MENU
klinika

Si e thyen komunistët arkmortin e tij...

Ku janë eshtrat e Atë Gjergj Fishtës?

17.06.2020 - 06:52

Një ndër armiqtë kryesor të ideologjisë komuniste, ndonëse i vdekur, ishte Atë Gjergj Fishta. Poezia e tij me karakter të qartë atdhedashës, ndërtuar mbi themelet e parimit të lirisë, nuk mund të mos binte ndesh me rregjimin gjakatar e lirimohues të vendosur nga komunistët.

Kështu, disa vjet pasi kishin ardhur në pushtet, në ndjekje të vijës së re ideologjike për krijimin e një shteti ateist, komunistët mësynë Kuvendin Françeskan të G’juhadolit. Në anën e majtë të hyrjes kryesore për në Kishë, nën një pllakë mermeri, ishte varrosur poeti i madh Atë Gjergj Fishta. Ato e thyen pllakën dhe nga koka e arkëmortit ku pushonte poeti, hoqën një kryq të vendosur aty sipas amanetit të poetit “Nji kryq druni t’kjosha true/ nxiere e venma përmbi krye” natën e fundit të vitit 1940, kur poeti u varros.

Sipas dëshmisë së një komunisti që ishte pjesë e asaj furie, vendosur e pacituar në veprën “Françeskanët e Mëdhaj” të Atë Zef Pllumit, arkëmorti u thye dhe nga aty u nxor trupi i poetit i cili u mbyll në një thes, u ngarkua në një kamionçinë dhe u lëshua në pjesën më të rrëmbyeshme të lumit Drin.

Kështu, Atë Gjergji mbeti pa varr, por asnjëherë nuk u harrua. Ndër vatrat e ngrohta të mbrëmjeve të ftohta, kryesisht në krahinën e Zadrimës, recitohej herë nën zë e herë me zë të plotë “Lahuta e Malcis”, e kjo dëshmohet fare mirë edhe sot: Një pjesë e mirë e të moshuarve që jetojnë aty dinë përmendësh me mijëra vargje nga kjo kryevepër.

Arsyet përse komunistët nuk e deshën Atë Fishtën janë të shumta. Në atë kohë, ato e cilësuan atë si një poet antikombëtar, ndërsa tani mendohet se “Lahuta e Malcis” ishte vepra më antisllave e shkruar ndonjëherë, prandaj, ishte një kusht i vendosur nga krijuesit sllavë të Partisë Komuniste, ndalimi i tij.

Kur komunizmi u largua, dhjetëra vjet pas zhvarrimit të Atë Gjergjit, filizi i brishtë i lirisë filloi të lëshonte rrënjë edhe në lëmet letrare, kulturore e fetare. Kështu edhe Poeti u përmend në 50 vjetorin e vdekjes së tij nga Aurel Plasari, Skënder Buçpapaj e Rudolf Marku.

Ndërkohë, një komision u ngrit edhe për atë natë kur Atë Gjergjit i ishte mohuar varri. Procesverbalet e këtij komisioni janë të botuara në librin “Françeskanët e Mëdhaj” dhe sipas tyre, thuhet se në vendvarrimin e tij ishin gjetur:

Eshtrat e gishtave që quhen falange, karpe dhe metakarpe, gjithsej 20;
Dy vertebra të qafës;
Dy vertebra të pjesës qendrore të shtyllës kurrizore;
Pjesa fundore e rezit të legenit,
Një brinjë komplete në të djathtë dhe dy copa të vogla të një tjetër brinje;
Një fragment i peroneut;
Elemente të thembrës dhe të shputës së këmbës, gjithsej 11 copë;
Majë e kupës së gjurit;
Dy dhëmbë;
Një fragment tjetër ende i panojur.

Këto pak eshtra të gjetura të cilat i përkasin edhe dorës që shkroi “Lahutën e Malcis” sot qëndrojnë në një varr të vogël pranë varrit të dikurshëm.