundër koronavirusit.
Kërcimtari Sergei Polunin, tha: “Isha shumë i lumtur që u riktheva në skenë dhe kërceva në mbështetje të njerëzve që po luftojnë kundër virusit, megjithëse ishte e çuditshme, përpara një salle bosh. Por, teksa ecja në skenë, e ndjeja se publiku ishte aty”.
Sipas disa medieve vendase, përhapja e infeksionit në “Bolshoi”, tregonte dështimin e shëndetësisë, teksa sot, në Rusi u raportuan 2,774 raste të reja.
Presidenti Vladimir Putin, ka pranuar vështirësitë në frenimin e epidemisë, duke thënë se duhet ruajtur vigjilenca: “Kemi disa probleme dhe javët në vijim, do të jenë vendimtare për vendin, ndaj duhet shumë vigjilencë”.