Paraqitjet e mira të Shqipërisë U21 në ndeshjet e fundit ka sjellë menjëherë ndryshime në organikën e kombëtares së madhe. Është zbuluar lista e lojtarëve të ftuar për grumbullimin e këtij muaji të kombëtares dhe në listë shohim një revolucion të madh në zgjedhjet e Edi Rejës.
Sherif Kallaku ka arritur të fitojë menjëherë pas kalimit në Kroaci një vend në kombëtare, teksa e njëjta gjë vlen edhe për Albi Dokën. Tiranasi ka shkëlqyer te Gorica në Kroaci dhe pritet të zëvendësojë Elseid Hysajn në tri ndeshjet e programuara, teksa shihet si një lojtar ideal për skemën 3-5-2 të Rejas.
Një tjetër emër i ri është mbrojtësi i Lokomotiva Zgareb, Jon Mersinaj, i cili ka fituar vend titullari këtë sezon me kroatët dhe do provojë t’i bëjë konkurrencë yjevve të tjerë që Shqipëria ka në difensivë. Gjithashtu edhe Enis Çokaj ka mundur të fitojë besimin e Rejës dhe të marrë ftesë.
Surprizë e madhe është grumbullimi i Marko Mollës, portieri i të rinjve të Bolognas, të cilin Reja e ka bindur dhe e ka bërë menjëherë pjesë të kombëtares së madhe, teksa më parë është aktivizuar me të rinjtë e Italisë. Kombëtarja do të luajë miqësore me Armeninë më 8 tetor, më 10 në Kazakistan për Ligën e Kombëve dhe 14 në Lituani.
Surprizë e madhe është mungesa e Hysajt dhe katër lojtarëve të sulmit, Roshi, Balaj, Cikalleshi, Sadiku, që prej vitesh mbajnë peshën e ofensivës, por këtë herë stafetën ia kanë lënë emrave si Vrioni, Manaj, Seferi, Kamberi e Broja dhe do duhet ta shohin kombëtaren nga televizioni tashmë.
TË GRUMBULLUAR
Portierë: Thomas Strakosha, Etrit Berisha, Marco Molla
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Kastriot Dermaku, Marash Kumbulla, Lorenc Trashi, Ramen Çepele, Hysen Memolla, Enea Mihaj, Jon Mersinaj, Albi Doka, Frederik Veseli
Mesfushorë: Ermir Lenjani, Keidi Bare, Lindon Selahi, Myrto Uzuni, Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Sherif Kallaku, Enis Çokaj, Endri Çekiçi
Sulmues: Armando Broja, Florian Kamberi, Rei Manaj, Xhakomo Vrioni, Taulant Seferi