MENU
klinika

Pierre Auguste Renoir

Impresionizmi ose lumturia në gjërat e thjeshta

03.12.2020 - 15:02

        Renuar është një nga zëdhënësit e impresionizmit, pikturat e tij janë himn i optimizmit dhe bukurisë që mbartin gjërat e vogla, për gëzimin e të jetuarit.

Sot bota e artit kujton një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Pierr-August Renuar, piktori francez, i lindur më 25 shkurt 1841 në Limoges dhe vdiq më 3 dhjetor 1919, në Cagnes-sur-Mer, një qytet në jug të Francës, ku sot ndodhet muzeu kushtuar artistit. Një artist pjellor, Renuari ka krijuar mbi një mijë piktura. Stili i tij, i ngrohtë dhe sensual, ka lejuar që punimet e tij të jenë ndër më të njohurat, shpesh të riprodhuara në historinë e artit. Veprat e tij të artit kanë një emërues të përbashkët: gëzimin për të jetuar, lumturinë për të shijuar jetën këtu dhe tani./Konica.al

Falë shitjes së tablove, në 188, Renuar udhëtoi në Algjeri dhe Itali, ku  u magjes nga pikturat e Rafaelit dhe afresket e Pompeit. Në fillim të viteve 1900, për shkak të problemeve nga reumatizmi, u zhvendos në jug të Francës për një klimë më të butë: vendbanimi i fundit, në Cagnes-sur-Mer, tani është muze. Vdiq më 3 dhjetor 1919, në moshën 78-vjeçare, pas një pneumonie: sapo kishte mbaruar “Larëset”. U varros në Essoyes, pranë bashkëshortes, e cila vdiq vetëm disa vite më parë.

Pavarësisht fatkeqësive që e goditën artistin gjatë ekzistencës së tij, moivi i përbashkët i të gjitha veprave është sigurisht optimizmi dhe gëzimi për të jetuar: Renuar dëshiron të komunikojë faktin, se lumturia nuk matet në bazë të pasurisë, nga shuma që zotëroni, por në bazë të gjërave të vogla që i bëjnë ditët unike, të tilla si një drekë me miqtë ose një vallëzim i lumtur. Subjektet e tij kërcejnë, argëtohen, qeshin, sikur të mbeteshin përherë të rinj, duke e shijuar në maksimum jetën. Pikturat e Renuarit arrijnë t’i përcjellin kaq mirë ndjenjat, saqë ne thuajse bashkëveprojmë me temat e ndryshme festive që ai përfaqëson. Bukuria dhe aftësia e piktorit është pikërisht transferimi i pjesëmarrjes emocionale intensive dhe të rafinuar. Situatat e përshkruara janë ato të jetës së zakonshme dhe të përditshme, që i bëjnë ditët unike: harmonia dhe natyrshmëria e gjesteve të subjekteve na ndihmojnë të marrim pjesë, duke na treguar edhe detajet më të veçanta./Konica.al

Si shumë kolegë të tijët, Renuari pëlqente të pikturonte në ajër të pastë (En plein air), një metodë pikture në modë, sidomos në shekullin XIX, e përdorur gjerësisht nga impresionistët, të cilët në këtë mënyrë mund të kapnin thelbin e vërtetë të gjërave, të ndriçuar nga nuancat e dritës. Ndryshe nga artistët e tjerë impresionistë, Renuar favorizon si subjekt burrin, të portretizuar në situata intime, mbi të gjitha gruan, duke u mahnitur nga format dhe emocionet e saj. Nga fundi i vitit 1860, përmes praktikës en plein air, së bashku me mikun e tij, Klod Mone, Renuar zbuloi se ngjyra e hijeve nuk është kafe ose e zezë, por korrespondon me ngjyrën e reflektuar nga objektet që i rrethojnë. Një nga pikturat më të njohura të Renuarit është “Vallëzimi në Moulin de la Galette”, (Le Bal au Moulin de la Galette), në 1876, ku përfaqësohet një skenë në natyrë, e mbushur me njerëz në një vallëzim popullor. Protagonisti i vërtetë i pikturës është lumturia dhe zemërdlirësia e parisianëve. “Moulin de la Galette” ishte një vend, ku edhe klasat më pak të favorizuara mund të mblidheshin për të kërcyer: kishte shumë të rinj që i kalonin pasditet e tyre të fundjavës duke pirë, duke ngrënë, duke kërcyer dhe diskutuar, në një mjedis mondan. Renuar paraqitet si “romancieri” i një momenti të jetës popullore në Paris. Në plan të parë ka një tryezë miqsh, që pinë dhe argëtohen, bisedojnë; gjestet janë jashtëzakonisht të natyrshme dhe të gjalla. Dy vajza me fytyra rrezatuese dhe të shkujdesura, spikasin në shakullinë e subjekteve që rrethojnë tryezën. Pas tavolinës është përshkruar një turmë që vallëzon, e shoqëruar nga orkestra, e përshkruar me kaq shumë detaje, saqë duket sikur jemi pjesë e tyre, madje dëgjojmë muzikën dhe melodinë.

Punimet e Renuarit janë një himn për optimizmin, për të shijuar jetën: është sikur artisti të na thoshte, se i gjithë ari në botë nuk mjafton për të kaluar orë të këndshme në shoqërinë e miqve dhe të dashurve në rrethin e varkëtarëve ose në “Moulin de la Galette”. Lumturia e vërtetë përbëhet nga gjëra të vogla, për t’u shfrytëzuar dhe përjetuar gjatë gjithë ekzistencës tonë./Konica.al