MENU
klinika

Kupat e Europës

Shqiptarët mund të eliminohen ose kualifikohen në tavolinë

04.08.2020 - 20:17

Siç dihet, katër ekipe nga Shqipëria do të marrin pjesë në kupat e Europës, pa harruar 3 kosovare dhe dy ekipet shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Tirana dhe Drita do të marrin pjesë në Champions League, ndërsa Kukësi, Teuta, Laçi, Gjilani, Prishtina, Shkëndija Tetovë dhe Shkupi në Europa League.

Të gjithë ekipet shqiptare presin të mësojnë emrat e kundërshtarëve me të cilët do të përballen. Por klubet shqiptare, ashtu si klube nga vendet e tjera që marrin pjesë në fazat e para të turneut, rrezikojnë të luajnë në fushë neutrale, apo edhe të humbasin sfidat në tavolinë për shkak të kufizimeve në udhëtim apo rregullave të karantinimit si rrjedhojë e Covid-19.

UEFA ka publikuar sot një material që tregon se si do të veprohet me turet kualifikuese që fillojnë këtë muaj. Ajo ka bërë të ditur se që në hedhjen e shortit do të merren parasysh të gjitha kufizimet e lëvizjeve mes shteteve të veçanta apo kërkesa për karantinimin e detyrueshëm në mbërritjen në një shtet të caktuar.

Që në këtë pikë mund të evitohet zhvillimi i ndeshjeve si pritëse në një vend të caktuar, duke i kaluar ato në fushën kundërshtare apo në një vend neutral që nuk ka kufizime të lëvizjeve për skuadrat e të dy vendeve.

Nëse një skuadër e caktuar si vendase nuk arrin të organizojë ndeshjen pa kufizime në vendin e saj apo në një vend neutral, atëherë ajo do të cilësohet përgjegjëse për mosorganizimin e ndeshjes dhe do të humbasë sfidën në tavolinë duke u eliminuar pa zbritur në fushë.

Ndaj në varësi të situatës së përhapjes së pandemisë, ekipet shqiptare rrezikojnë që të eliminohen nga aktivitetet pa zbritur në fushën e lojës nëse si pritëse nuk arrijnë që të sigurojnë zhvillimin e ndeshjeve në vendin tonë për shkak të kufizimeve të udhëtimit të kundërshtarëve si rrjedhojë e Covid-19.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN