Lufta e ftohtë ofroi një sfond perfekt për letërsinë e spiunazhit. Mjeshtrat e spiunazhit si James Bondi-i i Jan Fleming-ut, Smiley i John Le Carre-it dhe Harry Palmer i Len Deighton-it u vendosën kundër homologëve të tyre komunistë, në një lojë globale shahu me lëvizje të përllogaritura shumë mirë dhe qëllime të dukshme e të padukshme, me rreziqe dhe shpërblime. Tradhëti dhe mashtrime e komplikuan çështjen, por armiqtë ishin të qartë. Oficeri i Inteligjencës Britanike Smiley kundër homologut të tij të KGB-së Karla.
Ne kundra atyre. “Gjatë Luftës së Ftohtë, çdo lexues që hapte një roman spiunazhi e kuptonte atë sasi të vogël konfliktesh të mundshme që do të gjente”, thotë autori i letërsisë së spiunazhit, Olen Steinhauer. “Do të ishte Lindja kundër Perëndimit, ose heroi kundër korrupsionit politik. Perëndimorë të pangopur duke shkatërruar vetë sistemin e tyre”.
Lexuesit e Letërsisë së spiunazhit u tërhoqën për të identifikuar agjentët e dyfishtë (si tek Protokolli i Katërt i Frederik Forsyth-it) dhe duke fantazuar rreth efekteve të lavazhit të trurit (Dosja Ipcress e Deighton-it). Ne ishim prezantuar me spiunazh në një shkallë njerëzore, pa survejime të satelitit dhe pa sisteme gjurmuese të telefonit celular, që i gjen tek melodramat e teknologjisë së lartë sot. Personazhet vuanin nga stresi fizik dhe psikologjik. James Bondi është në pragun e një shkatërrimi nervor, pasi nusja e tij e re është vrarë tek You Live Only Twice (“Jeton Vetëm Dy Herë”).
Spiuni i Cili erdhi nga i Ftohti përfundon me një portret të shkatërruar nga efekti i viteve të personalitetit të dyfishtë, me agjentë që në mënyrë konstante justifikonin veprime, që binin ndesh me vlerat e tyre morale. Por kishte edhe kënaqësi – dreka në restorante të këndshme, flirte romantike, vizita ndihmëse në skajet e botës, duke përfshirë vende pas Perdes së Hekurt.
Fundi i Luftës së ftohtë e bëri të nevojshme gjetjen e armiqve të rinj. “Kur lufta e ftohtë mbaroi, zhanri humbi një kundërshtar perfekt,” thotë autori i letërsisë së spiunazhit Joseph Kanon. Shkrimtarët nuk mbështeten më në një polaritet të lehtë. “Rusia mbetet një kleptokraci kërcënuese”, thotë Steinhauer, për të cilin triologjia e Milo Weaverit fokusohet në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, thjesht një tipar i një bote pas Luftës së Ftohtë që ka shumë konflikte ekzistenciale: “Terrorrizmi ekzistonte si një kryefjalë gjatë Luftës së Ftohtë, por tani, sigurisht, është bërë një burim primar i konfliktit tregimtar.
Dhe marrëdhëniet komplekse midis shteteve të Lindjes së Mesme dhe ekstremistëve fetarë ofrojnë më shumë ushqim letrar. Korrupsioni politik në vend kurrë nuk zhduket, por marrëdhëniet e Amerikës me shtetet e Europës janë bërë më komplekse”, thotë ai. “Survejimi elektronik dhe statusi i heroit të informatorit… këto gjëra janë të gjitha tema të shkëlqyera”. Për romanin e tij të 2014 “The Cairo Affair”, Steinhauer punoi pothuaj në kohë reale, duke shkruar kronikën e Libisë dhe të Kairos së pas Mubarakut gjatë Pranverës Arabe.
Rendi i ri botëror
Pas 1989-ës ishte koha për të rimenduar lojën e spiunazhit në letërsi. “Unë gjithmonë shkrova për njerëz që vuanin nën peshën morale të Luftës së Ftohtë dhe që përgjëroheshin të dilnin jashtë saj”, thoshte John le Carre për New York Times pasi ra Muri i Berlinit. “Jam absolutisht i gëzuar të jem i prezantuar me një paketë të re letrash”. Dhe ai i trajtoi ato në tregime që cilësonin tregtinë ndërkombëtare të drogës, mafien Ruse, pastrimin e parave dhe korruptimin e korporatave. Tek “The Constant Gardener”(2001), i cili i vendos ngjarjet në “Kenian Britanike të njëherë e një kohe, e rrezikshme, dekompozuese, e plaçkitur, e rrënuar,” ai merret me kompani farmaceutike të cilat përdornin qytetarë në vendet në zhvillim, si kavie në provat e ilaçeve.
Pa kaluar shumë kohë, le Carre ishte duke shkruar për luftën ndërkombëtare mbi terrorin dhe operativët amerikanë të cilët i justifikojnë torturat dhe interpretimin e jashtëzakonshëm (si tek romani i tij i 2008 “A Most Wanted Man”) si dhe aleatët e tyre Britanikë. Personazhi i tij Toby Bell, një yll në ngritje në Shërbimin e Jashtëm Britanik që kërkon identitetin e vërtetë të vendit të tij në një botë post-imperialiste dhe post-luftë e ftohtë ngjason me Edward Snowdenin. Frederik Forsyth ka ndjekur gjithashtu ballinat. Ai e vendosi “The Fist Of War” (1994) gjatë luftës së parë të Gjirit.
CIA, MI6 dhe ISI i Pakistanit e luftuan AL QAEDA-n në romanin e tij të 2006 “The Afghan”. Dhe “The Kill List” ka si personazh një ‘predikues’ në internet, i cili u bën thirrje myslimanëve radikalë për vrasje të udhëheqësve në SHBA dhe Britani.
Disa shkrimtarë bashkëkohës kanë zgjedhur t’i vendosin librat e tyre në të shkuarën, në siguritë e Luftës së Ftohtë, ose edhe në periudhën përpara saj. Melodramat atmosferike të Alan Furst-it (“Midnight in Europe” është i fundit i një serie me 12 romane) vendosen në 1930-ën dhe në fillimet e viteve 40, kur operativët sovjetikë dhe ata të shërbimeve të fshehtë perëndimorë bashkuan forcat për të ndalur makinerinë naziste. Joseph Kanon fokusohet në periudhën menjëherë pas luftës, duke vendosur “The Prodigal Spy” dhe “The Good German” në 1945-ën, “fillimi i botës në të cilën jetojmë sot”, thotë ai. Për “Istanbul Passage” ai e ktheu “ kryeqytetin turk në një qytet neutral afër Ballkanit, një Meka për spiunët dhe një skenë fillestare për Mossad-in, në ndihmën për shpëtimin e çifutëve europianë të futur në grackë”.
Lufta e ftohtë mund të jetë frymëzim i pakrahasueshëm për letërsinë e spiunazhit. Por esenca e letërsisë së spiunazhit nuk ka ndryshuar. Lexuesit presin heronj te identifikueshëm, duke u mbrojtur kundër amiqve të jashtëm. Çfarë ka ndryshuar përgjithmonë është natyra bardhë e zi e zhanrit të huazuar nga Lufta e Ftohtë.
“Spiunët më të pasigurtë”, thotë Steinhauer, “shkojnë në punën e tyre me një farë ankthi, duke u përballur me ngarkesën morale – dredhitë dhe gënjeshtrat që puna ua kërkon”. Lexuesit janë mësuar të shikojnë të metat në sistemin tonë, dhe në veten tonë, në sajë të portreteve skeptike të krijuar nga këta mjeshtra të letërsisë së spiunazhit të Luftës së Ftohtë. Kjo epokë e heronjve të përcaktuar qartë dhe maskarenjve i ka lënë vend linjave të paqarta, aleancave të lëvizshme dhe dykuptimësive të sotme. /BBC/