Presidenti rus Vladimir Putin thotë se nuk është e pranueshme të kritikosh Kinën për pandeminë e koronavirusit dhe Presidenti i Kinës Xi Jinping thotë se vendi i tij do të ndihmojë Rusinë përmes krizës.
Udhëheqësit e Kinës dhe Rusisë janë zotuar të kundërshtojnë “politizimin” e pandemisë koronavirus ndërsa Pekini përballet me reagime ndërkombëtare për trajtimin e hershëm të shpërthimit.
“Politikizimi dhe etiketimi i pandemisë nuk do të ndikojë për mire tek bashkëpunimi ndërkombëtar, dhe Kina dhe Rusia duhet të bashkëpunojnë ngushtë dhe të mbrojnë së bashku sigurinë globale të kujdesit shëndetësor,” i tha Presidentit kinez Xi Jinping homologut të tij rus Vladimir Putin, sipas një deklarate të ministrisë së jashtme kineze.
Putin u përgjigj duke thënë se çdo përpjekje për të diskredituar Kinën ishte e papranueshme. Ai tha se Moska do të punojë me Pekinin dhe sistemin e Kombeve të Bashkuara në luftën kundër pandemisë.
“Rusia dhe Kina kanë qenë gjithmonë të bashkuara, kanë bashkëpunuar dhe mbështetur njëra-tjetrën, gjë që tregon marrëdhëniet strategjike dhe të nivelit të lartë Rusi-Kinë,” tha presidenti rus. “Disa njerëz u përpoqën ta dëmtojnë Kinën për çështjen e origjinës së virusit dhe kjo nuk është e pranueshme.”
Kjo ishte biseda e dytë telefonike midis Xi dhe Putin që kur virusi u shfaq në qytetin qendror kinez, Wuhan në fund të dhjetorit.
Pekini është kritikuar shumë dhe është akuzuar për mungesë transparence. Virusi ka vrarë më shumë se 144,000 njerëz në të gjithë botën, duke përfshirë më shumë se 22,000 në Itali dhe gati 20,000 në Spanjë.
Në Shtetet e Bashkuara, ku më shumë se 670,000 njerëz janë infektuar dhe më shumë se 34,000 njerëz kanë vdekur, dhe zyrtarët e inteligjencës dhe sigurisë së vendit kanë hedhur hipoteza që koronavirusi e ka origjinën nga një laborator kinez i virologjisë dhe jo nga tregu siç kishte pretenduar Kina.
“Gjithnjë e më shumë, ne po e dëgjojmë historinë,” tha Presidenti amerikan Donald Trump në një konferencë të enjten, pa e sqaruar se çfarë ishte ajo histori.
Britania gjithashtu raportohet se po heton origjinën e pandemisë, duke përfshirë mundësinë që ajo të lidhej me laboratorin kinez në Wuhan, sipas Sky News.
Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab, i cili po zë vendin e kryeministrit Boris Johnson, i cili po merr veten nga koronavirusi, tha të enjten se ishte e nevojshme të dihej origjina e virusit.
Kur u pyet për pretendimin të enjten, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Zhao Lijian tha se “nuk ka prova shkencore”.
Në përpjekje për të penguar transmetimin e virusit, javën e kaluar Pekini mbylli pikat e kontrollit në kufijtë tokësor me Rusinë pasi më shumë se 500 raste të reja u sollën nga shtetas kinezë që udhëtonin nga Rusia.
Përkthyer dhe përshtatur nga South China Morning Post/ konica.al