Prej ditësh tashmë nën sulmin e pandemisë, Italia përballet me shifra të rënda humbjeje. Covid-19 e zuri botën në befasi. Me përhapjen e menjëhershme, vendet më të zhvilluara shënuan disfata në sistemin shëndetësor, ndërsa thirrjet për mbrojtjen e popullatës sollën masat e izolimit – mënyra më e shpejtë kundër virusit të ri. /Konica.al
Por, sot, kryeqyteti i fqinjit tonë, ka përvjetorin e 2773-të! Si zuri fill ky qytetërim?
Historia ruan dy legjenda, e para:
Romuli themelon Romën, sipas traditës, duke u bërë mbreti i parë romak. Historia e Romulit, vëllait të tij binjak Remi dhe themelimi i Romës është një nga legjendat më të njohura në lidhje me qytetin e përjetshëm, që tregon sesi Marsi (perëndi) u bashkua me virgjëreshën Rea Silvia, bijë e një mbreti të rënë nga froni.
Nga ky bashkim lindën njëherësh, Romuli dhe Remi; mbreti dha urdhër që binjakët të hidhen në lumin Tiber.
Legjenda e dytë:
Por, rreth krijimit të Romës, ka edhe një tjetër legjendë: Në fund të luftës së Trojës, qyteti u shkatërrua, burrat u vranë, gratë u bënë skllave dhe disa trojanë mundën të iknin, mes tyre princi Enea, biri i perëndeshës Venus (Afërdita) dhe njeriut, Anshiu.
Ndërsa Troja ishte nën flakë, Enea la qytetin, me të birin, Askan dhe pasuesit e tyre. Pas shumë aventurash e vështirësish, trojanët mbërrijnë në Laurentum, në bregun perëndimor të Italisë, ku Enea martohet me Lavinian, bijën e mbretit të zonës, Latinus dhe themelon qytetin, që e quajti Lavinium, për nder të gruas së tij.
Ndërsa Askani, i biri i Eneas, vendosi të ndërtonte një qytet të ri, që e quajti Alba (Longa) dhe malin afër, Alban – pranë do të ndërtohej Roma.
Por, cili është themeluesi i Romës – Romuli apo Enea?
Kato, historian dhe filozof, në fillim të shekullit të dytë p.e.s, pranon idenë e Eratosthenit, se midis themelimit të Romës (shek. VIII pes) dhe rënies së Trojës (shek. XII pes) numërohen 400 vjet – 16 breza – dhe ai kombinoi të dy historitë, për të dalë me atë që është versioni i pranuar, ku Romuli s’mund të jetë nipi i Eneas, biri i Askanit, por te paktën, të duket se është pasardhësi i largët i heroit trojan.
Popull i zgjedhur
Të dyja mitet ndihmuan në themelimin e romakëve, si popull i zgjedhur nga Zoti, prejardhja e të cilëve i kishte gjurmët që nga Troja dhe qytetërimi helen.
Tradita romake tregon se, ishte qyteti i lindjes së Romulos, Palatine Hill, në të cilin u shënua ai që u quajt “Viti 1” (ose viti 753 para Krishtit, në kalendarin kristian të perëndimit).
Gërmimet arkeologjike në kodër, kanë gjetur pjesë që datojnë, të paktën prej vitit 1,000 para erës sonë.