Sonte, në orën 20:45, luhet një nga klasiket e futbollit europian, një nga duelet më të forta të botës, Francë-Gjermani. Dy kampionet e fundit të botë, Gjermania në 2014-n dhe Franca në vitin 2018, vijnë në këtë përballje shumë ndryshe nga herët e tjera.
Franca ka në dorë edhe fatin e trajnerit Joachim Löw, pasi nëse Gjermania e tij humb, mund të kemi dorëheqje ose shkarkim. Trajneri është vënë në qendër të kritikave në Gjermani dhe sipas specialistëve, koha e Löw ka perënduar, duke dashur të hapin një kapitull të ri.
Gjermania nuk fiton që nga ndeshja e Botërorit 2018 kundër Suedisë, e vendosur vetëm në sekondat e fundit nga Kroos. Pastaj humbje ndaj Koresë së Jugut dhe eliminim nga Botërori, një barazim me Francën në shtëpi dhe para 3 ditësh humbja e turpshme 3-0 në Holandë.
Një humbje sot ndaj Francës do të thoshte kapitullim pa kushte edhe në Ligën e Kombeve dhe për Gjermaninë kjo është shumë. Kampionët në fuqi të botës për momentin kryesojnë në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Holanda ndjek nga afër me vetëm një pikë më pak.
Në 12 ndeshjet e fundit, “Die mannschaft” ka mposhtur vetëm Arabinë Saudite, Suedinë dhe Perunë, madje dy prej këtyre kundërshtarëve Gjermania i ka mundur vetëm në çastet e fundit.
Në krahun tjetër, një fitore në kryeqytet me shumë gjasa do t’i kualifikojë futbollistët e trajnerit Deschamps për në fazën gjysmëfinale të këtij divizioni, për më tepër Franca nuk njeh humbje në katër përballjet e fundit ndërmjet tyre.