MENU
klinika

Neofashistët më kanë sulmuar…

E dua Greqinë, por s‘mund të rrija dot atje

17.06.2020 - 15:54

Gazmend Kapllani, shkrimtari ndërkombëtar me origjinë shqiptare përfundoi javën e shkuar tour-in evropian të prezantimit të librave të tij.
Lindur në Lushnjë, më 1967, emigruar në Greqi në vitin 1991, Kapllani ka përjetuar çdo peripeci të një emigranti shqiptar në tokën helene. Iu përshtat punëve më të rënda e përtypi paragjykimet e vendit, pa hequr dorë nga qëllimi që e përcolli në 1991 të kalonte në këmbë, për rreth 5 ditë udhëtim, kufirin me Greqinë. Ndoqi me sukses studimet në Athinë e ushtroi aty dhe profesionin e profesorit universitar në lëndën e kulturës moderne shqiptare. Një nga të paktat firma me origjinë të huaj në gazetën prestigjoze nacionale greke “Ta Nea” e sot jeton në Boston, SHBA.

Një ndër arsyet që e përcollën përtej kontinentit ishte dhuna psikologjike, ajo verbale dhe ajo fizike me të cilën u has në Greqi, ende më shumë me lindjen e partisë nazifashiste “Agimi i Artë”. I kthyer në një tabelë qitjeje të akuzave dhe kërcënimeve të rrymës dhunuese kundra të huajve nga përfaqësuesit e lëvizjes nazifashiste, Kapllani, së bashku me kolegë të tij, u detyrua për vetëmbrojte e për protestë ndaj një shteti të korruptuar të largohej nga Greqia e të ndiqte misionin e tij intelektual në SHBA. Këtu vazhdon të trajtojë temën e mërgimit e të historisë së shoqërisë së sotme evropiane e të japë mësim në universitetin e qytetit.

Tour-i ne Evropë i Kapllanit u ndal në Francë, në Itali e në Shqipëri. Në Itali tërhoqi dhe çmimin e mirënjohur ndërkombëtar letrar të qytetit të Kasino për librin e tij “Ditar i shkurtër kufiri”, i përkthyer në italisht e i publikuar nga Del Vecchio editore, “Breve diario di frontiera”.
Një libër i rrjedhshëm e i fortë njëkohësisht. Ku me lehtësi të rrallë Kapllani përdor humorin e zi e sarkazmën duke përshkruar udhëtimin e tij drejt Greqisë e brengën për Shqipërinë që la pas e që e detyroi të largohej.
Darina Zeqiri, me shoqatën Scanderbeg të Parmës, në bashkëpunim me librarinë e pavarur të qytetit dukal e Ilir Gjika, organizuan prezantimin e romanit në Parma. Një event që pa një salle të gremitur me lexues e realizoi, si pak herë ndodh, dhe shitjen e të gjitha kopjeve të librit në dispozicion, e një listë të gjatë prenotimi.
Në përfundim të takimit të Kapllanit dy ditë më pas me lexuesit e tij në Tiranë, pranë qendrës “ATA” , Darina mori një intervistë me autorin e mirënjohur.
***

Kur hasesh me figura të mirënjohura shpesh pret që këto të jenë të strukura në realitetin e tyre e duke peshuar vlerën e kontributin e tyre intelektual mendohet se nuk mund të krijosh një raport të barabartë e të mund t’iu drejtohesh me ti. Por Gazmend Kapllani (Gazi, siç preferon ai te thirret e të firmoset), nuk ka aspak maninë e megalomanisë. Ai pasqyron veten si dikush që pati vetëvendosje në ecjen përpara me besim të plotë në aftësitë e tij. Përtej dëshirës dhe harmonisë me të cilën është natyrale të komunikosh me të, roli im e figura e tij më imponojnë drejtimin e respektueshëm me ju.

1-Duke përshkruar karrierën tuaj ngjan të jemi përballë me historinë e një emigranti që ia doli mbanë. Mendoni se është e drejtë përshtypja apo ende në sirtarët e projektet tuaja mungon diçka?

Soloni, një nga të mençurit e Greqisë së lashtë, kur e pyetën se kush është njeriu më i suksesshem në këtë botë, tha: “Mos i këndo himnin askujt para se të ikë nga kjo jetë”. Ekziston një lloj fatalizmi mesdhetar në këtë shprehje. Nëse suksesi për një shkrimtar matet me suksesin e librave, atëherë mund të them se sidomos romani im i parë ka patur një sukses të jashtëzakonshëm. Sa për emigrantin që ia del mban, nuk di ç’të them. Shumë emigrante ia dalin mbanë dhe të tjerë dështojnë, ashtu siç ndodh me të gjithë njerëzit. E vërteta është që unë akoma pa u nisur emigrant kisha një lloj vetëbesimi të çmendur, si ata njerëzit që ndihen me nishan, që do behem shkrimtar dhe do lexohem në shumë gjuhë. Pjesërisht ia kam dalë mbanë kësaj. Por, nga ana tjetër, sidomos pas emigrimit të ri në SHBA, ndiej se jam ende në fillim. Kam jo një, por mijëra projekte në sirtar. Me përvojën që kam, di që shumë prej tyre do “vdesin” dhe të tjera do mbijetojnë dhe do mundohen të udhëtojnë sa më larg. Sapo mbarova romanin tim të ri, shkruajtur në shqip këtë radhë. Titulli i romanit të ri është “I keqi i vehtes”…

2- Një pasaportë e “keqe” shënon jetën dhe të dikujt të mirë, siç shpjegoni dhe në romanin tuaj. Nëse do të mund të zgjidhnit, cilën prej grekes, shqiptares apo amerikanes do të mbanit me kënaqësi në xhepin tuaj?

Kjo tema e pasaportave është diçka që rëndon në jetën time. Sigurisht, pas 25 vjetëve në Greqi, logjike do ishte të kisha pasaportën greke. Por nuk e mora kurrë, sepse ndodhem në listën e zezë të shtetit të thellë dhe parashtetit grek. Në fakt, unë dhjetë vjetët e fundit në Greqi kam provuar sistematikisht kërcënime të strukturave të parashtetit dhe neonazistëve. Ishte një situatë skizofrenike. Nga një anë kisha një publik të gjerë në Greqi, duke qenë pothuajse i vetmi person publik ndër gjithë emigrantët në Greqi, me dy rubrika në gazetën më të madhe greke. Nga ana tjetër ndihesha shpesh si person i padëshiruar. Arsyeja që vendosa të qëndroja në SHBA ishte në radhë të parë një gjest proteste kundër kësaj situate. Ishte dhe një gjest vetëmbrojteje, sepse ngritja e neonazistëve të Agimit të Artë, që kanë lidhje të forta me shtetin e thellë grek, u bë shumë kërcënuese për mua. Në vitin 2010 ata m’u vërsulën publikisht duke më kërcënuar se do më heqin qafe.
Nejse, le të kthehemi tek pasaporta. Këto ditë që po udhëtoja, po mendoja se e vetmja pasaportë që nuk më ka tradhtuar deri më sot është pasaporta shqiptare. Nga kjo pikëpamje ndiej mirënjohje dhe ndihem mirë që vitet e fundit është bërë më dinjitoze, sidomos pas heqjes së vizave në Evropë. Do ishte batërdi sikur të ktheheshin serish vizat. Por ndoshta pasaporta shqiptare asnjëherë s’mjafton. Kështu që pas pak kohe, sipas të gjitha gjasave, do kem pasaportën amerikane…

3-Një amerikan ngjan të ketë dyert e hapura kudo, të mos ndihet emigrant. Në librin tuaj ju shtroni dëshirën e një bote pa emigrim e njëkohësisht i përgjigjeni me pamundësinë e realizimit, pasi kjo do të nënkuptonte dhe fundin e varfërisë. Konkretisht, çfarë është e mundur sipas jush të realizohet në shoqërinë tonë e atë të ardhshme e fëmijëve tanë?

Në fakt, unë e shoh emigracionin si pjesë thelbësore të aventurës njerëzore mbi këtë planet. Sa të ekzistojë njerëzimi, do ekzistojë emigracioni. Nuk mund të kuptohet bota e sotme pa historinë mijëravjeçare të emigracionit.
Por, nga ana tjetër, po të nisesh nga përvoja e shqiptarëve, njerëzit vazhdojnë të emigrojnë, sepse i besojnë më shumë mirësisë së të huajve sesa drejtësisë së vendit të tyre. Është shokuese fakti që sa herë që shkoj në Shqipëri, ndër 10 veta që takoj, 8 do donin të emigronin. Kjo nuk ka të bëjë edhe aq me varfërinë sesa me padrejtësinë dhe dhunën që mbizotëron në shumë raste. Ajo që do desha unë është që të vijë një ditë kur shqiptarët do ta shohin të ardhmen paraprakisht në vendin e tyre. Por kjo nuk do të ndodhë nëse njerëzit ndiejnë që jetojnë në një vend ku mbizotëron në çdo qelizë të shoqërisë dhe të shtetit padrejtesia dhe makuteria…

4-Në Francë i mirëpritur, në Itali i vlerësuar me çmim ndërkombëtar e i adhuruar nga lexuesit, në Shqipëri i rrethuar nga të rinjtë e qendrës “ATA”. Cilat janë mbresat më të ngrohta që morët me vete në këtë tour evropian?

Këtë vit unë prezantova librat e mi në Francë dhe Itali. Në Itali ishte e veçantë, sepse mora një çmim prestigjoz ndërkombëtar, Çmimin Ndërkombetar Letrar të Qytetit të Kasinos. Para meje atë çmim e kanë marrë shkrimtarë të jashtëzakonshëm, si nobelisti Imre Kertetz. Fatmirësisht une flas frëngjisht dhe italisht, kështu që komunikimi me publikun është një kënaqësi e veçantë. Lexuesit e çdo vendi, apo akoma dhe të çdo krahine të një vendi, ndryshojnë nga njëri-tjetri. Kjo gjë e pasuron shumë një shkrimtar, sepse gjithmonë kur shkruajmë kemi në kokë një publik imagjinar që na lexon.
Isha edhe në Shqipëri. U gëzova që këtë radhë prezantimin e bëra në Kamëz, në një kolektiv të rinjsh që kanë krijuar një qendër kulturore “ATA”. Aty kuptova se si vëmendjen e njerëzve në Shqipëri e monopolizon keqas qendra (qoftë qendra e Tiranës apo e pushtetit) dhe pjesa tjetër është sikur nuk ekziston. Në Kamëz gjeta të rinj të etur për të lexuar, diskutuar, krijuar. Dhe kjo gjë më gëzoi pa masë. Sepse për mua jeta e vërtetë është jashtë qendrës dhe larg fasadave…

Gazmend Kapllani, një nga figurat më të përgatitura e më dinjitoze që na përfaqësojnë në mbarë botën.
Nuk jemi pasaporta që mbartim, por shoqëria e shteti ku jetojmë i jep asaj cilësinë. Kapllani lëviz peshoren e pasaportës shqiptare drejt cilësive të mira.
Shumë faleminderit për intervistën, Gazi. Uroj të kem përcjellë jo vetëm figurën tuaj intelektuale, por dhe njeriun që e vesh atë.

Intervistoi: Darina Zeqiri

Fotot: Linda Vukaj

*Rikthim per lexuesin