Protestat në SHBA kanë përfshirë edhe NBA. Lojtarët e dy ekipeve fillimisht refuzuan të dilnin të luanin në parket si shenjë proteste ndaj ngjarjeve të dhunës policore në SHBA me sfond racizmi.
Ngjarjet e rënda të kohëve të fundit ku polica ka qëlluar persona me ngjyrë të paarmatosur, kanë shtyrë yjet e NBA që të ndërmarrin këtë formë drastike proteste, ndërsa më parë kishin protestuar duke u gjunjëzuar apo me slogane të ndryshme.
Skuadra e Milëaukee Baucks, pretendente për titullin dhe favorite në ndeshjen ndaj Orlando Magic, duke kryesuar 3-1 serinë në play-off, ishte ajo që nisi këtë bojkot sot në sfidën e pare, duke refuzuar të dilte në fushë. Edhe kundërshtari refuzoi sapo mësoi këtë iniciativë.
Rreth një orë më vonë, NBA bëri të ditur se ishin anuluar të tre ndeshjet e planifikuara për sot, pasi vendimin për të bojkotuar sfidat do e mbështetnin edhe lojtarët e dueleve të programuara Oklahoma City Thunder-Houston Rockets dhe Los Angeles Lakers-Portland Blazers.
Më pas, ishte LeBron James i cili me një postim në rrjetet social tregoi të gjithë inatin e tij rreth asaj që ndodhte. “Ne kërkojmë ndryshim, na ka ardhur në majë të hundës”. Një mesazh mëse i qartë, drejtuar presidentit Donald Trump.
FUCK THIS MAN!!!! WE DEMAND CHANGE. SICK OF IT
— LeBron James (@KingJames) August 26, 2020