MENU
klinika

Bonot e Thesarit

Tregu është likuid, interesat stabilizohen në rënie

03.06.2020 - 12:57

Interesat e bonove të thesarit ranë për të dytin ankand radhazi, duke konfirmuar një tendencë stabilizimi, pas rritjes së përkohshme në dy muajt e parë të epidemisë së Covid – 19. Sipas Bankës së Shqipërisë, në ankandin e kësaj jave bonot me maturim 12 mujor u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 2.04%, nga 2.08% që kishte qenë rezultati i ankandit të fundit të muajit maj. Në ankandin e kësaj jave u vërejt një kërkesë e lartë e investitorëve për të blerë bono 12 mujore, për një shumë prej 14.5 miliardë lekësh, ndërkohë që shuma e shpallur nga qeveria ishte 8.7 miliardë lekë.

Kjo tregon se në thelb tregu është likuid dhe interesi për të investuar në titujt e qeverisë i lartë, pavarësisht rritjes së ndjeshme të kërkesës për financim në tre muajt e fundit. Kriza e Covid -19 e ka ngadalësuar huadhënien për sektorin privat, me përjashtim kryesisht të huave brenda skemave të garancisë së qeverisë shqiptare. Në kushtet kur kërkesa nga sektori privat është në rënie dhe rreziku në rritje, bankat po i kanalizojnë më shumë investimet drejt blerjes së borxhit të qeverisë.

Tregu financiar duket se po e kalon pa pasoja serioze valën e drejtpërdrejtë të pasojave që solli epidemia. Pavarësisht shtimit të kërkesës së qeverisë për borxh dhe rreziqeve, sistemi financiar ka reaguar, duke plotësuar nevojat për financim, madje pa rritje shqetësuese të normave të interesit.

Mbështetja e Bankës së Shqipërisë, përmes uljes së mëtejshme të normave të interesit dhe mbështetjes së pakufizuar me likuiditet deri tani ka ndihmuar në menaxhimin e mirë të situatës.

Sidoqoftë, sfidat më të mëdha për sistemin financiar janë ende përpara dhe pasiguria e lidhur me ndikimin e krizës në sektorin privat ngelet e lartë. Këtë vit pritet rënie e prodhimit kombëtar dhe rritje e papunësisë, çka pritet të ketë një ndikim negativ në tregun financiar, përmes rritjes së kredive me probleme dhe pakësimit të kërkesës për hua.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive

"Ngrin" pagesa e kredive, për 3 muaj

Bankat nuk do kërkojnë shlyerjen e kësteve