MENU
klinika

Bonot e Thesarit

Tregu në stabilizim, ulen normat e interesit

25.05.2020 - 12:59

Interesat e bonove të thesarit po japin shenja rënieje, pasi kishin regjistruar një tendencë në rritje gjatë muajve të parë të shpërthimit të epidemisë Covid 19. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e kësaj jave bonot me maturim 12 mujor u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 2.08%, nga 2.25% që kishte qenë rezultati i ankandit të mëparshëm, më datë 5 maj.

Kriza e koronavirusit solli një rritje në yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare, megjithë vendimin e Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit me gjysmë pikë përqindje, duke e çuar në minimumin e ri historik prej 0.5%. Rritja e kërkesës së qeverisë për financim dhe perceptimi më i lartë i rrezikut mes investitorëve solli rritje të interesave, megjithëse kjo rritje ishte graduale dhe tregu nuk shfaqi shenja paniku.

Në ankandin e kësaj jave u vërejt një kërkesë e lartë e investitorëve për të blerë bono 12 mujore, për një shumë prej 16.6 miliardë lekësh, ndërkohë që shuma e shpallur nga qeveria ishte 10.7 miliardë lekë. Një ndikim ka dhënë edhe pjesa relativisht e lartë e bonove të rezervuara nga Banka e Shqipërisë, në vlerën e pesë miliardë lekëve.

Banka Qendrore nuk merr pjesë në ankand me kërkesa konkurruese, por i blen bonot e rezervuara me yield-in mesatar të pranuar të kërkesave konkurruese.

Duket se tregu financiar e kryesisht sistemi bankar, që është blerësi kryesor i titujve të borxhit të brendshëm, paraqitet mjaft likuid. Kriza e Covid -19 e ka ndërprerë rrjedhën normale të huadhënies, me përjashtim kryesisht të huave brenda skemave të garancisë së qeverisë shqiptare. Në këto kushte, bankat po i kanalizojnë më shumë investimet drejt blerjes së borxhit të qeverisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive