Një përzgjedhje ndryshe e FIFA-s për gjyqtarët e ndeshjes së radhës së Kombëtares shqiptare. Organi më i lartë qeverisës i futbollit botëror, për ndeshjen miqësore të Shqipërisë, ka caktuar gjyqtarë kosovarë.
Kombëtarja luan miqësoren ndaj Jordanisë, ditën e mërkurë, më 10 tetor në “Elbasan Arena”, para se të udhëtojë për në Izrael, për ndeshjen e tretë në Ligën e Kombeve. Ndërkohë, janë mësuar edhe gjyqtarët.
Interesant është fakti se trupa e arbitrave, vjen nga Kosova. Gjyqtari Genc Nuza, është caktuar të drejtojë takimin miqësor, ndërkohë që Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj, do të jenë asistentët e tij për këtë takim. Gjyqtar i katërt, do të jetë arbitri i Kategorisë Superiore, Juxhin Xhaja.
Ndeshja ndaj Jordanisë nis në orën 20:00 dhe duket se FIFA nuk e ka problem aspak nëse e gjykojnë gjyqtarë nga Kosova. Në fakt, ata janë profesionistë dhe vlerësohen për gjykimet e tyre, kështu që nuk pritet favorizim, për më tepër, është një ndeshje miqësore.