MENU
klinika

Pasardhësja e familjes Skiroi

Është një mrekulli, që flasim ende gjuhën tonë!

15.06.2020 - 15:26

         Ajo është pasardhëse e një prej familjeve më të njohura arbëreshe dhe sigurisht që pesha e mbiemrit Schiro (Skiroi),  ka ndikuar në jetën e saj. Megjithatë, gjuha dhe kultura arbëreshe, për Giuseppina Dhimitra Schiroin, nuk është vetëm detyrim ndaj emrit të madh të paraardhësve, por një lidhje e fortë me rrënjët e saj.

Schiro, flet me gjuhën e saj të pastër amtare, për faqen e “Team Albanian” në rrjetin social Twitter.

Prezantimin e saj e fillon në mënyrë të drejtëpërdrejtë, ashtu siç e ka të gjithë stilin e rrëfimtarisë.

“Unë jam Giuseppina Dhimitra Schiro dhe jetoj në Horën e Arbëreshëve, në Siçili, e themeluar në 1488… Është një mrekulli që ne flasim ende gjuhën tonë”, – vazhdon Schiro, e cila, rrëfen se vitet e fundit e ka vizituar shpesh Prizrenin, pasi ka pasur dëshirë të përparojë në mësimin e gjuhës tonë.

Kur ka qenë atje herën e parë, një kamarier e kishte dëgjuar tek fliste në arbërisht dhe ishte mallëngjyer nga fakti se si e kishin ruajtur gjuhën dhe ajo arrinte ta fliste aq mirë.

Nga emocionet, atij i kishin rrjedhur lot dhe Giuseppina, nuk e harron këtë episod. Më tej, tregon atë që i kishte thënë edhe kamarierit, se gjuhën e kanë ruajtur brez pas brezi dhe madje, aq i rëndësishëm është për ta ky kalim zinxhir, saqë arbëreshët tashmë e kanë një ndër urimet më të bukura, shprehjen: “Brez pas brezi!”.

Përveç përmirësimit të gjuhës shqipe, Giuseppina tregon se ka edhe një element që e tërheq në trojet shqiptare, kjo është mikpritja.

Edhe ne jemi mikëpritës, – thotë ajo – por ju jeni më shumë dhe ne mësojmë nga ju. Unë mallëngjehem nga mikëpritja juaj, i themi ne, – e përmbyll Schiro, duke treguar ndjenjat e saj të sinqerta, për tokën e të parëve dhe njerëzit e saj.