Ashtu siç Zoti krijoi gjenitë, ca gjeni krijuan vepra hyjnore.
Ashtu dhe gjeniu Ennio Morricone, krijoi vepra hyjnore. Emri i tij lidhet me filmat kult, të cilët koha nuk arriti t’i “oksidonte”. Muzika që ka shkruar, jo vetëm i ka rezistuar kohës, por ka bërë vend në memorien kolektive.
“Prindërit nuk dëshironin që unë t’i vuaja pasojat e tmershme që sillte realiteti. Prandaj, më zhvendosën nga realiteti dhe më vendosën të rroja në irealitet. Më vendosën të rroja në kinema, mes filmash. Jeta brenda në filma ishte utopike, ishte përrallore. Brenda në filma isha i mbrojtur. Jashtë filmave isha i privuar nga cdo e drejtë. Prandaj, jeta mes filmash kishte siguri, paqe dhe qetësi. Vetëm në filma isha i lirë. Vetëm në filma ishim të lirë.
Iu nënshtrova vullnetit të prindërve, duke u arratisur nga realiteti dhe duke u strehuar në filma. Me kohë, filmat m’u shndërrua në realitet ndërsa cdo gjë jashta saj ishte ireale. Për mua, bota jashta filmave ishte e gënjeshtërt. Bota brenda filmave u bë e vërtetë”, them në romanin tim të fundit.
Në shumë nga ata filma në të cilët kam jetuar ndër vite, muzikën e ka shkruar, komponuar, aranzhuar dhe dirigjuar, Morricone. Shumë nga ata filma, identifikohen me muzikën e Morricone-s. Madje, si rrallë kompozitorë, apo sikur asnjë tjetër, arrijë ta dëgjojë dhe shijojë muzikën e Morricone-s, pa e shikuar filmin.
Kam pasur kënaqësinë ta dëgjoj maestro Morricone-n në koncert. Ndjesia që krijonte muzika e tij, ishte hyjnore. Ai të zhvendoste nga bota jonë. Të merrte dhe të dërgonte në një botë tjetër. Përtej botës sonë. Të dërgonte në një lloj parajse. Nuk ishte parajsë mitologjike. As parajsë religjioze. Parajsa e Morricone-s ishte e vërtet. Ishte reale. Shijohej.
Koncerti kishte vetëm një të metë, kishte përfundim. Ndërsa dëshiroja të zgjaste pafundësisht. Ashtu sic njeriu dëshiron të rrojë në parajsë, përjetësisht.
Në amfiteatër, për ta dëgjuar koncertin, kishin ardhur shumë kryetarë shtetesh, shumë kryeministra, shumë ministra, përfshi edhe ata nga kultura. Por, në në amfiteatër kishte vetëm një lider dhe nuk ishte politik; ai ishte artist dhe quhej: Ennio Morricone.
E tërë vëmendja ishte vetëm te Morricone. Prania e kryetarëve, kryeministrave, ministrave, ambasadorëve, nuk kishte asnjë peshë. Të tërë ishin inekzistentë.
Aty e kam shijuar vogëlsinë e njeriut dhe madhështinë e njeriut; vogëlsinë e politikanit dhe madhështinë e artistit; inferioritetin e politikanit dhe qëndrimin e gjeniut.
Emrat e politikanëve nuk i mbaj në mend, por fytyrat e tyre inferiore po. Veprat e politikanëve nuk i mbajë në mend, por veprat e Morricone-s po.
Vetëm Arti i bën politikanët inferiorë. I bënë të përkulen para artistit.
(Tani e vërejta, se çdo gjë tek unë është politizuar. As edhe një shkrim, nuk arrij ta përshkruaj, pa i veshur atribute politike. Madje, as gjeniut Morricone. Politika na ka degjeneruar. Ju kërkoj ndjesë.)
Bota mbarë, do të duhej ta falënderonte Z. Morricone, që për dekada na sofistikoi duke na dhuruar kryevepra muzikore dhe që ndikoi në lartësimin e shijeve tona muzikore dhe filmike.
Morricone e ka krijuar parajsën. Shumë të gjallë, rrojnë çdo ditë në parajsë falë veprës së tij. Jam edhe unë, në mesin e tyre.
Nga: Arben I. Kastrati