Boris Johnson po nxitet të përshpejtojë negociatat me Bashkimin Evropian, në mes të frikës së shtuar se Mbretëria e Bashkuar po shkon drejt një tronditje të rëndë ekonomike si rezultat i një Brexit pa një marrëveshje tregtare.
Raundi i shtatë zyrtar i bisedimeve tregtare midis negociatorëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE përfundoi të premten me të dy palët ende shumë larg nga sigurimi i një marrëveshje të tregtisë së lirë deri në afatin e pranuar të vjeshtës.
Kryenegociatori i BE Michel Barnier dje tha se ai ishte “i zhgënjyer” dhe “i shqetësuar” nga mungesa e përparimit në bisedime. Ai gjithashtu tha se ishte “i befasuar” nga ajo që ai përshkroi si një refuzim të Britanisë së Madhe për “të ecur përpara” për çështje kyçe, pasi Kryeministri Johnson “na tha në qershor se ai dëshironte të shpejtonte procesin gjatë verës”.
“Shumë shpesh këtë javë ndihej sikur po shkonim mbrapa më shumë sesa përpara,” tha Barnier.
David Frost, njeriu që Johnson zgjodhi të drejtojë ekipin negociues të Mbretërisë së Bashkuar, tha se kishte pasur “përparim të vogël” në bisedime dhe se ndërsa një marrëveshje ishte “ende e mundur” është “e qartë se nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur”.
Ndjenja midis atyre që janë afër negociatave është se një marrëveshje ka të ngjarë të vijë në tetor. Por kjo do të ishte shumë vonë dhe do t’i linte bizneset me vetëm disa javë për t’u përshtatur me ndryshimet.