MENU
klinika

Pra?

Ndërgjegje pa gjuhë s’ka. Po edhe gjuhë pa ndërgjegje prapë s’ka

24.06.2020 - 06:58

Arti bashkon në një ditë si të gjithë të tjerat krijesa modeste. Mund të ndodhë kudo. Në fakt, ndodhi në sheshin Skënderbej; në sy të tij. Të gjithë aty: njerëz prej mishi dhe gjaku, me veti të mira apo të këqija; të pabesë e miqësorë. Të fortë e qaramanë.

Arti është e vetmja urë që bashkon këtë shoqëri me solidaritetin apo konfliktet, për të trajtuar problemin e lirisë si një përbërës të domosdoshëm të binomit.

Për të personifikuar, pa dyshim, artin e të menduarit. E të dashurit. Bashkimin dhe mbarëvajtjen e respektit së pari midis shqiptarëve, mandej, vëllazërimin e kësaj bukurie midis popujve.

Duke na treguar dhe një herë se ndërgjegjja kombëtare vjen vetëm përmes kulturës. Dhe kultura duhet himnizuar përmes dashurisë dhe qytetarisë së komunikimit. Gjithçka fillon dhe mbaron aty. Te FJALA. Te GJUHA/ zgjidhja.

Qysh prej përkthimeve të teksteve përgjatë shekujsh, aty midis poezish e veprash, ne arrijmë të kuptojmë farën e jetës, enigmat e saj, prirjet filozofike, besimin në të vërtetën dhe zbulimin e dinjitetit për të fituar a jo përjetësinë.

TË MENDIMIT. TË DIJES. Për të bërë të mundur gjithë lëmshin që na përfaqëson dhe duke i dhënë një origjinë gjuhe Shqipërisë.

Virtuozitet i cili fillon me informacionin që marrim prej historisë së letërsisë, përkthimeve të shumë rubairave, të qindra fjalëve poetike që krijuan përgjatë shekujsh, kapituj të tërë. Të posaçëm për t’i dhënë konture kuptimi shkencës e që trajton artin e posacëm: në histori, arkitekturë, ekonomi, letërsi, muzikë. Duke ndërtuar simbole të posaçme me një dekadencë muzikalisht perfekte nga mendimtarë të kohës.

Pra, një shkollë që nuk njeh fund dhe që quhet Univers. Sa e përqafojmë ne, individitët e kohës moderne? Me vetëdije, sot; apo pa vetëdije, si dikur?

Konica, gjithnjë, në tematikat që trajtonte, vinte në pah problemet që karakterizonin natyrën kontradiktore të shqiptarëve duke mbrojtur kështu vlerat e mëdha kulturore dhe kritikuar organizimin e varfër shtetëror të pushtuar nga shpirti feudal. Apo problematika intensive e tema të sociologjisë bashkëkohore dhe religjoze të kulturës, të artit, të komunikimit, edukimit, moralit, e mediokritetit të qeveritarëve tanë, nismëtarë këta të fundit që u kthyen në objekt analizash dhe kritikash publike edhe nga Gjergj Fishta, qysh prej fillimit të shek. XX. Duke e zhytyr personalitetin profetik të kulturës së tij deri në kompleksitetin e marrëdhënieve familjare, duke marrë kështu objekt jetesën kanunore të martesës e jo vetëm, por deri veseve dhe huqeve bizantino-orientale të trashëguara nga rrethanat historiko-politike.

Pra, zhvillimi Shqipërisë kulturale, morale, etnike, duhet të dijë të flasë. Këtë thoshte dhe Noli. Zef Valentini; prifti katolik në Shqipërinë e Veriut, i cili njihet gjithashtu për kontributin e paçmueshëm që ka dhënë në fushën e albanologjisë, në fushën e mendimit filozofik, edukimit familjar, qytetar dhe shoqëror, të cilën e shpalosi në të përkohshmen dhe shtypin e kohës. Vangjel Koça gjithashtu, i cili, duke njohur mirë sociologjinë e varfër dhe të vështirë të jetës së shqiptarëve, vuri me kujdes dorën në plagët e shoqërisë, duke arritur të shquhet kështu në botën mendore të kohës si bashkëthemelues i lëvizjes ideologjike të neoshqiptarizmës. Sikundër dhe Et’hem Haxhiademi ndër ata autorë të anatemuar, i cili i trajtoi këto tema dhe në këndin teatror.

Pra gjithçka rretheqark e rrotull: Gjuhës.

Por çështja e gjuhës duhet parë jo nga një pikëpamje e ngushtë, a botëkuptime bazike, por në ato shkencore. Le ta bëjmë! Kjo është një temë shumë e gjerë për të pasqyruar fuqinë titanike të saj; ¨Pasqyrën e shpirtit kombëtar¨.

Por le të rilindë!

Jeta s’është vetëm në mendje, por edhe në zemër. Ngjeshur me racionalizëm dhe irracionalizëm. Mendimtari i hollë francez Ramon Fernandez shprehet se ¨Dashuria lind nga bashkimi dramatik i Dashurisë-Ndjenjë dhe hedh poshtë Dashurinë – Instikt¨.

Pra ç’t’i mësojmë shoqërisë shqiptare? A është shpëtimi tek arti?

Ngjason si një tjetër varg i gjatë që kumbon ritmet frenetike të revoltës sociale. Jemi në vitin 2017, e sërish nuk i shmangemi dot. Por, si duket, konceptet e reja me frymë të re, në strukturat formale të vjelura nga tradita; mbrëmë u gjallëruan. Pak gjatë po shkon, sepse i ramë nga Kina.

Por më mirë nga Kina drejt e në shesh. Aktivite të tilla duhen në prezencë të tij. Gj.K Skënderbeut! Aktiviteti që u zhvillua nga ¨Confucius Institute Day¨, hapi siparin e një shërbimi që na mungonte; Promovues i Gjuhës dhe Kulturës Kineze.

Erion Malaj, për Konica.al, rrëfen me rastin e 68-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës se:

¨Ideja për të zhvilluar aktivitetin nën siglën “Confucius Institute Day” lindi disa muaj më parë. Teksa bisedoja me Ambasadoren e R. P. Kinës në Shqipëri, Sh.S. znj. Jiang YU, tha ai, – i shpreha asaj dëshirën për të organizuar një event që të mund t’i shërbente qytetarëve të Tiranës për t’u njohur nga afër me gjuhën dhe kulturën Kineze. Pasi siguruam mbështetjen e saj, kontaktuam Bashkinë e Tiranës, në mënyre që të na mundësonte këtë event në një ndër pikat kyçe të qytetit, si p.sh. Sheshi Skënderbej. Rezultati ishte më se i suksesshëm, më shumë se një mijë persona morën pjesë dhe gjithashtu studentët më të mirë të Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës përfituan disa bursa nga Ambasadorja Jiang Yu. Marrëdheniet tregtare kino-shqiptare janë zhvilluar ndjeshëm, pasi bota mbarë tashmë ka një variant kinez për zhvillimin. Ka pasur këmbime dhe bashkëpunime të shumëllojshme në fushën arsimore, shëndetësore, artistike, mediatike dhe të drejtësisë. Një falenderim i veçantë i shkon edhe fotografit Altin R. Çelmeta për bashkëpunimin, shkrepjet e të cilit i sjell ekskluzivisht për ju Konica.al.

Marrëdheniet kino-shqiptare tashmë janë në korsinë e shpejtësisë së lartë, ndaj uroj që të shfrytëzohet prej nesh kjo miqësi e hershme, por e ndaluar për më se 20 vjet, e që tashmë duket se po rimerr sërish formë”.

Një aktivitet i cili vlen për t’u përshëndetur, veçanërisht këngëtaret e Institutit Konfuci, të cilat ia dolën të të ftonin në skenë përmes këngës… kënduar në gjuhën kinezishte. Ishte bukur.

Është! Sepse dëshirë e madhe e këtij mendimi enciklopedik duhet të jetë popullore mbi të gjitha. Dhe Folklori ynë është adhurues për të ristudiuar dhe dashur me një ndjenjë filozofike: këngën, legjendat, proverbat, përrallat apo fjalët e urta.

E meqë jemi këtu, le ta mbyllim me një proverb: …me rezultatin e asaj që arrihet ngadalë, nga ku populli na mëson se në punë duhet durim.

Sepse: “Puna pa da, ngre një kala!”