MENU
klinika

Rritet numri i “vartësve”

Më pak të vetëpunësuar, mbi 9 mijë punonjës të rinj në privat

22.06.2020 - 13:09

Rreth 3 mijë qytetarë kanë hequr dorë nga biznesi i tyre gjatë vitit të kaluar në raport me vitin 2018. Referuar shifrave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i të vetëpunësuarve që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore ka rënë ndjeshëm në vitin 2019, ndërsa nga ana tjetër është rritur numri i kontribuuesve të punësuar në kompanitë private.

Konkretisht rezultojnë 418.552 kontribuues të punësuar në sektorin privat, apo 9432 individë më shumë krahasuar me vitin 2018. Shifrat tregojnë edhe tendencat që ka pasur tregu i punës, ku numri i atyre që kanë qenë “shef” të vetvetes është reduktuar ndjeshëm, kjo edhe për shkak të kostove që ka mbajtja e një biznesi, dhe numri i atyre që janë bërë “vartës” duke u punësuar nga punëdhënës në kompani private është rritur ndjeshëm.

Ndërkaq ecuri pozitive ka pasur sektori bujqësor, pasi numri i kontribuuesve është rritur me 2623 individë gjatë 2019, dhe po ashtu një rritje të lehtë, thuajse të pandjeshme kanë pasur shifrat e kontribuuesve vullnetarë dhe të atyre të punësuar në ndërmarrjet buxhetore.