Është restauruar së fundmi, ikona “Lindja e Krishtit”. Puna mjeshtërore riktheu, duke rinxjerrë në pah vlerat e vërteta, të kësaj vepre të rrallë. Po ashtu, realizimi pa cënuar origjinalitetin, ka marrë vlerësimet pozitive nga autoritetet e ministrisë së Kulturës. Specifikisht, dallohet puna e specialistëve të laboratorit të restaurimit të veprave të artit, të DRTK Berat./Konica.al
Ministrja e Kulturës, Margariti, ka publikuar dy fotografi të ikonës, para dhe pas restaurimit, ku ndryshimi vërehet me sy të lirë.
“Puna e imtësishme, delikate dhe me pasion e restauruesve, ka nxjerrë në dritë një tjetër thesar, nga laboratori i restaurimit të veprave të artit, të DRTK Berat” – ka theksuar ajo.
Pas ciklit të Virgjëreshës, prezantuar brenda dymbëdhjetë festave të mëdha bizantine, ikona “Lindja e Krishtit”, përuron ciklin e Krishtit. Kjo ikonë e vjetër, i atribuohet të birit të Onufrit, Nikollës, si dhe ka qënë pjesë e Katedrales “Fjetja e Shën Marisë” në Kalanë e Beratit.
“Lindja e Krishtit” bazohet në Ungjillin sipas Mateut dhe Lukës, por edhe në protoungjillin e Jakomos. Skenat poshtë sfondit të ikonës përfaqësojnë pamjen e jashtme të Betlehemit, ndërsa në qendër të kompozimit përshkruhet Lindja e foshnjes së mbështjellë me pelena, që duket se ka dalë nga një shpellë.
Hera Lera