MENU
klinika

Zbulojeni!

Si mund ta eliminojmë dhimbjen?

17.06.2020 - 16:59

Para pak kohësh është botuar një libër me titull “Të njohësh vetveten” me autore Deila Steinberg Guzman, një kapitull i të cilit flet për eliminimin e dhimbjes. Duke e shpjeguar atë, ajo thotë:

Ekziston mundësia që dhimbja të mos reshtë ndonjëherë së qeni prezente, sepse jemi në një udhë zhvillimi progresiv. Ajo që mund të bëjmë është të fillojmë të zvogëlojmë shkaqet që na sjellin dhimbje.

Por si mund të arrihet kjo? Si mund të arrihet zvogëlimi i shkaqeve që na sjellin dhimbje?

Fillimisht duhet të kuptojmë dy gjëra:

a) Dhimbja nuk ikën, duhet ta largojmë.

b) Dhimbja nuk harrohet: ajo transformohet në një eksperiencë objektive.

Por dhimbja gjithashtu mund edhe të eliminohet. Autorja tregon mënyrën se si ajo mund të eliminohet:

Mendimet e drejta: një punë e përditshme për të dalë nga injoranca dhe për të arritur gradualisht te dituria, ashtu siç e këshillonte vetë i dituri Platon.

Mendimet tona do të jenë gjithmonë e më të drejta sa më shumë që të largohemi nga subjektivizmi, nga krenaria e mendimeve tona që i konsiderojmë superiore ndaj atyre të të tjerëve, nga dëshira për të pasur gjithmonë të drejtë.

Qëllimet e drejta: me pak fjalë, të zëvendësojmë egoizmin me bujari.

Veprimet e drejta: janë rrjedhojë logjike e disa mendimeve apo koncepteve të drejta dhe të qëllimeve bujare. Këtyre duhet t’u shtohet vullneti për të vepruar.

Fjalimet e drejta: na detyrojnë të mendojmë para se të flasim. Në vend që të themi gjënë e parë që na e shkaktojnë emocionet, duhet të llogarisim pasojën që mund të shkaktojnë fjalët tona. Duhet të kemi të qartë nëse duam të flasim me njerëzit apo duam thjesht të diskutojmë dhe të mbushim heshtjen me zëra bosh.

Mjetet e drejta të jetesës: nënkuptojnë një sjellje të moralshme. Të gjithë duhet të punojmë që të jetojmë… E megjithëkëtë, ka punë që bëhen pa dinjitet; nuk u referohemi punëve të rëndomta, por atyre që sulmojnë dinjitetin njerëzor nën mijëra fytyra të degjenerimit.

Përpjekja e drejtë: qëndron në përdorimin e energjive tona pa i shpërdoruar, por gjithashtu edhe pa koprraci. Kush përpiqet që të japë dhe të bëjë maksimumin, zgjeron limitet e aftësive të tij. Sa më shumë që ai të përpiqet, aq më shumë mundet.

Vëmendja e drejtë: vëmendja është fuqia më e lartë e vetëdijes dhe, nëse drejtohet mirë, është akoma më e fuqishme.

Përqendrimi i drejtë: qëndron në të qenët pjesën më të madhe të ditës në boshtin e vetëdijes tonë, duke eliminuar gradualisht luhatjet e saj emocionale dhe mendore.