MENU
klinika

Çfarë rezultati nxjerr studimi i BSH?

Nëse ekonomia bie me 6.9% papunësia arrin në…

15.05.2020 - 12:15

Papunësia në Shqipëri si pasojë e krizës së shkaktuar nga epidemia e Covid-19 mund të arrijë deri në 18.6%. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë përgatitur një vlerësim që synon të krijojë një ide mbi efektet e mundshme të krizës në ekonomi.

Sipas vlerësimit, një skenar me rënie të kërkesës agregate në masën 10% do të shoqërohej me rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivelin 6.9%, që është edhe projeksioni bazë për performancën e ekonomisë shqiptare, i publikuar më herët këtë muaj nga Banka Botërore. Skenari mbështetet në supozimin se rënia prej 10% do të prekë njëkohësisht tre komponentët kryesorë të kërkesës aggregate, konsumin, investimet dhe eksportet neto. Sipas këtij skenari, shkalla e papunësisë në ekonomi do të arrinte në 18.6%, nga 11.2% që ishte në fund të vitit të kaluar.

Brenda të njëjtës situatë hipotetike, ndikimi i rënies me 10% të konsumit privat do të gjenerojë një humbje prej 4.0% në produktin e brendshëm bruto, i përqendruar në sektorët e “Bujqësisë”, “Industrisë përpunuese” dhe “Pasurive të paluajtshme”.

Po ashtu, një rënie hipotetike me 10% e investimeve do të gjeneronte një humbje prej 1.1% në PBB, të përqendruar kryesisht në sektorin e “Ndërtimit”. Ndërkohë, rënia hipotetike me 10% e eksporteve do të kishte një ndikim negativ prej rreth 1.8% në PBB, me një shpërndarje relativisht më të gjerë në ekonomi.

Mbështetur në të dhënat e deritanishme jozyrtare, kriza e Covid-19 ka sjellë humbjen e përkohshme të rreth 60 mijë vendeve të punës. Po të bëjmë një llogaritje të mbështetur mbi supozimin se forca e punës nuk ka pësuar ndryshime që nga fundi i vitit 2019, atëherë shkalla e papunësisë në Shqipëri aktualisht do rezultonte rreth 15.3%.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive