Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias kritikon politikën e Turqisë të qeverisë gjermane para samitit të BE në Bruksel. Grekët ndjehen të lënë vetëm nga presidenca gjermane e BE në grindjen për gazin me Turqinë.
Sfondi: Prej muajsh Greqia dhe Turqia grinden për burimet në pjesën lindore të Detit Mesdhe, dhe të dyja shpresojnë për mbështetjen e Berlinit. Nën eskortën ushtarake, anije kërkimore turke janë herë pas here në veprim para ishujve grekë dhe në perëndim të Republikës së Qipros. Me mbështetjen e Francës dhe Austrisë, Athina kërkon sanksione kundër Turqisë. Gjermania duket më shumë e prirur të ruajë distancën dhe të ndërmjetësojë mes palëve. Në fund të tetorit, ministri i Jashtëm, Dendias kërkoi në një letër për ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ndalimin e eksportit të armatimeve për Turqinë, por deri tani pa sukses.
Rol i vështirë ndërmjetësimi
Politikanë të tjerë grekë e shprehin më hapur pakënaqësinë e tyre: Në fushën e politikës së jashtme, presidenca gjermane e BE ka dështuar tërësisht, kritikon Angelos Syrigos, deputet i konservatorëve qeverisës
në intervistë televizive. Kurse gazeta konservatoro-liberale, “Kathimerini” publikoi opinionin e analistit të njohur, Kostas Iordanidis, i cili thekson, Turqia dëshiron ndërmjetësimin përmes kancelares, Angela Merkel me shpresën, se shkelja aktuale e së drejtës ndërkombëtare është një pikënisje e mirë për negociata të ardhshme.
Kurse analisti Jorgos Kapopoulos paralajmëron në gazetën me orientim të majtë, „Gazeta e redaktorëve” nga një politikë „appeasement” – të zbutur kundrejt Ankarasë. Kurse për politologun, Aleksandros Despotopolous është e qartë: „Gjermania e ka forcuar Turqinë. Ne përjetojmë këtë herë njëEuropë gjermane, jo një Gjermani europiane.”
Konstantionos Filis, drejtor kërkimor në Institutin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Athinë përpiqet të analizojë rrjedhën e ngjarjeve. „Në muajt e kaluar e pikërisht në presidencën gjermane të BE, Turqia përpiqet të zgjojë përshtypjen e të veçuarës. Gjermania, vendi më i fortë i Europës i ndihmon asaj në këtë pikë, ose nuk është në gjendje të ndalë politikën e saj agresive dhe të gjejë një zgjidhje europiane.” Filis thotë, se Gjermania si negociatore ka dështuar. Nuk ka çudi që zërat kritikë kundër Berlinit janë rritur.
Greqia nuk është vetëm
Samitin e dhjetorit (10./11.12) të BE, Jorgos Tzogopoulos, docent për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Trakisë e quan një fushë të minuar diplomatike. Edhe ai e krahason gjendjen aktuale të Athinës me atmosferën e rëndë gjatë kohës së krizës së borxheve. Por ka një dallim themelor sipas tij. “Ndryshe nga viti 2010, Greqia nuk është e vetme dhe izoluar.
Shumë vende të tjera, në krye të të gjithave, Franca, kërkojnë po ashtu masa të ashpra kundër Turqisë.” Eksperti i politikës thotë për Deutsche Wellen, se nuk beson, se në samitin e BE do të vendosen sanksione kundër Turqisë. E mundshme është që të përmenden mundësi konkrete për sanksione, që të vendosen në një kohë tjetër. E rëndësishme është që BE të mos e ndërpresë lidhjen e komunikimit me Ankaranë.
Kompromisi nuk përjashtohet
Sipas ekspertit Tzogopoulos interesante është një mundësi tjetër ndërmjetësimi që mbështetet nga diplomacia gjermane- Një raund multilateral bisedimesh për Mesdheun lindor, ku Greqia, Qiproja, Turqia por edhe Izraeli, Egjipti dhe Libani të përfshihen në to. Më 30 nëntor anija turke kërkimore, “Oruc Reis” e përfundoi misionin e saj të kontestuar në Detin Mesdhe. Shenjë lodhjeje? Megjithatë përfundimi i misionit e bën të mundur uljen e tensioneve, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel. Po për këtë nuk është i bindur, politologu Konstantinos Filis. “Këtë e përjetojmë gjithmonë. Para një samiti të BE për këtë temë, Turqia e kthen anijen në port, ditën tjetër pastaj e nxjerr sërish në Mesdhe”, ankohet Filis. /DW/