MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Ç’duhet të bëjë Rama akoma për çështjen Rrahja, apo ‘Rrahja e Xhiselës’?

02.10.2018 - 15:51

Çështja Xhisiela apo « Rrahja e Xhisielës » vazhdon ende me të drejtë të jetë në qendër të vëmendjes së publikut. Pikërisht për këtë shkak, me të drejtë dhe opozita merret me të,. Shkak i cili sendërtohet për disa arsye.

Është një histori personale dramatike dhe njerëzit sot janë të prirur të merren me histori të tilla; ka brenda dramë, politikë, polici, prokurori, emigracion apo azil, facebook apo rrjete sociale, mobilizim social të shoqatave të grave rregullisht të fjetura, apo shoqërisë në përgjithësi. Ngjarjet zhvillohen afër Tiranës, por ama në një zonë shumë të përfolur si xhep të mafias, apo prej nga vijnë ushtarë të krimit për Tiranën. Si zonë elektorale, është pikë kyçe për balancat midis palëve politike, duke përcaktuar fitoren e njerës, apo të paktën ka qenë.

Kësisoj ngjarja në fjalë ka potencialin të krijojë kampe të ndara të opinionit publik, por dhe pjesë gri që nuk i besojnë njëqind për qind njerës apo tjetrës palë. Në fakt e vërteta për mendjet  e lira asnjëherë nuk është bardhë e zi. Dhe bash për këtë arsye opozita bën mirë që insiston duke e vendosur gishtin apo turrielën në plagën e evidentuar shoqërore dhe politike. Megjithëse ajo shpesh vepron sipas fabulës : duhet qortuar ujëdhënësi i gomarit, pavarësisht nëse ia jep të ngrohtë, apo të ftohtë.

Për të gjithë këto elementë, shoqëria duhet t’i jetë falënderues atij që e nismoi publikimin e saj, policit Emiliano Nuhu, pavarësisht motiveve personale që mund ta kenë shtyrë atë, apo sa përqind të vërtetave  ka bërë publike. Zhurma që ai nisi me publikimin e kërcënimit ndaj tij, mobilizimi shoqëror dhe politik që ai vuri në lëvizje janë me dobi të jashtëzakonshme për shoqërinë dhe politikën.  Mbajtja në faqet e para të çështjes po krijon presion për emancipim publik dhe të gruas në veçanti, për aktivizimin e shoqatave të grave, për sjelljen edhe më të kujdesshme të policisë ndaj denoncimeve të qytetarëve, për raportet mes agjencive ligjzbatuese, për mediat dhe rreshtimin e tyre, për trimërimin e gangsterëve apo grupeve të interesit politiko ekonomik që qëndron pas tyre..

xhisiela-maloku-rrahja-konica.al

Në këtë kuptim, dalja e njerëzve publikë në skenë duhet të jetë e kujdesshme. Me të drejtë sërish, opozita konstatoi kontradiktën (të paktën retorike) të kryeministrit Rama ndërsa e etiketoi horr policin Nuhu. Nëse policia, thotë se ka vepruar drejt në trajtimin e denoncimit, atëherë ku ka gabuar Nuhu, si njera prej hallkave të saj ? Në krijimin e një narrative opozitare sipas të cilës kërcënimi ndaj tij është bërë në prani të deputetit të zonës, dhe shefit të grupit parlamentar Balla ? Nuhu mund të ketë shpifur, por Rama duhet të ketë durim derisa të flasin institucionet e hetimit.  Sepse çdo e folur e tij sot në këtë version sulmues, i shton pikët që Nuhu të sigurojë azil të plotë politik në Zvicër dhe e gjitha kjo nuk është e mirë në pikësimin e Shqipërisë si vend i sigurt politikisht përballë institucioneve europiane.

Por Rama ka mundësi të bëjë më shumë se kaq. A ka qenë ai që ka shtyrë prokurorinë të veprojë -kjo nuk e fajëson atë, -megjithë narrativën konspirativiste se pse ai e ka nxitur prokurorinë. Prokuroria ka korrigjuar veprimet e policisë dhe ka udhëhequr hetime (pista e përndjekjes telefonike) të cilat e gozhdojnë personazhin kryesor të kërcënimit, djalin e deputetit, pavarësisht kthesës që ka marrë shfaqja publike e viktimës. Me  gjasë kjo viktimë shumëfishe e shoqërisë sonë- tashmë me fytyrë publike mund të jetë blerë. Ndërsa plagët e saj janë tharë, ajo duket se po mendon për të ardhmen, por hetimet ngjajnë se kanë siguruar fajësinë e kërcënuesit të saj.

Rama duhet të bëjë më shumë se kaq

Megjithatë Rama mund dhe duhet të bëjë më shumë sesa kaq.

A nuk veproi ai me forcë ndaj një deputeti në zonën elektorale ngjitur me Krujën, duke e përjashtuar nga grupi parlamentar ? Pse jo në këtë rast, ai nuk duhet të inicojë një hetim të plotë mbi pandëshkueshmërinë, apo mbi autoritetin e fortë që krijojnë deputetët në zonat e tyre elektorale mbi policinë, bashkitë dhe institucionet në përgjithësi ? Autoritet prej të cilit përfitojnë dhe familjarët e tyre ? A nuk është çështja e Xhisielës sot, në formën e një orteku që merr vëmendje publike në rritje, po kaq sensitive sa ndërhyrja e deputetit të Laçit në komisariatin e qytetit të tij ? Pse abuzimi i administratës që monitorohet dhe ndëshkohet nëpërmjet platformës së marrëdhënieve publike, qenka më i rëndësishëm sesa rasti i kësaj vajze fatkeqe ?

Është krejtësisht e qartë se Rama ka zgjedhur një qasje që të identifikojë veprimet spastruese të sistemit me emrin e vet, si autoritet që vë në lëvizje sistemin nga sipër. Ne duhet të merremi me rezultatet e kësaj vënie në lëvizje. Kur kemi thënë se një parti dy mandate në qeverisje fillon e kalbëzohet, apo sipas bindjes së përgjithshme, fillon e dorëzon pushtetin në peshën e skandaleve, e kishim fjalën pikërisht për kontekstin e çështjes Rrahja. Deputeti shndërrohet në feudal që kontrollon gjithçka, institucionet e ligjshme dhe të paligjshme dhe i rebelohet dhe qendrës.

Durimi është i nevojshëm, por reagimi i fortë i qendrës ndaj bazës është i domosdoshëm, përndryshe skandale më të mëdha se ky do të dalin. Dramatikë, ose jo, individualë apo gruporë. Dhe nga spastrimi, krijohen energji të reja elektorale, që kapërcejnë grupe interesi si ky i një ish kryetari komune për disa mandate që është bërë deputet tashmë dhe që ngjan se siguron fitimin e mandatit sërish dhe sërish. Duke kalbëzuar gjithçka.