Kush qëndronte pas hartimit të një plani të madh të rimëkëmbjes ekonomike, të bazuar tek solidariteti, kundër rrënimit ekonomik dhe social të shkaktuar nga një pandemia e Covid-19, e cila kërcënoi t’i jepte një goditje fatale kohezionit në Bashkimit Evropian?
Përgjigja qëndron tek një treshe: Kristin Lagard, Ursula Von der Lejen dhe Angela Merkel, tri gratë me personalitete dhe prejardhje të ndryshme, por secila në pozicionin e saj kryesor, diti të merrte vendimet e duhura në kohën e duhur.
Tri gratë, në të 60-at, nuk prisnin të bëheshin fanari ndriçues i këtij momenti delikat. Mendohej se, Merkel ishte në vitet e perëndimit në politikë. E konsumuar dukshëm pas 13 vitesh në pushtet në Berlin, “dekania” e liderëve evropianë kishte njoftuar në fund të vitit 2018, se do të hiqte dorë nga një mandat i pestë, si kancelare e Gjermanisë.
Von der Lejen, që disa muaj më parë u zgjodh presidente e Komisionit Evropian, ishte po aq e re sa Merkel, por kancelarja kishte më shumë përvojë. Ministrja jopopullore gjermane e Mbrojtjes, që u imponua si kryetare e ekzekutivit të BE-së, nga krerët e shteteve dhe qeveritë, mori vetëm një mbështetje me rezerva nga anëtarët e Parlamentit Evropian.
Kristin Lagard, ishte gjithashtu tërësisht e huaja për qarqet e Brukselit, kur u propozua nga Emanuel Makron, për të qenë drejtuese e Bankës Qendrore Evropiane (ECB). Fakti që ajo është grua, ishte domethënës në këtë përzgjedhje, në emër të barazisë gjinore për pozicionet kryesore në institucionet evropiane.
Ish-ministrja franceze e Financave, nuk kishte drejtuar më parë një bankë qendrore si paraardhësit e saj në Frankfurt; dhe nuk ishte as ekonomiste. A do ta dinte ajo, si të reagonte në rast krize? Ishte Lagard, ajo që pas një gabimi që i shërbeu si paralajmërim, u vu në vijën e parë të mbrojtjes përballë krizës.
Më 18 mars, presidentja e BQE-së, njoftoi se do të niste zbatimin e një plani masiv për të mbështetur ekonominë. Banka shpalli blerjen e 1.000 miliardë eurove borxhe të qeverive dhe brenda disa muajsh, pati një strategji që ishte më ambicioze sesa ajo e Rezervës Federale në SHBA.
Synimi ishte të lehtësohej presioni mbi normat e interesit dhe të largohej rreziku i copëtimit të eurozonës. “Kohët e jashtëzakonshme, kërkojnë veprime të jashtëzakonshme”- tha ajo, në atë kohë. Banka Qendrore shtoi përpjekjet në fillim të qershorit, duke akorduar 600 miliardë euro shtesë.
Lagard ka mësuar leksionet e krizës së vitit 2008, në krye të një banke qendrore, që tani po përdor të gjitha burimet në dispozicion. Merkelit i është dashur pak më shumë për të reaguar. Por tani, ajo po e kupton më në fund, se depresioni ekonomi në zhvillim e sipër, do t’i gjunjëzojë vendet e Evropës Jugore dhe mund të kërcënojë ndjeshëm tregun e përbashkët evropian.
Në limitet e saj, nga Gjykata e Lartë e Gjermanisë, që vuri në dyshim ligjshmërinë e veprimit të Bankës Qëndrore Evropiane, presidenca franceze e nxitin homologen e kujdesshme dhe të arsyeshme, të vepronte dhe të thyente tabunë e solidaritetit financiar.
Bashkë me Emanuel Makronin, ajo po propozon tashmë një fond rimëkëmbjeje prej 500 miliardë eurosh, të huazuar në mënyrë kolektive nga Bashkimi Evropian dhe të rishpërndara nga buxheti i BE-së, në vendet më të prekura.
Ishte kthesa e fortë e Merkelit, që do t’i japë mundësi Von der Lejenit të luajë rolin e vet. Kjo e fundit, që me fillimin e krizës bëri thirrje për bashkëpunim midis shteteve anëtare, duke prezantuar që në fund të muajit shkurt, programet e përbashkëta të blerjes se pajisjeve mjekësore mbrojtëse.
Ndërkohë, më 19 mars, organizoi krijimin e rezervës së parë të përbashkët në historinë e BE-së, për pajisjet mjekësore të urgjencës. Ndërsa, Parisi dhe Berlini e shohin të përshtatshëm bllokimin e eksportit të maskave, për të shmangur mungesën e rezervave për vendet e tyre, një Ursula empatike, u kërkoi ndjesë italianëve për mungesën e solidaritetit dhe reagimet egoiste të shteteve anëtare.
Pas marrëveshjes franko-gjermane të 18 majit, Komisioni Evropian i drejtuar Von der Lejen, ndryshoi ndjeshëm qasje, duke propozuar një plan të madh të rimëkëmbjes ekonomike dhe duke rritur në 750 miliardë euro, mbështetjen e BE-së ndaj vendeve anëtare.
Ky plan hodhi themelet për një union shëndetësor, duke propozuar mbrojtjen e industrive strategjike evropiane nga vendet e huaja, si Kina, përmes subvencioneve shtetërore. Ndërkohë, ai mobilizon fonde për kërkimet mbi vaksinën, të disponueshme për të gjithë.
Secila në fushën e vet dhe me përulësi, Kristin Lagard, Angela Merkel dhe Ursula Von der Lejen, kanë treguar vlerën e shtuar të Bashkimit Evropian, kur ecën përpara i bashkuar dhe me të njëjtat aspirata.