Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi ka njoftuar se prej ditës së hënë do të vihet në funksionim qendra e ankandit të peshkut në liqenin e Shkodrës. Investimi me vlerë rreth 4.5 milionë lekë të reja është kryer me fondet e vetë Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Shkodër.
“Kjo qendër synon të disiplinojë produktet peshkore që nxirren nga liqeni për të dalë në treg në mënyrë që të kemi një përfitim maksimal për peshkatarët e ligjshëm dhe t’i vëmë fre atyre që gjuajnë në mënyrë të paligjshme. Ky është një instrument tjetër për të ndalur peshkimin e paligjshëm në liqenin e Shkodrës. Edhe masa që ne morëm duke i targuar varkat një vit më parë kanë dhënë rezultat. Targimi i varkave ka qenë një veprim i duhur. Tani nëpërmjet këtij sistemi më vjen mirë që dëgjoj që gjuetia e paligjshme është minimizuar dhe pothuajse nuk ekziston”, u shpreh ministri Çuçi
Sipas tij ngritja e qendrës së ankandit të peshkut në Shirokë do të shërbejë gjithashtu edhe si një atraksion turistik për ata që vizitojnë këtë zonë. Kjo qendër plotëson të gjitha standardet e sigurisë ushqimore si dhe pajis peshkun me certifikatë origjine nga liqeni. Gjithashtu u jep mundësi peshkatarëve që të vendosin vetë çmimin e peshkut duke shmangur abuzimet nga ana e tregtarëve.
Sipas ministrit ngritja e kësaj qendre do të formalizojë më tej sektorin e peshkimit në liqenin e Shkodrës, ku ushtrojnë aktivitet rreth 450 peshkatarë, si dhe do të ofrojë të dhëna më të sakta për prodhimin. “Gjithashtu me ndihmën e Ambasadës Holandeze në këtë qendër është hapur edhe një dyqan për gratë që punojnë aty në kuadër të një ndërmarrjeje sociale,” tha Çuçi.