MENU
klinika

Bilanci final

Amnistia e 2017 fali 425 milionë euro  

05.10.2018 - 15:59

Amnistia fiskale e implementuar gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017 ka fshirë nga sistemi i tatimeve një total debie prej 425 milionë eurosh në formën e detyrimeve të papaguara, gjobave e kamatëvonesave të biznesit. Pjesa më e madhe e detyrimeve të amnistuara përbëhet nga principali i detyrimeve tatimore të papaguara, që arrijnë në rreth 14 miliardë lekë të totalit. 

Pjesa tjetër bëhet nga gjobat për vonesa të shlyerjes së detyrimeve (11,4 miliardë lekë), gjobat e vendosura nga inspektorët në terren (10.1 miliardë lekë), gjobat për pasaktësi në deklarim  (6.3 miliardë lekë), kamatëvonesat  (11.1 miliardë lekë).

Ligji Nr. 33 / 2017 për faljen e detyrimeve tatimore u hartua dhe hyri në fuqi më 6 maj për t’u shtrirë deri më 31 dhjetor të vitit të shkuar . Ligji parashikonte pagesën dhe fshirjen e detyrimeve tatimore të papaguara me kusht apo pa kusht për periudhat tatimore të përcaktuara nga Ligji.

Ai parashikonte faljen e çdo detyrimi  të krijuar deri dhjetor të vitit 2010, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhën nga 2011-­2014, me kusht që të paguhen detyrimet, si dhe gjobat e llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar të punonjësve.

Nga falja automatike, u falën ose fshinë në mënyrë automatike në sistem 169,060 tatimpagues dhe me vlerë 38.2 miliardë lekë detyrime të papaguara. Për të përfituar nga falja me kusht e detyrimeve tatimore, kryen pagesën e detyrimit principal të papaguar 5,054 tatimpagues me vlerë 2,9 miliardë lekë.

Në zbatim të ligjit, u fshinë detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve të çregjistruar në QKB, por që kishin mbetur ende të regjistruar në administratën tatimore, për shkak të detyrimeve të papaguara. Në këtë fazë u falën detyrimet e papaguara të 11,458 tatimpaguesve për një shumë prej 1.3 miliardë lekësh.

Për zbatimin e Ligjit të faljes krahas faljes automatike u kryen edhe falje manuale për shkak të specifikave që paraqitnin detyrimet tatimore në sistemin informatik dhe jashtë tij, nga e cila përfituan 25,594 tatimpagues me një vlerë prej 16.2 miliardë lekësh. Nga faljet manuale pa kusht përfituan 10,959 tatimpagues në vlerën 5.75 miliardë lekë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për herë të parë edhe e-fatura

Forcohet kontrolli elektronik i faturave


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!