MENU
klinika

Arritje e madhe!

Përdorimi i valvolave kardiake te njerëzit!

11.10.2018 - 18:04

Jo shumë kohë pas zëvendësimit të parë valvolar kardiak me një protezë mekanike, kirurgët filluan të shikonin mundësinë e valvolave me karakteristika më të mira për organizmin duke përfshirë edhe valvolat biologjike.

Valvolat kardiake biologjike janë valvola nga kadavrat e kafshëve ose të njerëzve. Valvola homografte e parë aortike u përdor në vitin 1962 për të zëvendësuar valvolën mitrale te një pacient dhe valvolën e aortës te një pacient tjetër, por me një mbijetesë shumë të shkurtër.

Homograft quhet kur një organ apo porcion i një indi i marrë nga një donator i vendoset marrësit që i përket të njëjtës specie me donatorin, për shembull njeriu – njeriut.

Në të njëjtin vit Dr. Donald Ross në Angli raportoi rastin e parë të suksesshëm të implantimit të homograftit të parë të valvolës së aortës. Ai vendosi valvolën e re në pozicionin normal të valvolës së aortës. Një muaj më vonë Sir Brian Barratt-Boyes realizoi të njëjtin intervent në Zelandën e Re. Menjëherë pas suksesit të parë Dr. Ross filloi të zhvillonte një teknikë të re.

Në vitin 1967, ai përdori valvolën pulmonare të vetë pacientit për të zëvendësuar valvolën e aortës që ishte tepër e dëmtuar. Më pas një homograft valvolar aortik apo pulmonar u përdor për të zëvendësuar valvolën pulmonare të pacientit. Kjo procedurë sot njihet me emrin “Operacioni i Ross” dhe aktualisht rekomandohet për pacientë të rinj të cilët kanë indikacion për zëvendësimin e valvolës pulmonare.

Janë përdorur edhe shumë inde të tjera për të realizuar protezën valvolare biologjike sikurse perikardi, fascia lata, inde të tendineve, dura mater që është një cipë që rrethon trurin etj.

Në vitin 1960, kardiokirurgët filluan të eksperimentonin valvola të krijuara me inde të kafshëve të cilat quheshin ndryshe edhe ksenografte (ksenografti është një pjesë indi apo organ i marrë nga një specie dhe e vendosur në një specie tjetër.

Për shembull, valvolat kardiake të derrit përdoren për të krijuar valvola të reja që përdoren për të zëvendësuar valvolat kardiake te njeriu).

Interventi i parë i këtij lloji u bë në vitin 1964 nga Drs. Carlos Duran dhe Alfred Gunning në Angli, të cilët zëvendësuan valvolën e aortës së një pacienti me valvolën kardiake të derrit. Rezultatet pas interventit ishin të mira, por këto valvola bëheshin insufiçiente pas pak vitesh.

Në Francë, Dr. Alain Carpentier do të raportonte që në 12 pacientë që i ishin nënshtruar zëvendësimit valvolar me valvolat kardiake të derrit, bëheshin insufiçientë brenda pesë vitesh nga momenti i implantimit.

Si rezultat, Dr. Carpentier zhvilloi një teknikë të re për t’i fiksuar valvolat e derrit me një substancë kimike të quajtur glutaraldehide në vend të ‘formaldehyde’ që përdorej deri në atë moment.

Për më tepër, Dr. Carpentier, i fiksoi valvolat e derrit në një unazë sintetike e cila i lejonte valvolës të përdorej si për të zëvendësuar valvolën mitrale dhe atë trikuspidale. Më vonë Carpentier do të shkruante:

“U bë mëse e qartë që e ardhmja e valvolave biologjike do të varej nga metodat e përgatitjes dhe fiksimit të tyre të afta që të parandalonin reaksionin qelizor inflamator si dhe penetrimin e indeve. Njohuritë e mia në kimi ishin të pamjaftueshme.

Kështu, vendosa të braktisja kardiokirurgjinë për dy ditë në javë dhe të ndiqja programin mësimor në kimi në Fakultetin e Shkencave dhe të përgatisja doktoraturën në Universitetin e Parisit. Sigurisht, nuk ishte diçka e lehtë të ishe student në kimi në moshën 35-vjeçare dhe njëkohësisht profesor i asociuar në kirurgji.

Fillova të studioja një sërë elementësh dhe më në fund gjeta ‘glutaraldehidin’ si një substancë e cila pothuajse eliminonte plotësisht reaksionin inflamato.”