MENU
klinika

Presion për Xi?

Tajvani bleu avionët amerikanë/ Si do të reagojë Kina?

28.08.2020 - 20:02

Marrëveshja e Tajvanit këtë muaj për të blerë avionë luftarakë të avancuar F-16 me vlerë 8 miliardë dollarë nga Shtetet e Bashkuara pritet të nxisë reagime kërcënuese nga Kina kundër ishullit dhe nga ana tjetër mund të shkaktojë më shumë veprime anti-Kinë nga Uashingtoni, por përfundimisht do të ndihmojë në mbajtjen e Pekinit larg, thonë ekspertët.

Presidenti amerikan Donald Trump miratoi shitjen një vit më parë të të paktën 66 avionëve të këtij modeli dhe këtë muaj Tajvani nënshkroi një marrëveshje për t’i blerë ato deri në vitin 2026 nga kompania amerikane që operon në fushën e mbrojtjes “Lockheed Martin Corp”. Kjo do të jetë marrëveshja e parë këtij lloji me Tajvanin që kur qeveria amerikane miratoi një shitje prej 150 avionesh të modelit F-16 në 1992.

Shitja tashmë e ketyre avionëve shënon zhvillimin më të fundit në marrëdhëniet ushtarake, politike e tregtare mes Kinës dhe SHBA-së.

Duke pasur parasysh ato që kanë ndodhur mes Pekinit dhe Uashingtonit, kinezët mendojnë se kjo është thjesht një masë tjetër e zakonshme e administratës Trump në qasjen e tyre anti-Kinë“, thotë Yun Sun, bashkëpunëtor i Programit të Azisë Lindore në qendrën Stimson, një organizatë kërkimore në Uashington.

Pekini e sheh Tajvanin si pjesë të territorit të tij dhe këmbëngul që të dy palët përfundimisht të bashkohen përkundër kundërshtimit të gjerë të popullit tajvanez. Mosmarrëveshjet datojnë prej luftën civile kineze të viteve 1940, kur nacionalistët humbën përballë komunistëve dhe rivendosën qeverinë e tyre në Tajvan. Kina, që ka ushtrinë e tretë më të fuqishme në botë, nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës nëse do të ishte e nevojshme për të marrë përsëri Tajvanin.

Nga ana tjetër SHBA-ja dhe Kina i kanë bllokuar njëra-tjetrës shërbimet e internetit, kanë mbyllur konsullatat dhe që prej vitit 2018 janë përfshirë në një mosmarrëveshje tregtare. Shitja e armëve është pjesë e kësaj beteje, thonë ekspertët.

Sa herë që SHBA-ja dhe Tajvani bëjnë diçka së bashku, Kina është e detyruar të përgjigjet dhe kjo përgjigje natyrisht do të përshkallëzojë tensionin, sepse ky është cikli i veprim-reagimit“, thote zoti Sun.

Kina ka rritur manovrat ushtarake pranë Tajvanit që nga muaji qershor. Më 10 gusht, forcat ajrore kineze dërguan për pak kohë aeroplanët në një rajon që ndan zonën ushtarake ajrore të Tajvanit nga Kina. Avionët kineze e kanë përshkuar këtë zonë ajrore të paktën tetë herë të tjera në qershor.

Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës ka zhvilluar ushtrime me mjete lundrimi amfibe në brigjet e jugut të Kinës gjithashtu “në një kohë kur SHBA ka kryer shpesh aktivitete ushtarake provokuese pranë ishullit të Tajvanit”, raportoi në internet faqja e lajmeve e kontrolluar nga shteti kinez, “Global Times” më 9 gusht. Kjo e fundit parashikonte më shumë ushtrime gjatë javëve të ardhshme.

SHBA-ja duhet të paralajmërohet dhe nuk duhet të bëjë lëvizje të rrezikshme për të shmangur gjykimet e gabuara që asnjëra nga palët nuk do të dëshironte t’i shihte“, thotë Global Times, duke cituar disa analistë.

Blerja nga ana e Tajvanit e avionëve F-16 tregon se Uashingtoni është i vendosur t’i bëjë presion Kinës, thotë Sean King zëvendës president i “Park Strategies” një kompani konsulencash politike.

Kina është mësuar në një marrëdhënie më të ngushtë ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe zgjidhjen e çështjeve politike përmes diplomacisë. “Sjellja e fundit” mund të shënojë një “epokë të re në politikën e jashtme kineze, që pasqyron forcën dhe ambiciet në rritje të vendit”, shkruan presidenti i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë Richard Richard Haas në një koment më 13 gusht.

Sidoqoftë Kina nuk mund të bëjë më shumë se kaq si reagim ndaj shitjes së avionëve luftarakë dhe lëvizjeve të tjera specifike ushtarake të Uashingtonit thonë analistët. Aktiviteti amerikan i kujton Kinës se Uashingtoni mund ta mbrojë Tajvanin nëse sulmohet, thotë zoti Sun. Zyrtarët komunistë do të vepronin “hapur” kundër Tajvanit vetëm nëse ata do të kishin një konsensus më të fortë brenda partisë së tyre qeverisëse dhe liri nga çështjet e brendshme ekonomike, përfshirë çështjet e tregtisë me Shtetet e Bashkuara, thotë Alexander Huang, profesor i studimeve strategjike në Universitetin Tamkang në Tajvan.

Zyrtarët kinezë kanë qenë më pak kritikë këtë herë në krahasim me reagimet e tyre ndaj shitjeve të mëparshme të armëve amerikane në Tajvan, thotë zoti King. “Kjo mund të jetë për shkak se Pekini po merr kaq shumë goditje nga Uashingtoni në këtë moment që nuk është plotësisht e sigurt se cilit prej tyre t’i japë përparësi”, thotë ai./voa