MENU
klinika

Agim Rada: Ka agresion vizual

“Në Tiranë shikoj tmerre, shumë vepra arti duhen hequr”

13.05.2020 - 20:00

        Drejtuesi i Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit në Tiranë, Agim Rada, rrëfen prioritetet për hapësirat publike. Sipas tij, do të hiqen të gjitha veprat që nuk i kanë rezistuar kohës. Ndërsa, në nëntor statuja e Gjergj Fishtës, do të vendoset në parkun “Rinia”.

Skulptori Agim Rada, këto ditë po punon në tempullin e tij, në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit. Në duar ka statujën e Gjergj Fishtës, që për të është Homeri i letrave shqipe. Për mediet, artisti rrëfen se gjatë krijimtarisë së jetës së tij, kanë qenë gjithmonë këto figurat që i kanë rezistuar kohës, sepse kanë qenë edhe mbeten frymëzim për brezat.

“Kjo studio është tempulli im. Këtu, unë kaloj tërë kohën. Për mendimin tim, pandemia, tek unë nuk pati ndonjë efekt të madh, pasi tërë jetën kam qëndruar mbyllur, duke punuar veprat e mia”.

Artisti na rrëfen se Homeri i letërsisë shqipe, do të përjetësohet në bronz. Në të, do të gdhendet dhe poezia e mrekullueshme “Gjuha shqype”, për të treguar rolin e madh që ka luajtur ky kolos.

“Brezat, duhet të rriten me dashurinë për gjuhën shqipe. Unë i di thuajse të gjitha poezitë e tij, “Lahutën e Malcis” e kemi pasur si Biblën tonë. Në diktaturë, Fishtës, kockat ia hodhën në Bunë vetëm se ishte antisllav. Pa dyshim, që ata s’do ta donin këtë patriot, që ishte antipushtues” – thotë skulptori, i cili shpreh dëshirën që kjo statujë, duhet të vendoset në bulevardin që mban emrin e Gjergj Fishtës, në parkun “Rinia”, me portret nga Lana.

Artisti ndalet edhe në mungesën e hapësirave ekspozuese për veprat e artit në Tiranë, që sipas tij, hera- herës janë keqpërdorur.

“Këtu ka hapësira, por ndonjëherë edhe keqpërdoren. Mendoj, se duhet bërë një seleksionim, se po kthehen në agresion vizual, veprat e artit të bëra me llamarina të gjetura në rrugë. Ato janë për të mbuluar paaftësinë, shumë skulptorë modernë, por po kthehen në ndotje pamore. Kam folur edhe me kryeministrin Edi Rama, që aty, kur do të vendoset një vepër arti, të zgjidhet me komision. Tiranës i mungojnë veprat që i rezistojnë kohës. Hiq tre apo katër punë të Odhise Paskalit dhe të Janaq Paços, të tjerat janë shumë keq”.

Ai mendon se, disa nga veprat që nuk duhet të jenë të ekspozuara, janë statuja e Sulejman Pasha Bargjinit, në qendër edhe monumenti kushtuar ish-të përndjekurve politikë, përballë Parlamentit.

“Kaloj në Tiranë dhe shikoj tmerre. Ai turku me xhybe turke, paska themeluar Tiranën! Një skulpturë e rëndomtë, ajo e Bargjinit (Sulejman Pasha Bargjini). Thonë që ka themeluar Tiranën, por nëse e ka themeluar ai, është turp i madh. S’jam shumë dakord edhe me komisionet, që rastësisht nxjerrin në krye fitues të paaftë. Ne kemi shumë për të hequr, por unë do të hiqja atë statujën pranë godinës së të përndjekurve, që është me gunga-gunga dhe nuk thotë asgjë. Duhet të realizohen vepra tamam, jo sikundër ka ndodhur në 100-vjetorin e Pavarësisë, që nuk u bë asgjë e saktë” – ka thënë ai.

Skulptori, përfundon se, për këto ide do të konsultohet edhe me një komision që do të ngrihet pranë Bashkisë së Tiranës, që në të ardhmen do të kenë në vëmendje veprat e artit të hapura.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


I pari teatër shqiptar

‘Dasma e Lunxhërisë’ më 1874


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen