MENU
klinika

"Tirana e zhveshur"

Revista spanjolle: Nxitoni për në kryeqytetin më ekzotik

04.05.2020 - 14:33

      Do t’ju tregojmë sot, për një nga kryeqytetet më ekzotike dhe tërheqëse europiane, shkruan Cristina Fernandez Gonzalez e revistës së njohur spanjolle të udhëtimeve, traveler.es.

”Tirana është rishfaqur fuqishëm pas dekadave vuajtje nga diktatura paranojake e Enver Hoxhës. Ajo që e la Shqipërinë plotësisht të izoluar nga bota dhe që, në një farë mënyre, i jep asaj këtë rol misterioz, atë të thesarit për ta zbuluar, që sot na pëshpërit në vesh këngë sirenash.

Tirana ka diçka që të fut në kurth. Kjo ju befason dhe ju fton ta ”zhvishni” atë dalëngadalë deri sa të zbuloni se cili është thelbi i saj i vërtetë. Dhe ne jemi të gatshëm ta ”zhveshim”. Për 48 orë, jo më pak.

Dita e parë

Ora 09:30. Pas një mëngjesi të bollshëm, i denjë për kampionë, për ditën turistike që na pret, vendosëm itinerarin apo pikënisjen e çdo rruge nëpër qytet: Sheshin ”Skënderbej” dhe 40 000 metra katroret e tij që na presin.

Nga kjo hapësirë ​​e jashtëzakonshme, nderohet heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u vu në krye të luftës kundër osmanëve në shekullin XV. Statuja e tij ekuestriane dominon mbi gjithçka. Por, ky shesh është gjithashtu vendi i përsosur për të ndjerë pulsin e qytetit.

Por, gjithashtu, është vendi i përsosur për të matur pulsin e qytetit: i përshtatur për këmbësorë që nga viti 2017, nëse ndalojmë të shikojmë lëvizjen e jetës, do të shohim zotërinj të moshuar që shëtisin në kohën e lirë, të rinj me biçikletë rrugës për në vendet e tyre të punës dhe turistë të rastit duke masakruar me klikime aparatesh fotografike muralen e madhe që kurorëzon Muzeun Historik Kombëtar. Titulli i tij? Shqiptarët.

Ora 10:00. Sapo muzeu hap dyert e tij, ne jemi atje për të zbuluar dhe për të mësuar historinë e Shqipërisë. Vizita e plotë atje mund të zgjasë një jetë dhe prapë se prapë diçka do të na mungojë.

Ne bëjmë një udhëtim të shkurtër kohor që na çon nga Parahistoria në të kaluarën e tij ilire; nga pushtimi osman deri në Luftën e Dytë Botërore; nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë te, natyrisht, vitet e diktaturës së errët. Një orë e gjysmë ku pamë xhevahire si koka e Apolonit nga shekulli IV para Krishtit dhe deri te mozaiku i parë i zbuluar në Shqipëri: Bukuroshja e Durrësit.

Ora 11:30 Përsëri në shesh po hedhim një vështrim nga Banka Kombëtare, Hotel Tirana Internacional dhe Pallatin e Kulturës, me Operën në krye: ndërtesat e thjeshta, por monumentale në një stil racionalist vazhdojnë të flasin për kohët e shkuara dhe kontrastin me ato modernet, rrokaqiejt që ngrihen atje, në distancë, në sfond. Përpara nesh, Xhamia historike e Et’hem Beut nga shekulli XVIII, një nga ndërtesat më të vjetra në Tiranë. Të dy afresket e saj të jashtme dhe pikturat e brendshme janë një kënaqësi absolute.

Por, ne mund të gjejmë pamjen panoramike të sheshit edhe nga maja e Kullës së Sahatit, një tjetër nga reliket arkitektonike të qytetit, megjithëse kjo vështirë se përfshin ngjitjen në shkallët e pjerrëta dhe të ngushta në 35 metra lartësi.

Ora 12:00 Rrethinat e sheshit ”Skënderbej” vazhdojnë të na mbushin me histori të vjetra: ne hasim nëpër ato rrugë që ishin dhe akoma janë, Toptanasit, një nga familjet fisnike më të rëndësishme dhe më të pasura në Shqipëri, dhe ndërtesat e tyre të bukura.

Deri tani kemi kuptuar se Tirana është një qytet që më shumë ndihet sesa duket. Një qytet që na kërkon fort që ne ta ”gërvishtim” thellë nga brenda. Dhe për ta bërë këtë, asgjë nuk vlen më shumë sesa të vizitosh një nga mijëra bunkerët që Hoxha urdhëroi të ndërtonte në të gjithë vendin, e gjithë kjo nga frika e tij e jashtëzakonshme nga një sulm bërthamor nga armiqtë e tij.

Tirana ka dy që janë thelbësore. Për të vizituar Bunk´Art 1 do të jetë e nevojshme të kaloni disa orë, pasi ai ndodhet në periferi të qendrës historike: një kompleks i tërë, që përfshin zyra dhe dhoma gjumi për zyrtarët qeveritarë, apartamente për liderët politikë, madje edhe një kantinë, gjithsej 106 dhoma. Për afërsi dhe prakticitet, vendosim për Bunk´Art 2, ngjitur me sheshin ”Skënderbej”, që lidhej me korridore nëntokësore me Ministrinë e Brendshme, që do të kishin shërbyer në rast të ndonjë sulmi.

Përgjatë korridoreve të tij, në këtë bodrum të qytetit, fshihen deri në 24 ambiente të zymta, të shpërndara mes dhomave të marrjes në pyetje, qelitë për të arrestuarit, një dhomë dekontaminimi, një apartament luksoz për ministrin e Brendshëm dhe madje disa instalime artistike moderne.

Pamë panele informative dhe video me dëshmi, që jo vetëm na mësojnë shumë për historinë politike të Shqipërisë, por që edhe na ngritën qimet e kokës përpjetë.

Ora 14:00 Kur kuptojmë se stomaku po na kërkon ”karburant” dhe mendja diçka më të lehtë, çfarë të hamë? Ne zgjodhëm bulevardin me pemë ”Murat Toptani”, vetëm disa hapa larg, ku ndodhen edhe Teatri Kombëtar, Kinema “Millenium”, kopshte rastësore dhe tarraca të ndryshme.
Në këtë zonë të qytetit, jeta rrjedh me një ritëm të ngadaltë, boritë e makinave janë larg. Më të afërtat janë cicërimat e zogjve, që rrinë pezull rreth tryezave, në pritje për të marrë çdo thërrime. Një mjedis i qetë dhe i përsosur për të ngrënë një vakt të lehtë, para se të vazhdoni rrugën.

Ora 15:30 Tani është radha e artit. Dhe rezulton se jemi pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, një monument i vërtetë i trashëgimisë kulturore dhe një botë tjetër për të eksploruar përsëri historinë e Shqipërisë, këtë herë bazuar në krijimtarinë e artistëve të saj.

Në muret e saj shpaloset një festival i tërë pikturash dhe punimesh, me të cilat mund të zbulohet realizmi socialist, deri tek mostrat shumë interesante të propagandës komuniste. Paradoksalisht, ishte pikërisht këtë herë, kur censura ishte më e rëndë, që arti njohu rritjen më të shpejtë në vend.

Çdo devijim nga arti i promovuar socialist ishte rreptësisht i ndaluar. Veprat artistike duhej të idealizonin Enver Hoxhën. Ata që guxuan të anashkalonin rregullat u ndëshkuan rëndë. Për fatin tonë të mirë, pikturat dhe skulpturat për të tani janë shfaqur në muze.

Një shënim i fundit? ”Cloud” vepra artistike shumë origjinale e arkitektit japonez Sou Fujimoto që dekoron kopshtin në natyrë që prej vitit 2016, është një nga qoshet më të mrekullueshme dhe të paharrueshme në të gjithë Tiranën.

Ora 17:30 Ne zbresim rrugën drejt një prej ikonave të kryeqytetit, por jo përpara se të kalojmë pranë kalasë së vjetër të Tiranës, pronë e familjes Toptani, që vendosi ta rimodelojë atë dhe ta hapë së fundmi. Aty gjenden restorantet bashkëkohore të kuzhinës – pastat që përgatisin te ”Luga e Argjendtë” janë spektakolare, me dyqane origjinale, të përqendruara në delikatesat kombëtare, ashtu sikurse vajrat e ullirit të prodhuar në Vorë dhe sendet origjinale artizanale.


Ora 18:30 Dhe tani, po: pas një shëtitje të shkurtër që na çon përtej lumit Lana, shkojmë te ndërtesa e Piramidës. Piramida, një sulm autentik ndaj estetikës, e realizuar nga vetë vajza e Enver Hoxhës. Ndërtimi, që gjithashtu nuk kalon pa u vënë re, u krijua për të strehuar një mauzole në nder të babait të saj, megjithatë, gjatë luftës së Kosovës, funksionoi edhe si një qendër konferencash dhe seli e NATO-s.

Sot është krejtësisht e braktisur, pa roje. Jo pak njerëz guxojnë të ngjiten në muret e saj të pjerrëta deri në majë, me gjithë rrezikun që sjell aventura. Sigurisht, ka nga ata që thonë se soditja e perëndimit të diellit nga lart është gjëja më e mirë për të bërë në Tiranë.

Ora 19:30 Dhe më në fund arritëm në lagjen në modë, Blloku, lagje ku një pjesë e madhe e nomenklatura komuniste – përfshirë edhe vetë Hoxhën – banonin gjatë viteve të diktaturës.

Ajo ishte e mbyllur për njerëzit e zakonshëm për katër dekada. Kur mbaroi diktatura dhe tiranasit më në fund ishin në gjendje të përshkonin rrugët e saj, ata gjetën shtëpi që nuk kishin asnjë lidhje me ndërtesat e stilit komunist të pjesës tjetër të qytetit.

Sot, shumica e atyre shtëpive janë shndërruar në restorante, bare, kafene të lezetshme dhe klube. Shëtisim nëpër rrugët e saj dhe shijojmë si atmosferën e gjallë, ashtu edhe tezgat e librave.

Në kohën e darkës, ne zgjodhëm ”Salt”, në rrugën ”Pjetër Bogdani”, një restorant me një stil avangard, elegant dhe të rafinuar, dizajni i të cilit në format dupleks na bën të dashurohemi.

Specializuar në kuzhinën mesdhetare, ushqim deti dhe sushi, ajo gjithashtu ka edhe një ambient për koktej. Aty gjendet edhe ”Choko” që bashkon tradicionalen me modernen në të njëjtën pjatë.

Për një pije pas darke, ”Nunu Club” ka tavolina të larta dhe një zonë tarracë ku mund të shijoni me kënaqësi cilindo nga koktejet e shijshme në menunë tuaj.

Dita e dytë

Ora 10:00 Pas një dite të parë intensive, destinacioni i radhës ishte Pazari i Ri, megjithëse në realitet origjina e tij daton nga 1939.

Kjo hapësirë ​​ku mëngjeset janë të mbushura me atmosferë u rimodelua në fund të vitit 2018 për t’u bërë një treg më në përputhje me ato europiane. Kjo është arsyeja pse, nga mesdita, dyqanet mbyllen, por restorantet hapen aty ku ne mund të kënaqemi me të gjitha llojet e shijeve. Gjithashtu, shpesh organizohen ngjarje kulturore si festivale, koncerte dhe panaire artizan ale.

Ora 12:00 Shkojmë për shëtitje me një itinerar shumë origjinal: ai që na çon të zbulojmë të gjitha ato fasada, që ishin pjesë e një projekti karakteristik të promovuar nga ish-kryetari i bashkisë së qytetit, Edi Rama, tani kryeministër i vendit. Që nga viti 2000, ai kërkoi t’i jepte një pamje të re të gjitha ndërtesave gri të kohës së komunizmit, të shpërndara në të gjithë qytetin. Si? Duke pikturuar fasadat e tyre me ngjyra dhe figura të ndritshme.

Guidat me rrugën e shënuar janë falas dhe mund të merren në Zyrën e Turizmit pranë sheshit ”Skënderbej”. Ka edhe itinerare të arkitekturës komuniste, historisë dhe temave të tjera dhe përfshin një mori fasadash më befasuese, të shpërndara përreth qendrës historike të Tiranës.

Artistë kombëtarë dhe të huaj kanë marrë pjesë në projekt si Ann Edholm nga Stokholmi, Franz Ackermann nga Berlini ose Tala Madani, nga Irani – të cilët vazhdojnë, edhe sot, duke reflektuar krijimtarinë e tyre përmes vizatimeve origjinale dhe muraleve mbi ndërtesat.

 

Qëllimi? Shndërrimi i Tiranës në një galeri të vërtetë të hapur arti.

Ora 14:30 Jemi duke provuar kuzhinën tradicionale shqiptare në restorant ”Oda”, një restorant komod i vendosur në një shtëpi të vjetër, kuzhina e të cilit kombinon receta antike me propozime të tjera më moderne.

Mjedisi? Autentik. Aq shumë, sa besojmë se po drekojmë në shtëpinë e një tirani: tavolina të ulëta prej druri, dekorim disi të veçantë dhe vëmendja më e kujdesshme sigurojnë një përvojë të shkëlqyer. Në pjatë, të gjitha llojet e propozimeve me një aromë Shqipërie: Qengji i pjekur, byrek me spinaq dhe patëllxhanë të mbushur.

Ora 16:30 Është e domosdoshme të shihni Shtëpinë e Gjetheve. Ky muze, i hapur në vitin 2017, zë ndërtesën e vjetër nga epoka komuniste që shërbeu si bazë për Sigurimin, policinë sekrete shqiptare.

Në dhomat e saj tregohet gjithçka që mund të imagjinohet për procedurat dhe sistemet e spiunazhit: pajisje fotografike, sisteme regjistrimi, mikrofonë, video, intervista…

Një univers paralel që tregon edhe një herë, që ndonjëherë realiteti tejkalon trillimet.

Ora 18:30 Vendi ideal për t’i thënë lamtumirën Tiranës, këtij qyteti që na ka treguar kaq shumë fytyra të ndryshme, është mushkëria e gjelbër e kryeqytetit: 289 hektarët e Parkut të Madh janë vendi ideal ku të shëtisësh, të merresh me sport, të peshkosh në liqenin e tij artificial ose të pushosh, i shtrirë në lëndinë, pas një ditë të ngarkuar.

Në këtë pikë, një gjë është e qartë për ne, Tirana po ndryshon me hapa të mëdha, duke u munduar të kompensojë kohën e humbur, por pa hequr dorë nga e kaluara e saj, thelbësore për të kuptuar se cila është bërë sot.

Dhe për ta zbuluar atë, bëni mirë të nxitoni, sepse kur erërat e reja të Europës ta pushtojnë, ka për të qenë vonë.