MENU
klinika

Nëna pa birin e vetëm...

Flutura Açka ka një peng: një mesazh mbi dhimbjen e jetën…

17.10.2020 - 16:24

        Teksa ka promovuar librin e saj, më të veçantin, Flutura Açka rrëfen sesi e ka përjetuar humbjen e të birit dhe se, ishte e pamundur të mos shkruante për të. Ditën e sotme, e ftuar në prej studiove televizive, shkrimtarja dhe nëna që i mungon biri i vetëm, ka një mesazh drejtuar gjithë shoqërisë, mbi jetën dhe dashurinë

“Ishte një gërryerje e madhe, nuk e dija nëse duhej ta botoja librin apo jo. Më dukej sikur po bëja një ‘pabesi’, që merresha me një gjë që ishte aq e madhe e kishte bërë kthesë në jetën time. Kur dalë në studio, dal si shkrimtare, jo si nënë që ka nevojë t’i qahet lexuesit”, e nisi mesazhin e saj shkrimtarja, gjatë intervistës së fundit dhënë për mediet.

Më tej, me fjalë rrëqethëse dhe dhimbjen që i sëmbon zemrën, shkrimtarja iu drejtua të gjithë qytetarëve, duke u kërkuar të jenë njerëz të mirë dhe ta jetojnë jetën bukur, pasi e keqja është e pavlerë; ndërsa shtoi se një nënë që humb fëmijën e saj, nuk duhet gjykuar kurrë, pasi ajo nuk i përket më kësaj bote”.

“Asnjëherë nuk duhet gjykuar prindi që ka humbur fëmijën, pasi ai nuk i përket më kësaj bote. Nuk duhen gjykuar kurrë. Kam pengje dhe pengu im i vetëm është rinia e tij. Edhe kur qaj, qaj për rininë e tij. Jeta ime është ridimensionuar. Vdekja ka marrë tjetër dimension, vdekja është sovranja ime, sepse më ka marrë gjënë më të shtrenjtë”, – është shprehur shkrimtarja e njohur.

Intervista e plotë:

Si ndiheni sot?

Ndihem më e qetë, e kuptoj edhe vetë, pavarësisht atij vakumi që të krijon vepra letrare. Në rast tim ky vakum ishte edhe më i madh, unë jam akoma në atë shtjellën e vakumit. Libri, pavarësisht se një pjesë e tij është kronologjia e fatalitetit tim, është libër për jetën.

Kam dëgjuar dhe njerëz që stepen për ta lexuar librin nga frika e përjetimit të ndarjes përgjithmonë me më të shtrenjtin, e keni ndier këtë?

E kam ndier, disa lexues më kanë shkruar madje se e kanë filluar veprën dhe e kanë lënë pa lexuar. Ajo që unë besoj se ky libër ka është se ka një lloj thyerje, një mozaik, në momentin kur unë mendoja se kisha rënë në pezmë, pikërisht aty po fluturoja. Të dish të menaxhosh dhimbjen, që ndryshon katarcapërisht jetën tënde. Libra të tillë janë të rrallë dhe bota thuajse e ka të pamundur të pranojë humbje të tilla. Në momentin që ti humb fëmijën, ti ke humbur të ardhmen time. E ardhmja ime tani është e shkuara ime.

Thonë se në libër gjen edhe shumë dashuri…

Më shkruante një vajzë e re dhe më thoshte ‘zonjë nuk e kisha lexuar librin, por e lexova dhe nëse një ditë do të bëj fëmijë, unë do të të ngjaj ty. Kjo është bibla ime’. Ai është libri im, është shumë i sinqertë. Në çdo fjalë e rresht është i sinqertë. Ndryshe nga librat e tjerë të mi, që kanë dhe stilin, këtë libër e kam lënë të rrjedh vetë, nuk ka asnjë sforcim. Aty janë 20 vitet e arta të jetës sime, vitet që m’i mbushi me frymëzim, pasion fëmija im.
Çdo nënë po të pyesësh, të re apo të moshuar, ashtu i thotë fëmijës ‘bir’, qoftë vajzës apo djalit. Kështu që kjo ishte fjala më e përshtatshme. Nuk është fjala për fëmijën tim, nuk është fare emri i tij në libër, por është një personazh që është brenda meje, është i imi. Më kujtohen fjalët e tim eti, kur thotë ‘shpirti nuk mbaron kurrë së dhëni dashuri’.

Si ia keni dalë të kaloni kufirin nënë-shkrimtare, të mos e shprehni të gjithë vajin e një nëne në libër?

Çdo raport nënë-fëmijë është i veçantë, raporti ynë ka qenë shumë edhe intelektual dhe kjo më ndihmoi të çaja këtë qelq të fortë të vetmisë sime. Shkrimtarja e ka vrarë shumë herë nënën në libër, në mënyrë që të mos bëhet qaramane. Unë kam thënë gjithçka çfarë ndjej unë, por duke kaluar edhe përtej, duke i transmetuar si shkrimtare.
Javët e fundit të jetës së tij shqetësimi i tij i vetëm ishte çfarë do të ndodhte me mjedisin tim, me të ardhmen time. Fëmijët në moshë të tillë, kur ndodhen para dramave të tilla, sikur fitojnë një shqisë shumë të fuqishme. Kur djali im e mori vesh që nuk kishte rrugë tjetër, përpos kësaj, për të kaluar, prapë ai mundi të vërë një balancë. Ishte ai që më mësoi si të sillem. Asnjëherë nuk duhet gjykuar prindi që ka humbur fëmijën, pasi ai nuk i përket më kësaj bote. Nuk duhen gjykuar kurrë. U mundova të vë një balancë mes dhimbjes sime dhe asaj që shkrova dhe i pari që më mësoi për këtë ishte im bir. Ishte ai që më bënte me turp. Nga ai moment kur e kuptova se po humbja minuta shumë të vyera, ndryshova dhe thashë se unë nuk jam më ‘nëna’, por shkrimtarja që ka detyra. Ajo nënë ka vdekur përgjithmonë. Libri është një gjë universale.

Keni ndryshuar botëkuptimin për jetën dhe vdekjen?

Kur shoh njerëz, edhe politikanë, që gërçiten, them sa njerëz të vegjël janë. Gjërat e bukura, për mua tani kanë një tjetër sens, njerëzit duhet ta jetojnë jetën bukur. Kam pengje dhe pengu im i vetëm, është rinia e tij. Edhe kur qaj, qaj për rininë e tij. Jeta ime është ridimensionuar. Vdekja ka marrë tjetër dimension, vdekja është sovranja ime, sepse më ka marrë gjënë më të shtrenjtë. Por, deri te vdekja kemi shumë për të bërë. Lumë kush ikën atje njeri i bukur, se shohim njerëz të shëmtuar shumë rreth nesh, që na marrin frymën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Flutura Açka

Ikin, ikin shqiptarët…


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale