Paratë e naftës po bëjnë ligjin edhe në sport, sidomos në futboll. Investitorë të fuqishëm nga bota e arabe janë të pranishëm në disa nga klubet më prestigjoze të Europës dhe botës. Mjaftojnë të përmendim dy klube, PSG në Francë dhe Manchester City, aktualisht kampionë në vendet respektive.
Por duket se një tjetër do të kalojë në pronësi të miliarderëve arabë. Princi i Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman, i cili ka një pasuri familjare prej 964 miliardë euro, është duke planifikuar ta blejë Manchester United. Ai pritet të takohet gjatë kësaj jave me një person nga bordi drejtues i klubit.
Salman, i cili për momentin mban pozicionin e dytë më të lartë në qeverinë arabe pas mbretit, dëshiron të sfidojë pronarët arabë të Manchester City në Premier League.
“33-vjeçari dëshiron ta fillojë karrierën e tij në botën e futbollit dhe e vlerëson klubin anglez, në pronësi në familjes amerikane Glazer, si klubi i përsosur për investimet e tij,” – raporton The Sun.
Kjo blerje mund t’i kushtojë atij mbi 4 miliardë euro, por ka mundësi që ai t’i blejë vetëm një pjesë të aksioneve. Ende mbetet e paqartë nëse familja Glazer është e gatshme ta shesë klubin. Ata nuk kanë komentuar një gjë të tillë që nga koha kur e kanë blerë atë fillimisht, në vitin 2005.
Edhe pse tifozët e klubit nuk i duan ata aspak, deri më tani kjo gjë nuk ka ndikuar tek amerikanët. Vlera aktuale e klubit vlerësohet të jetë rreth 3 miliardë euro, që është më e ulët se vlera që e kishte klubi në muajt paraprak të këtij vitit, 4 miliardë euro.